Superliga/ Tirana dhe Teuta “ngecin” në provën e parë të vërtetë

567
Sigal

Tirana dhe Teuta luanin ndeshjen e parë të javës së 2-të, sfidë që u zhvillua në “Selman Stërmasi” dhe që dhuroi emocione, por jo gola.

Pjesa e parë ka ritëm, por dy skuadrat tregohen të kujdesshme, ndonëse iniciativën e kanë bardheblutë e Memës. Gjithsesi kërcënimin e parë e jep Teuta, që në minutën e 12-të kërcënon me Vecajn, por shkodrani mund të kishte përfituar më mirë. Në minutën e 22-të ndërpritet ndeshja për më shumë sesa 30 minuta, për shkak të një defekti në impiantin ndriçues të “Selman Stërmasit” dhe me rinisjen e lojës, Tirana është më e rrezikshme. Në minutën e 23-të mundësi e dyfishtë shënimi për të zotët e shtëpisë. Fillimisht Hoxhallari kërcënon nga goditja e dënimit, me Frashërin që largon në vështirësi, ndërsa në vijim të aksionit, Ngo godet traversën.

Në 45 minutat e dyta, ndeshja është më e balancuar, ndërsa Teuta në minutën e 69-të, Rustem Hoxha shpërdoron në mënyrë të pabesueshme golin e avantazhit për “Djemtë e Detit”. Në të njëjtë minutë Mema kërkon të ndryshojë diçka në sulm, pasi ekipi i tij nuk po arrin të çajë prapavijën e miqve dhe largon Majkëll Ngo për Dungën, me anglezin që reagon i nervozuar në stol për zëvendësimin e kryer.

Minuta e 85-të dhe Tirana flirton me golin. Fillimisht është Edon Hasani që futet në zonë dhe gjuan rreptë, por shkodrani është i pafat sepse ndalet nga traversa e Frashërit, ndërsa pak çaste më vonë, parabola e Kalesë në pozicion të pritët, vetëm sa krijon iluzionin e golit. Në momentin më të mirë të Tiranës vjen ndërprerja e dytë e ndeshjes. Kësaj radhe problem janë tifozët, që të pakënaqur me anësorin Doda për një pozicion jashtëloje, e godasin dy herë vijërojtësin, që largohet nga pozicioni i tij dhe kryesori Hamiti detyrohet t’u bëjë thirrje lojtarëve bardheblu të qetësojnë tifozët e tyre.

Në kohësh shtesë, Teuta ka një rast ideal shënimi, që nuk shfrytëzohet nga Nikaç. Goditje dënimi për durrsakët pranë zonën bardheblu dhe, mbrojtja e Tiranës, që priste topin në thellësi të zonës, është e pavëmendshme duke lejuar sulmuesin malazez të godasë në diagonale, por në mënyrë të pasaktë. Përfundon gjithçka në “Selman Stërmasi”, 0-0 mes Tiranës dhe Teutës. Bardhelutë qajnë “dy traversat”, durrsakët rastet e tyre për shënim, por në fund nga një pikë për secilën prej tyre në provën e parë të vërtetë pas fitoreve të javës së parë.