Vasil Ruci: Në FSHF ka njerëz që nuk e duan futbollin, aq më shumë Flamurtarin!

665
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Flamurtarit dhe i Kombëtares, akuzon FSHF-në për situatën e skuadrës së tij
Situata në fundin e renditjes e skuadrës së Flamurtarit, këto ditë është bërë edhe objekt mediatik, ku në këtë “rreth” është futur edhe një nga ish-futbollistët e mëdhenj të kësaj skuadre, Vasil Ruci. Për të marrë një informacion më live për gazetën “Telegraf”, me Vason bashkëbiseduam rreth kësaj situate, por edhe asaj se çfarë mendon ky Mjeshtër i Madh i futbollit shqiptar për zgjidhjen e saj. Dhe sipas Rucit, njëra nga zgjidhjet është protesta e tifozëve në rrugën nacionale, dhe e dyta, është largimi i drejtuesve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. “Unë jam i drejtpërdrejtë dhe po ja u them se, në FSHF ka njerëz që nuk e duan futbollin, aq më shumë Flamurtarin, këtë skuadër të madhe në futbollin shqiptar. Me sa duket, aty ka njerëz që janë zgjedhur në atë Komitetin Ekzekutiv për ta mbajtur gojën të qepur dhe krahun në allçi”, deklaroi Vasil Ruci në këtë intervistë për gazetën “Telegraf”
Këto ditë jeni shfaqur në mediet sportive shqiptare shumë i ashpër në kritika ndaj FSHF-së, është ky një shpërthim emocional apo profesional?
Juve kuptojeni si të doni, por unë jam shprehur sinqerisht për atë qe e ndjej. Mua më dhimbset futbolli, sidomos Flamurtari, sepse këtu kam një jetë të tërë me këtë futboll, dhe gjithçka që kam shprehur i referohet vetëm përmirësimit të situatës. Nga ky pozicion, mendova që të mos e bëj sehir këtë situatë.

Konkretisht ku drejtohen “shigjetat” e kritikave tuaja?
Unë jam i drejtpërdrejtë dhe po ja u them se, në FSHF ka njerëz që nuk e duan futbollin, aq më shumë Flamurtarin, këtë skuadër të madhe në futbollin shqiptar. Me sa duket, aty ka njerëz që janë zgjedhur në atë Komitetin Ekzekutiv për ta mbajtur gojën të qepur dhe krahun në allçi. Ndryshe nuk mund të mendosh kur situata gjatë këtij sezoni ka folur ashpër kundër Flamurtarit.

Një kohë e gjatë pa folur dhe nëse nuk do të kishim lexuar deklarimin tuaj, ndoshta do mendonim se Vasil Ruci ishte “divorcuar” me futbollin, po apo jo?
JO dhe me të madhe, sepse unë këtu në Vlorë kam qenë gjatë kësaj periudhe që nuk jam shfaqur në mediet tuaja. Pa Vlorën dhe pa futbollin e Flamurtarit nuk e mendoj veten time, ndoshta kështu do të jem gjithë jetën. Në fushë apo jashtë saj, në stadium apo në TV, këto janë mundësitë që unë i shfrytëzoj për të parë futbollin vlonjat, e në veçanti skuadrën e Flamurtarit. Kjo tregon se nuk ka divorc mes meje e futbollit vlonjat.

Gjithsesi, dukeni paksa emocional në këto deklarime, pse vetëm tek FSHF-ja dhe nuk e shikoni këtë situatë të Flamurtarit edhe te drejtuesit e klubit tuaj të futbollit?
Sepse këta njerëz që drejtojnë sot futbollin shqiptar, nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim pozitiv për gjendjen e tij. Më mirë të largohen ata që kanë luajtur futboll, dhe të qëndrojnë aty vetëm ata që nuk e njohin drejtpërdrejt këtë lojë, por vetëm e përdorin si biznes.

Më konkretisht, ku drejtohen “shigjetat” e Vasil Rucit në këtë rast?
Ka shumë raste në këtë sezon ku Flamurtari është penalizuar nga gjykime skandaloze dhe asnjë masë nuk është marrë ndaj tyre. I fundit ishte ditën e hënë kundër Skënderbeut, me atë gjyqtar nga Lezha që nuk i dha penallti Flamurtarit, ndërsa faulli që dha në favorin e korçarëve nuk ekzistonte. Ka edhe të tjera arbitrime kundër nesh, si në Shkodër, me Teutën apo me Laçin. Çfarë duan më shumë “komitetasit” e FSHF-së?

U keni bërë apel tifozëve vlonjatë që të protestojnë dhe të bllokojnë rrugën nacionale, mos është gjetje e gabuar kjo?
Po e përsëris edhen në gazetën tuaj atë deklaratë që kam bërë ditë më parë në mediet e tjera se, tifozët e Flamurtarit duhet të protestojnë për këtë situatë që unë po ju përshkruaj. Të bllokojnë rrugën nacionale deri sa të zgjidhet kjo situatë, e cila padrejtësisht i është deleguar Flamurtarit. Është një formë demokratike proteste, dhe duhet bërë.

Kësisoj, ju shikoni një Flamurtar seriozisht të rrezikuar për zbritje në Kategorinë e Parë?
Me këtë federatë futbolli që kemi ne dhe me këta arbitra, edhe Barcelona mund të rrezikohej. Rikthimi i pikëve që i janë hequr padrejtësisht skuadrës së Flamurtarit, është gjëja e parë që duhet të bëjë FSHF-ja. Këta që e drejtojnë këtë institucion, kështu nuk po bëjnë drejtësi në futboll, prandaj duhet që të largohen prej andej.

