Superliga fillon “garën” në distancë, të parat stërviten vetëm për kreun

403
Sigal

Gjysma e parë e sezonit jep garancinë për një pjesë të dytë po aq magjike

Edhe pse do edhe 19 ditë që Superliga të rikthehet në “detyrë”, përgatitjet kanë filluar që tani, me shumë skuadra që po zhvillojnë rregullisht seancat stërvitore parapërgatitore. Skuadrat janë shpërndarë në vende të ndryshme, sa në Shqipëri dhe jashtë sajë për të zhvilluar këtë fazë, por ajo që bën të lindin shumë pyetje është se çfarë do të presim për gjysmën e dytë të këtij sezoni. Gjysma e parë dha garancinë e një kampionati “magjik” ku skuadrat ishin gjithmonë në rivalitet me njëra-tjetrën, sidomos sa i përket skuadrave që qëndrojnë në krye duke filluar nga Kukësi që e mbylli në vendin e parë vitin 2014 e pritshmëritë nuk janë as më pak e as më shumë sesa qëndrimi në krye. Ky është qëllimi i kësaj skuadre, që nëse ia del ta mbyllë në krye edhe pjesën e dytë të sezonit, do e fitonte këtë titull për herë të parë. Sigurisht që tre skuadrat e tjera janë të gatshme që t’i prishin punë dhe planet vendit të parë, ku secila ka synime të forta për ta mbyllur vitin kalendarik sportiv në krye të renditjes. Me këtë gjysmë të dytë, mendohet se do të jetë e njëjta ecuri e lojës së bukur, por rivaliteti padyshim që do të shtohet, si në skuadrat e kreut, ashtu edhe në skuadrat që dëshirojnë qëndrimin në Superligë. Blerjet e reja (dhe të shumta) të lojtarëve deri më tani, do të sjellin një frymë dhe fytyrë të re tek secila skuadër, e deri në fund të merkatos është shumë e vështirë të vësh gishtin tek një skuadër e të thuash se cila ka bërë goditjet më të mira në blerjet e ndryshme.

Kukësi: Skuadra që ka treguar se di të fitojë edhe ndaj të mëdhave, duke grumbulluar një 3 pikësh me vlerë ndaj Tiranës në fund të fazës së dytë. Në total, kjo skuadër ka pasur ulje ngritjet e veta, duke mos arritur që të jetë mbizotëruese ndaj të tjerave, por herë-herë është shfaqur fragmentale, ku pas fitoreve vinin gjithmonë humbje dhe e kundërta.

Skënderbeu: Vendi i dytë në renditje për “ujqërit” dukej shumë larg në atë fillim sezoni, ku mungonin shumë nga faktorët kyç që ndikojnë në rezultatet pozitive të një skuadre, e sidomos në ngërç ishte reparti i sulmit, por pas disa ndeshjesh duket se gjërat filluan të viheshin në vijë për korçarët, që duke fituar vetë dhe duke mos humbur terren, kjo për shkak të gabimeve të kundërshtarëve, ia dolën që në fund të vitit të jenë skuadra që ndodhen direkt pas vendit të parë

Partizani: “Demat” e kuq pa dyshim që kanë qenë skuadra më e qëndrueshme e kësaj gjysme të parë, ku përveç të gjithave kanë shfaqur një formë shumë të mirë në mbrojtje, ku në 18 ndeshje kanë pësuar vetëm 7 gola, më pak se të gjitha skuadrat e tjera. Vendi i tretë erdhi si pasojë e disa rezultateve negative rresht, rezultate që i dhanë Kukësit mundësinë që ta mbyllte vitin në krye.

Tirana: Vendi i katërt i renditjes, vend i katërt që ka vetëm tre pikë diferencë me vendin e parë dhe dy pikë një pikë diferencë me të dytin dhe të tretin. Mjafton vetëm kaq të vihet re se fillimi i sezonit do të jetë një luftë e vërtetë, në kuptimin sportiv të fjalës, për secilën nga klubet e mësipërme.

