INTERVISTA/ Ish-trajneri i Tiranës, Vangjel Mile, mendon një garë të fortë në dy ekstremet e renditjes
Agron KAJA

Në mesjavën e shkuar Superiorja nisi fazën e tretë, në këndvështrimin tuaj, si ishte paraqitja e skuadrave?
Kupa ka specifikë tjetër nga kampionati, por tek disa ekipe ndikoi edhe te gjëndja e tyre fizike, sidomos ato skuadra që luajtën 120 minuta. Lodhja fizike ishte e pranishme tek këto ekipe, duke treguar lodhje kryesisht në pjesën e dytë.
Në pesë ndeshjet e luajtura u arritën 3 fitore dhe 2 barazime, si i komentoni rezultatet?
Me rezultatet që u arritën këtë javë, mendoj se Partizani bëri një hap falls me barazimin në Vorë, e cila u tregua koçkë e fortë edhe në këtë ndeshje. Rezultatet i quaj në logjikën e tyre, duke menduar se jemi në javën e parë të fazës së tretë.
Në këtë javë u dhënuan 5 gola, cilin prej këtyre rezultateve e vlerësoni se doli jashtë pritshmërive?
Numri i golave nuk e justifikon asgjë në këto ndeshje, sepse ekipet janë të kujdesshme te loja sulmuese dhe kërkojnë të marrin rezultat, qoftë edhe duke u mbrojtur. Kjo është arsyeja e golave të pakët, sepse ka sulmues cilësorë, por filozofia e trajnerëve anon tek rezultati.
Jemi në një periudhë me merkato, u evidentua në këto ndeshje ndonjë lojtar i ardhur në përforcim gjatë janarit?
Tek Tirana dhe Teuta janë bërë afrime që kanë cv të mirë. Po ashtu edhe te Partizani, por ende duhet të presim të shohim vlerat e tyre. Skuadrat e tjera kanë qëndruar larg në merkato, sepse është e vështirë për të gjetur lojtarë në formë.
Çfarë tregoi ndryshe skuadra e Tiranës në sfidën e Ballshit, dhe si duhet të reagojë ndaj Vorës?
Tek Tirana, mbrojtësi i majtë dhe një mesfushor të ardhur në merkato se janë lojtarë cilësorë. Por një plus i madh është rikthimi i Redon Xhixhës, i cili me potencialin e tij do t’i shërbejë Tiranës, pse jo edhe kampionatit shqiptar.
Të dielën dhe të hënën luhen ndeshjet e javës 20, si i parashikoni referuar kalendarit?
Mendoj se të gjitha kanë vlerën e një kryendeshje. Sepse disa skuadra kërkojnë ngjitjen në tabelën e renditjes, dhe të tjerat që duan mbijetesën. Nga ky këndvështrim, do jenë të gjitha ndeshje të rëndësishme, të forta dhe delikate.
Nisur nga pozicionet e skuadrave në renditjen e 19 javë, mund të themi se do kemi edhe ndonjë lëvizje të dukshme në renditje?
Lëvizje mund të ketë, vetëm me ngushtim diference në vëndet në renditje, në krye dhe në fund. Ndërsa në vëndet e poshtme të renditjes do jenë ndeshje më deçizive për të ardhmen e skuadrave. Jemi në fazat që kërkohen më shumë pikët, jo loja.
Në fazën e tretë dhe të katërt, çfarë mund të presim ndryshe nga dy fazat e para?
Mendoj se në fazën e tretë dhe të katërt nuk mund të presim futboll më të bukur. Do kemi ndeshje më shumë të luftuara, edhe për psikologjinë e rezultatit. Gara nuk do jetë shumë e bukur për t’u parë, por për t’u ndjekur se si do zhvilllohet.
Në këtë fillimjavë u hodh shorti për ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, si i shikoni çiftet mes skuadrave?
Nisur nga emrat e skuadrave, të katër çiftet e turit çerekfinal duken shumë interesantë. Kësisoj, mendoj se do jenë sfida të forta ku nuk do ketë favorite. Të gjitha skuadrat janë të denja për të vazhduar deri në fund Kupën e Shqipërisë.
Duke qënë se jemi në mesin e sezonit, do kenë ndikim këto ndeshje tek loja e skuadrave në kampionat?
Nuk mendoj se do të ndikojnë ndeshjet e Kupës në vijimësinë e garës në kampionat, sepse është me specifikë tjetër. Nga ana tjetër, mes këtyre 8 skuadrave ka mes tyre që do fokusohen më shumë në kampionat, pa mendim te Kupa.
Golashënuesit me emrin e Balajt të “stampuar” në 19 javë
Gara për golashënuesin më të mirë të sezonit në kampionatin e Superiores vijon të jetë interesante në këtë edicion. Pas ndeshjeve të javës së 19-të, si në dy sezonet e fundit, në krye të listës qëndron sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj me 10 gola. Pas tij vijnë Dejvi Bregu i Dinamo City dhe Blaise Tsague i Egnatias me nga 7 gola. Deri tani janë shënuar në total 193 gola, por mbetet për kreun e golashënuesve mbetet e hapur. Java e 20-të ka përballje të forta ku mund të presim gola të shumtë.

ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java 20
E dielë, 18 janar 2026
Egnatia-AF Elbasani 17:00
Flamurtari-Bylis 17:00
E hënë, 19 janar 2026
Vora-Tirana 13:30
Partizani-Teuta 17:00
Dinamo City-Vllaznia 19:30
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Egnatia 19 37
2.AF Elbasani 19 34
- Dinamo City 19 33
4.Vllaznia 19 33
5.Teuta 19 26
6.Partizani 19 23
7.Vora 19 22
8.Bylis 19 18
9.Flamurtari 19 15
10.Tirana 19 13
KRYENDESHJET – JAVA 20
Sot/ Egnatia-AF Elbasani 17:00
Ndeshen me bilanc të barabartë, vetëm renditja ndryshon

Java e 20-të e Superiores rezervon përballje interesante, dhe njëra prej tyre është Egnatia-AF Elbasani, një ndeshje rivale që këtë sezon flet më shumë për verdheblutë. Në fazën e parë ndeshja përfundoi në barazi 1-1, ndërsa në fazën e dytë vëndasit fituan minimalisht 1-0. Kjo ndeshje i gjen skuadrat në pozicione të përafërta në renditje, ku Egnatia kryeson me 37 pikë, ndërsa AF Elbasani e ndjek me 34 pikë. Në dy kampionatet e fundit në Superiore, Egnatia është ndeshur 6 herë me AF Elbasanin, ku janë shënuar 2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Të dielën ndoshta ky bilanc do prishet, pse jo të kemi një bashkim në kreun e renditjes.
Nesër/ Dinamo C-Vllaznia 19:30
Histori e ekuilibruar ndër vite, realitetet të barababarta

Dy nga skuadrat më të mira në futbollin shqiptar dhe pretendente për zonën “Final 4” në Superiore, Dinamo City e Vllaznia, do ta mbyllin javën e 20-të ditën e hënë në mbremje, ndoshta për t’i vënë “kapakun” e bukurisë kësaj jave. Në këtë kampionat, Dinamo City fitoi në takimin e fazës së parë me rezultatin 3-1, ndërsa në fazën e dytë Vllaznia morri 3 pikët me fitoren minimale 1-0. Dinamo City vjen në këtë sfidë pas barazimit 0-0 në Durrës ndaj Teutës në javën e 19-të, ndërsa Vllaznia fitoi në Shkodër 1-0 ndaj Egnatias. Në 30 vitet e fundit Vllaznia është superiore në bilance, dhe aktualisht janë të barabarta në tabelën e renditjes me nga 33 pikë.





















