Tirana dhe titulli, sa larg dhe sa afër që pas humbjes së derbit?

424
Barazimi me Teutën në Durrës ishte padyshim goditja e radhës për ekipin bardheblu, që pas humbjes me Partizanin duket se kanë marrë një tjetër goditje të madhe qoftë psikologjike, qoftë sa i përket renditjes, pasi tani e gjejnë veten 6 pikë larg kreut dhe për fatin e tyre të keq kanë Laçin nga pas, me 1 pikë më pak. Në fakt situata paraqitet shumë delikate tek Tirana aktualisht, që fillon me disa arsye dhe mbaron me disa të tjera duke e krijuar shumë paqartësi tek bardheblutë.
Ndeshja me Partizanin- Mund të thuhet me bindje se humbja me Partizanin ishte padyshim një “rrëshqitje” për ekipin, që sigurisht kishin shpresën se do i mundnin “kushërinjtë” e tyre të padëshiruar, por kjo nuk ndodhi as këtë herë, duke bërë një blof për veten dhe për tifozët me një humbje në shtëpi dhe me Partizanin që parakalonte në renditje bardheblutë, gjithsej janë dy goditje njëra pas tjetrës, sidomos kur mendohet se është e dyta humbje rresht me Partizanin në kampionat.
Gafat e njëpasnjëshme të Frashërit- Gabime trashanike në futboll të portierëve kemi parë shumë, jo vetëm nga Stivi Frashëri por edhe nga portierët më elitarë të botës, si Neuer apo Buffon, por Frashëri, në ndryshim nga këta, zhgënjimin e nxjerr në rrjetet sociale, duke shprehur mendimet e tij mbi situatën e klubit lirshëm, madje shumë lirshëm, aq shumë sa figura e Tiranës pëson rënie, pasi sigurisht askush nuk di se kë duhet të besojë dhe kë jo. Si përfundim Stivi dërgohet në bankinë, ose më saktë, në tribunë dhe pezullohet pa një afat të caktuar, me shkakun se ka fyer rëndë klubin duke u shprehur ashtu, edhe pse vetë portieri tha se nuk kishte shkruar gjë vetë, por ishte një shoku i tij që kishte shkruar. Këto janë fjalët e shumta, që sigurisht “rrënojnë” qetësinë në skuadër, duke u vënë kështu edhe më shumë nën presion, e ndoshta ndeshja me Apoloninë këtë javë do të vlejë për të rifituar ekuilibrat. 
Barazimi me Teutën-Një barazim që vjen në një kohë mjaft të keqe për ekipin, pasi përgjigjja e vetme dhe e denjë do të ishte një fitore dhe jo fitore dosido, por një fitore me goleadë, që do të krijonte bindjen se humbja me Partizanin ishte një rastësi e keqe dhe aq. Mjafton të shihet me vëmendje ecuria në ndeshjen me bregdetarët, për ta kuptuar se akoma nuk e kishin marrë veten nga humbja e disa ditëve më parë, duke lëshuar kështu mjaft terren ndaj tre skuadrave të para. 
Heshtja për shtyp- Përgjigjja e Tiranës ishte ajo e modës së fundit, të mos përgjigjen në shtyp, duke shmangur kështu çdo pyetje nga gazetarët dhe kjo filloi që pas mbarimit të ndeshjes me Teutën, ku futbollistët nuk deklaruan asgjë për mediat me urdhër klubit. Një zgjedhje e tillë është bërë edhe nga ekipe të tjera këtë sezon, ku kujtojmë Kukësin apo edhe Partizanin, e në fakt po përsëritet shumë shpesh sa mund të quhet me të vërtetë një modë e fundit, e shëmtuar sigurisht, por po ndiqet shumë.
Por enigma më e madhe është se çfarë e mundon këtë Tiranë? Pasi nëse analizohet, ky ekip ka në përbërje një kontingjent shumë të mirë lojtarësh, duke filluar nga porta e deri në sulm, këta lojtarë kanë rroga të mira, besohet, kanë edhe tifozë që i mbështesin ngado, me shumë pasion, në çdo ndeshje. Por edhe pse kanë kushte më të mira se shumica e skuadrave të tjera në Superligë, përsëri duken si një ekip që i kanë dhënë fund pretendimeve të fillim sezonit, e kjo jo për 6 pikë diferencë me vendin e parë, pasi mund të rikuperohen, por për shkak se Tirana deri më tani nuk ka arritur që të dalë në një lojë që i garanton fitoret me meritë, që e radhit me bindje si një skuadër që duhet ta shkruajë medoemos emrin si skuadër fituese në fund të sezonit. Tre fazat e para nuk e dhanë këtë “fytyrë” të Tiranës, por faza e katërt do të jetë vendimtare për të gjitha ekipet, e deri në fund përmirësimet mund të vijnë, duke parë që në fakt asgjë nuk iu mungon si ekip dhe si klub. 
Tirana-Partizani, koreografia e tretë më e mirë e javës në futbollin botëror
Është fakt tashmë se rrjetet sociale kanë një ndikim dhe shtrirje shumë të madhe në sport, e në këtë rast do të flasim për futbollin, ku një kanal shumë i njohur, TIfoTV, çdo javë bën renditjen e tifozerive më të mira në mbarë botën në ndeshjet e futbollit. Ajo çfarë u vu re për këtë javë ishte përfshirja e tifozerisë së Tiranës dhe Partizanit në derbin e luajtur para disa ditësh, ku gjatë gjithë ndeshjes tifozët krijuan një atmosferë madhështore duke e “barazuar” derbin e tyre në shkallët e stadiumit, çka ju jep në këtë rast edhe çmimin si tifozeria e tretë më e mirë e javës. Për syrin e të gjithëve, atë ndeshje e fitoi si Partizani ashtu edhe Tirana, duke dhënë një spektakël të madh në shkallët e stadiumit, diçka që nuk kaloi pa u vënë re edhe nga syri i stërvitur i personave që të bërit tifozllëk e cilësojnë art më vete. 
Sigal