Thomas Strakosha shkëlqen përsëri, Lacio më pranë zonës së Ligës së Kampionëve

509
Sigal

Lacio i bashkohet përsëri grupit të skuadrave që luftojnë për vendin e katërt në Serinë A, që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, ndërsa kërcënojnë Interin e vendit të tretë. Për të barazuar Romën në kuotën e 35 pikëve, vetëm 1 pas Milanit që mban vendin e katërt, Lacios i është dashur një fitore 1-0 jo pa vështirësi ndaj Frozinones.

Një gol i Kaicedo në pjesën e parë kaloi në avantazh skuadrën e Inzagit e cila më pas u mundua të bënte atë që i kishte munguar në ndeshjet e mëparshme, të administronte rezultatin. Kështu, me qetësi Lacio qarkulloi më shumë topin duke ulur ritmin e ndeshjes, aq sa edhe vetë Strakosha u ndëshkua me të verdhë për vonesa loje.

Por në fundin e takimit, portieri i përfaqësueses shqiptare u detyrua të bënte disa ndërhyrje vendimtare për të ruajtur avantazhin e skuadrës së tij që doli nga fusha e lojës me 3 pikë shumë të rëndësishme për objektivat e klubit duke i dhënë njëkohësisht fund edhe serisë prej 3 ndeshjesh radhazi pa fitore që e kishin larguar disi nga zona Champions.