Sylvinho i afroi për herë të parë në Kombëtare, Asani dhe Daku shpërblejnë brazilianin

12
Sigal

Jasir Asani dhe Mirlind Daku ishin dy lojtarët që vendosën fatin e ndeshjes me Poloninë në Tiranë dhe i dhanë Kombëtares pikët e plota.

Asani dhe Daku kanë veshur për të parën herë fanellën kuqezi në këtë edicion kualifikuesesh, me trajnerin Sylvinho që u bëri vend në skuadër, pavarësisht se nuk bëhej fjalë për djem me moshë fare të re.

Asani, i lindur në Shkup është 28 vjeç, ndërkohë që Daku nga Gjilani, në ditën e parë të vitit të ardhshëm do të mbushë 26 vjeç.

Dy “blerje” të Sylvinhos që e kanë shpërblyer më së miri besimin e trajnerit të Kombëtares. Asani është treguar fenomenal me 2 supergola e dy asist, ndërkohë që Daku në premierën e tij para tifozëve në “Air Albania” arriti që të shënonte menjëherë sapo u aktivizua në fushën e lojës.

Dy baste të fituara për Sylvinhon, i cili po merr frytet e punës së tij, teksa pas 5 ndeshjes ka arritur që të marrë 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.

Një rrugëtim që deri në këtë pikë ka shkuar mjaft mirë, ndonëse ende asgjë s’ka mbaruar, kjo skuadër ngroh dhe jep besim për të ardhmen.