Zgjidhja që ju propozoni është e pakthyeshme, veç protestës e bllokimit të rrugës nacionale?
Me forma proteste që unë po kërkoj, mendoj se është rruga më qytetare e demokratike. Vlora, Flamurtari dhe vlonjatët nuk e meritojnë këtë gjendje të deleguar nga drejtuesit aktualë të federatës, dhe për ta ndryshuar këtë gjendje, njëra formë është protesta. Besoj se do më mirëkuptojnë të gjithë për ta mbajtur të pastër emrin e skuadrës sonë të madhe në historinë e futbollit shqiptar ndër vite.

Po për Kategorinë Superiore në përgjithësi, si po zhvillohet ai në këndvështrimin tuaj?
Po për çfarë kampionati të flas unë më shumë, kur ka të tilla padrejtësi. Në një kampionat ku nuk fiton futbolli, por fitojnë ata që nuk kanë lidhje me të, kuptohet se si zhvillohet. Biznesi e futbolli kanë të përbashkëta, por kanë edhe rrugë që i ndajnë, sikundër me drejtuesit e FSHF-së.
Unë jam i drejtpërdrejtë dhe po ja u them se, në FSHF ka njerëz që nuk e duan futbollin, aq më shumë Flamurtarin, këtë skuadër të madhe në futbollin shqiptar. Me sa duket, aty ka njerëz që janë zgjedhur në atë Komitetin Ekzekutiv për ta mbajtur gojën të qepur dhe krahun në allçi
Reagimi i Flamurtarit: Arbitra të huaj deri në fund, paguajmë kostot!
Klubi i Flamurtarit kërkon arbitra të huaj për 8 ndeshjet e mbetura, deri në fund të kampionatit të Kategorisë Superiore 2016-2017, dhe për këtë, është i gatshëm të mbulojë të gjitha kostot financiare të nevojshme. Vlonjatët kanë bërë një reagim të ashpër në faqen e tyre në Facebook, duke e cilësuar gjykimin e ndeshjeve të fundit si tendencioz, për të dëmtuar ecurinë e ekipit të tyre. Në përfundim të ndeshjes ndaj Skënderbeut, edhe tifozët vlonjatë reaguan ndaj arbitrave të takimit teksa tentuan t’i sulmojnë gjatë daljes nga stadiumi. “Duke u nisur nga ngjarjet e fundit dhe të vendosur në mënyrë të vazhdueshme përballë gabimeve më se të dukshme të gjyqtarëve, “Flamurtari Football Club” është i detyruar të reagojë fuqishëm ndaj tyre. Situata dhe vendime të shumta kontradiktore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e garës së ndershme dhe futbollit Fair-Play. Gabimet e quajtura “njerëzore” janë shtuar ndjeshëm në dëm të Flamurtarit. Janë një sërë gjykimesh të rëndësishme, në të cilat duket haptas se veprimet dhe vendimet në dëm të Flamurtarit janë me tendencë të pastër dhe duhej të ishin hetuar nga organet më të larta të FSHF-së. Me anë të këtij reagimi, ne kërkojmë rregulla të qarta loje dhe paanshmëri të institucionit që siguron mbarëvajtjen e kampionatit. Është e papranueshme dhe e patolerueshme që protagonist për rezultatin në fund të takimit nuk janë ekipet, por gjyqtarët. Ne si Klub kërkojmë që në këtë moment, kur kampionati ka hyrë në një fazë delikate, FSHF-ja dhe gjyqtarët të mos jenë faktorë me vendimet e tyre tendencioze, këtë duhet ta vendosë vetëm fusha e blertë. Për këtë situatë, Presidenca e “Flamurtari Football Club” kërkon nga FSHF-ja që tetë javët e mbetura të Kampionatit të jenë nën gjykimin e arbitrave të huaj, duke marrë përsipër të gjitha kostot që mund të ketë, për ti lënë rrugë të lirë garës së ndershme dhe futbollit Fair-Play”.

Ndeshjet/ Java e 29-të
Të shtunën, 15 prill 2017
Skënderbeu-Korabi 16:00
Tirana-Laçi 19:00
Teuta-Kukësi 19:00
Të dielën, 16 prill 2017 
Luftëtari-Flamurtari 16:00
Vllaznia-Partizani 19:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Partizani 28 58
2.Kukësi 28 56
3.Skënderbeu 28 53
4.Luftëtari 28 36
5.Vllaznia 28 35
6.Teuta 28 32
7.Tirana 28 31
8. Laçi 28 28
9.Flamurtari 28 25
10.Korabi 28 12
FSHF, marrëveshje për shkëmbim arbitrash me Luksemburgun
Dje, në faqen zyrtare të saj, FSHF-ja ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje për shkëmbim arbitrash me Luksemburgun. Sipas njoftimit të publikuar, kjo marrëveshje me Luksemburgun do të fillojë që në fundjavën e ardhshme, teksa do të afrohen arbitrit e parë për të gjykuar një ose disa ndeshje të kampionatit shqiptar, qoftë në Kategorinë Superiore apo atë të Parë. Gjithashtu, disa arbitra shqiptarë do të udhëtojnë drejt Luksemburgut për të vendosur drejtësi në ndeshjet e kampionatit të këtij shteti.
Sigal