Ajo që do të ndikojë në këtë, është padyshim edhe cilësia shumë e mirë e 6 skuadrave që ngelin, ku kujtojmë që Vllaznia, Flamurtari, Laçi dhe Teuta nuk nënvlerësohen dot, pasi kanë treguar gjatë këtij sezoni, sidomos dy të parat, që edhe pse kanë kaluar periudhë të vështirë, dinë se si t’i tregojnë “dhëmbët” çdo kundërshtari, duke arritur fitore të njëpasnjëshme, në rastin e Vllaznisë, e fitore delikate edhe pse teke, në rastin e Flamurtarit.

Punimet në stadiumet shqiptare, 2015-a vit i mbarë

 Duket se çdo ditë e më shumë, stadiumet po vihen në qendër të vëmendjes në sportin shqiptar, por tanimë jo për kushtet e këqija (edhe pse disa janë të tillë), por për zhvillimet në punimet e shumë prej tyre. Në 2014-ën pamë se si “Elbasan Arena” mori formë për tu bërë “shtëpia” e Kombëtares, një stadium i bukur dhe shumë cilësor, që i përgjigjej nivelit që kërkonte edhe vetë UEFA. Ndërkohë që po gjatë 2014-ës u bënë shumë premtime për rregullime të reja dhe premtimi më i madh është padyshim rikonstruksioni i “Loro Boriçit”, për ta bërë edhe këtë të denjë për standardet e UEFA-s. Ndërkohë që është bërë me dije edhe disa kohë më përpara se “Selman Stërmasi” do të kalojë në një rikonstruksion të pjesshëm, për të ndaluar shkatërrimin e një stadiumi që sigurisht është përdorur shumë dhe duhet të përdoret gjithashtu. Ishte klubi i Tiranës që nisi gjithçka, duke financuar që ta kenë gati këtë stadium për vete. Ndërkohë që me bashkëpunimin e skuadrave kryeqytetase Tirana dhe Partizani, do vihet dorë edhe në tapetin e “Qemal Stafës”, që për fat të keq ka ngecur në vend numëro sa i përket projektit që ishte parashikuar për ta vënë edhe këtë stadium para “forcave” të rikonstruksionit. Tapeti i ri do të përfundohet në harkun kohor të 10 ditëve, duke zëvendësuar të vjetrin që ishte pothuaj aspak në kushtet për të pritur një ndeshje normale futbolli. Ashtu edhe siç vihet re, ka filluar të vihet theksi më shumë tek kushtet minimale që duhet të ketë çdo ekip, e një nga këto është edhe pasja e një stadiumi që të paktën të mund të quhet normal. Futbolli i bukur, për tu bërë i tillë, ka hallka dhe çdo gjë është e lidhur me zinxhir, pasi pa infrastrukturë sportive nuk do të ketë rezultate dhe zhvillim në asnjë fushë të sportit. Pak e nga pak, në stadiumet e çdo klubi në Shqipëri po vihet dorë, duke e bërë edhe më të këndshme panoramën e çdo ndeshjeje, e sigurisht më frytdhënëse

Emir Lenjani i bashkohet Rennes në Francë

 Falë talentit të tij të padiskutueshëm dhe paraqitjeve shumë të mira me klubin e tij St. Gallen dhe me Kombëtaren shqiptare, Lenjani ra në sy të shumë klubeve europiane, ku kërkohej me ngulm prania e tij në kampe të ndryshme. Duket se pas shumë ofertash të bëra. Lenjani më në fund e ndau mendjen që t’i bashkohej klubit të Rennes në Francë, duke lënë pas gjithë kërkesat që i vinin nga SerieA dhe Bundesliga. Në fakt, klubi francez duket një lëvizje e zgjuar për shqiptarin, duke parë që ndodhet në vendin e 8-ë me 28 pikë, e me pak punë mund t’ia dalin që në fund të sezonit të arrijnë edhe përfshirjen në një prej turneve europian. Ky kalim, e bën Lenjanin të vetmin futbollist të Kombëtares Shqiptare që luan aktualisht në kampionatin francez të futbollit.