Tirana nuk befason, tregohet superiore me Vllazninë

456
Nga Agron KAJA
KUPA E SHQIPËRISË/ U luajtën takimet e para të turit të dytë, të mëdhatë bënë diferencën, edhe me goleada
Topkëmba shqiptare e elitës, dje luajti ndeshjet e turit të dytë (1/8) të Kupës së Shqipërisë, ku në tetë çiftet e kësaj gare, ishin në fushë të dhjetë skuadrat e Kategorisë Superiore. Parë në këndvështrimin e rezultateve, këto ndeshje u kanë shërbyer atyre edhe për të ruajtur forca për ndeshjet e javës së 13-të, të cilat do të luhen ditën e shtunë dhe të dielën, pasi ngarkesa fizike ka bërë që të aktivizohen më shumë lojtarët që nuk kanë gjetur shumë hapësirë në Kampionat. Ndërsa ndeshja e fundit, Pogradeci-Partizani në Grupin B do të luhet sot, dje Kukësi dhe Skënderbeu hodhën një hap drejt kualifikimit, Flamurtari në Grupin B, bën goleadë në Cërrik. Kështu, duke e mposhtur Erzenin me rezultatin e thellë 1-4, ndeshja e kthimit për Kukësin mund të jetë thjesht formalitet zyrtar, ndërsa Skënderbeut me shumë ndryshime në formacion, i mjaftoi vetëm një gol për të mposhtur 0-1 Besëlidhjen në ndeshjen e parë në Lezhë. Korçarët do ta luajnë më të qetë ndeshjen e kthimit, ndërkohë që në këtë grup, sfida mes Kamzës dhe Teutës e le të hapur kualifikimin, dhe ndeshja e dytë në Durrës ndoshta do të mbetet si kryesfidë e këtij grupi. Në Grupin B, Flamurtari ka fituar me rezultat të thellë në ndeshjen e parë, sepse ka mposhtur në transfertë Turbinën e Cërrikut, 1-6. Kësisoj, edhe vlonjatët e sigurojnë praktikisht kualifikimin në çerekfinale, dhe ndeshjet e kthimit Shpëtim Duro mbetet ta përdorë për kolaudimin e skuadrës me elementët më të rinj që nuk kanë gjetur shumë hapësira në Kampionat. Ndoshta nuk pritej, por Laçi ka fituar në ndeshjen e parë në Lushnje, madje me një rezultat (1-3) që i jep më shumë shanse kualifikimi, duke i lënë lushnjarët edhe në Kupë në fundin e skuadrave pjesëmarrëse. Në Ballsh, Bylisi ka mposhtur Luftëtarin, por me rezultatin 2-1, ballshiotët e vënë në dyshim synimin e tyre, apo edhe të gjirokastritëve. Gjithsesi, Luftëtari mbetet me shpresë falë golit të shënuar në fushën kundërshtare, dhe çdo gjë do vendoset në ndeshjen e kthimit pas dy javësh, ku realisht, në Gjirokastër, në Durrës dhe në Shkodër do të luhet për kualifikim, pasi skuadrat e tjera të Superiores e kanë të siguruar kualifikimin në turin e tretë (1/4).
TIRANA-VLLAZNIA 2-0
Shkodranët të dobët edhe në Kupë, bardheblutë fitojnë pastër 
Ndoshta nuk do të quhet hakmarrje, por një revansh bardheblu ishte dje fitorja që Tirana arriti ndaj Vllaznisë, ndeshje e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi”, në kuadrin e ndeshjes së parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Sepse në sezonin e kaluar, Tirana ra nga Kategoria Superiore, pikërisht në ndeshjen e fundit të Superiores, në Shkodër. Gjithsesi, ka qenë një sfidë e luftuar nga të dyja skuadrat, por shkodranët rezistuan vetëm 67 minuta, sepse goli i Grecës i dha epërsinë Tiranës, për të shënuar edhe golin e dytë me Uillson në minutën e 83-të. Kështu, Tirana hedh hapin e parë drejt kualifikimit.
Ndeshjet, Turi i 1/8 
GRUPI A
Dje, 29 nëntor 2017 
Erzeni-Kukësi 1-4
Shënues: Goxhaj 86’/ 
Guri 8’, 14’, 
Koldashi 51’, Peposhi 88’
Kamza-Teuta 1-1
Shënues: Rezi 1’/ Latif 30’
Besëlidhja-Skënderbeu 0-1
Shënues: Kelmendi 25’
Tirana-Vllaznia 2-0
Shënues: Greca 68’, Uillson 83’
GRUPI B
Dje, 29 nëntor 2017 
Bylis-Luftëtari 2-1
Shënues: Kolgega 14’,
Murataj 22’ / Ramadani 85’
Lushnja-Laçi 1-3
Shënues: Pepa 70’ / 
Xhixha 26’, 30’, Bushi 67’
Turbina-Flamurtari 1-6
Dollani 60’ / Liçaj 17’ (p), 
Kamara 30’, Toungara 30’,85’,
Hyseni 73’, Hoxhaj 80’ (p)
Sot, 30 nëntor 2017
Pogradeci-Partizani 14:00
Sigal