Turi çerekfinal “mirëpret” vetëm skuadrat e Superligës

529
Sigal

Ndeshjet e fundit të luajtura dje mes Skënderbeu-Tërbuni dhe Tirana-Bylis në Kupën e Shqipërisë, dhanë edhe verdiktin final dhe emrat e fundit që bashkohen në turin e çerekfinales në këtë turne. Padyshim që kualifikimi si i Tiranës ashtu edhe i Skënderbeut nuk vihej në dyshim, duke luajtur që të dyja këto skuadra pa shumë sforco e përsëri golat e shumtë në numër nuk munguan për të dyja skuadrat. Dy fitueset në këto dy ndeshje shënuan edhe dy të fundit që kualifikohen për në fazën çerekfinale duke shfaqur padyshim supremacinë e skuadrave të Superiores, që vetëm Teuta dhe Elbasani nuk janë të përfshira, duke mos ia dalë të kualifikohen në turin e tretë. Ndërkohë që, me mbylljen e kësaj faze u plotësuan edhe çiftet çerekfinaliste që do të luhen mes Flamurtari-Skënderbeu, Partizani-Laçi në grupin A dhe Vllaznia-Kukësi, Apolonia-Tirana në grupin B. Kështu siç duket, të gjitha ndeshjet janë shumë të ekuilibruara dhe nuk pritet më që ndeshjet të mbyllen që në takimin e parë. Ndeshja më interesante pritet të jetë ajo mes Flamurtarit dhe Skënderbeut, dy skuadra që rivalizojnë edhe në kampionat, duke e bërë këtë takim edhe më të veçantë. Nuk ngelen pas as as takimet e tjera, me Vllaznia-Kukësi që ritakohen përsëri, e këtë herë për Kupë, një turne që Vllaznia do të luajë në maksimumin e vet pasi për kampionat çdo gjë duket e mbyllur, të paktën përsa i përket titullit. Ndeshjet e ardhshme duan edhe shumë kohë që të luhen pasi data e caktuar është ajo e 21 janarit për takimin e parë dhe 4 shkurti është vendosur si takim i kthimit. Deri në atë kohë, skuadrat kanë mundësinë e përmirësimit duke treguar se asnjëherë në këtë kompeticion nuk mund të parashikosh, të paktën jo kur ndeshen skuadra që luajnë në të njëjtën kategori.

Rezultatet finale të ndeshjeve

Grupi A

Laçi-Elbasani              2-0

Partizani-Lushnja        4-1

Flamurtari-Veleçiku* (6-1)

Skënderbeu-Tërbuni    6-1

Shënim: Veleçiku nuk u paraqit të luante në Vlorë

Grupi B

Kukësi-Pogradeci     5-2

Teuta-Apolonia         0-0

Vllaznia-Kastrioti     0-0

Tirana-Bylis              6-0

Skuadrat çerekfinaliste

Grupi A

Flamurtari-Skënderbeu

Partizani-Laçi

Grupi B

Vllaznia-Kukësi

Tirana-Apolonia

Kategoria e Parë/ Skuadrat “notojnë” në ujërat e tyre pas humbjeve në Kupë

Ashtu si në Superligë, edhe Kategoria e Parë ishte e përfshirë në Kupën e Shqipërisë, ku kujtojmë se Lushnja, Tërbuni, Bylis, Pogradeci, Veleçiku dhe Kastrioti ishin të shortuara në ndeshje. Në fakt, duke qenë se nuk kishin pretendime reale në këtë turne, të gjitha skuadrat nuk u angazhuan maksimalisht, kujtojmë edhe Veleçikun që as nuk u paraqit në ndeshjen me Flamurtarin, duke ruajtur futbollistët dhe energjinë për ndeshjet e rëndësishme që kanë tani për kampionat. Në grupin A, ndeshje e fortë është ajo mes Ilirisë së Fushë-Krujës dhe Mamurrasit kryesues, me këta të fundit që synojnë gjithmonë rezultatin pozitiv për të ecur në të njëjtin hap me Besëlidhjen që ndodhet po në të njëjtën pozitë, me nga 16 pikë secila. Besëlidhja e Lezhës ka përsëri një ndeshje të vështirë, ku do të ketë përballë Kamzën, skuadër që nuk ka bërë edhe aq mirë këtë sezon, por përsëri është paraqet rrezik për çdo ekip që ka përballë. Të dyja kryesueset e grupit A kanë këtë javë ndeshje shumë të vështira, e duke marrë parasysh se edhe kundërshtarët rivalizojnë për një vend më të mirë në renditje, çdo gjë mbetet e hapur për të dy takimet. Ndërkohë që Veleçiku dhe Tërbuni, dy skuadra që ishin të angazhuara në Kupë, por me vetëm pukjanët që u paraqiten pasi përfaqësuesit e Koplikut as nuk e morën mundimin të shkonin në takimin e dytë, do të ndeshen në këtë javë të shtatë ndaj njëra-tjetrës. Në grupin B, sfidat përqendrohen tek takimi mes Bylis dhe Dinamo, me këta të fundit që kryesojnë me 12 pikë, të ndjekur nga Butrinti me 1 pikë më pak, ndërsa Bylisi ka katër pikë më pak, duke u ndodhur në pozitën e 6 të renditjes. Butrinti ka një ndeshje relativisht të thjeshtë, me Shkumbinin që e pret në shtëpi  për të përfituar sa më shumë të jetë e mundur nga ky takim. E çuditshmja në grupin B është se të gjitha skuadrat që nga vendi i 8-ë e deri në vendin e 1-rë i ndajnë vetëm 5 pikë, duke lënë çdo gjë të hapur për pretendimet e secilës. Mjafton të shikohet se ndeshja mes Luftëtarit e vendit të 8-të me Lushnjën e vendit të 5-të ndahen me vetëm një pikë mes tyre, ku gjirokastritët kanë 7-ë pikë ndërsa lushnjarët kanë 8-ë pikë. Të gjitha takimet do të luhen ditën e nesërme, përveç Veleçiku-Tërbuni dhe Bylis-Dinamo që janë të parashikuara për ditën e diel, për shkak të angazhimeve që dy nga skuadrat (Bylis, Tërbuni) patën në Kupë ditën e enjte.

Grupi A

Burreli-Besa

Veleçiku-Tërbuni

Iliria-Mamurrasi

Besëlidhja-Kamza

Ada-Kastrioti

Grupi B

Lushnja-Luftëtari

Naftëtari-Sopoti

Shkumbini-Butrinti

Pogradeci-Tomori

Bylis-Dinamo

Skuadra Nd F B H P
Besëlidhja 6 5 1 0 16
Mamurrasi 6 5 1 0 16
Tërbuni 6 4 2 0 14
Veleçiku 6 3 0 3 9
Iliria 6 2 2 2 8
Kamza 6 1 2 3 5
Kastrioti 6 1 2 3 5
Besa 6 0 4 2 4
Burreli 6 1 0 5 3
Ada 6 1 0 5 3

Skuadra ND F B H P
Dinamo 6 3 3 0 12
Butrinti 6 3 2 1 11
Sopoti 6 2 4 0 10
Tomori 6 2 3 1 9
Lushnja 6 2 2 2 8
Bylis 6 2 2 2 8
Pogradeci 6 2 2 2 8
Luftëtari 6 2 1 3 7
Shkumbini 6 1 0 5 3
Naftëtari 6 0 3 3 3