Sulejman Starova: “Final 4” një eksperiancë e bukur, skuadrat kanë përfituar

27

INTERVISTA/ Specialisti i futbollit shqiptar Sulejman Starova, e vlerëson pozitive skemën e re në Superiore

Sigal

Agron KAJA

Janë luajtur tre ndeshje me skemën “Final 4”, kjo formulë e Superiores sa e ka tërhequr vëmendjen e tifozerisë?

Natyrisht që këto ndeshjet e luajtura kanë tërhequr vëmendjen e tifozerisë (dy të  parat), por edhe të atyre specialistëve të futbollit, apo të gazetarëve që ishin skeptikë. Tifozeria ka qënë normale, edhe pse Egnatia nuk ka shumë tifozë, por Partizani besoj se në finale do thyejë rekord me tifozët.

Ju si i përshkruani teknikisht tre ndeshjet e luajtura deri tani në “Final 4”?

Të gjitha skuadrat kanë përfituar nga “Final 4”, si nga ana financiare, ashtu edhe në aspektin teknik e psikologjik. Unë e mendoj si një eksperiancë të bukur jo vetëm për katër skuadrat pjesëmarrëse, por për gjithë Superioren. Përvojë që do shërbejë pozitivisht.

Për të qënë më konkret, ju cilën nga tre ndeshjet gjysmëfinale të luajtura, e veçoni në treguesit më të mirë të tyre?

Seicila ka analizën e saj. Në të parën Skënderbeu nuk e shfaqi veten si në kampionat dhe Partizani si superior, ndërsa Vllaznia luajti me dinjitet me Egnatian. Ndërsa në sfiidën e tretë Skënderbeu-Vllaznia 3-2, korçarët ishin më të motivuar, shkodranët mbetën në hije.

Në 270 minutat zyrtare të luajtura, për ju kishte elementë të veçantë që “çaluan” me këtë skemë?

Unë mendoj se si fillim, ka qënë një nisje shumë pozitive për elitën e futbollit tonë. Një analizë natyrisht që edhe do të bëhet, por kjo mbetet për në fund, pasi të kemi parë edhe finale Egnatia-Partizani, sepse do kemi edhe kampionen me skemën e re.

Dje Skënderbeu diskutoi vëndin e tretë me Vllazninë, por nisur nga vazhdimi i dënimit të tij nga UEFA, mos duhej shmangur skuadra korçare?

Së pari, unë do të thoja se Skënderbeu duhet falenderuar që zhvilloi një garë me dinjitet dhe u rendit i treti në katër skuadrat më të mira. Pse duhej të shmangej? Kjo është e qartë, dënimi i UEFA-s vazhdon dhe në renditje përfiton vëndi i pestë, Tirana.

Nesër luhet finalja Partizani-Egnatia për titullin, si një ish-partizanas, çfarë parashikimi mendoni?

E mendoj një finale të bukur mes dy skuadrave më të mira në Abissnet Superiore. Janë të denja të dyja për ta fituar këtë finale, në të cilën do të dëshiroja që të ketë më shumë tifozë, por edhe dashamirës të tjerë të futbollit. Pres finale elite.

Në këtë periudhë vëmendja ka marrë edhe Kombëtarja, pse Silvinjo nuk e publikoi listën e Europianit, si shumica e skuadrave të tjera në Europë?

Nuk është problem fare që ende nuk është bërë publike lista e Kombëtares për dy miqësoret me Litehshteinin dhe Azerbaixhanin. Sepse Silvinjo kërkon më shumë informacion për të gjithë lojtarët, me të cilët ai është në kontakt periodik.

Çfarë mendoni se do dalë prej dy miqësoreve që Kombëtarja do të luajë në filimin e muajit qershor?

Në të dyja miqësoret trajneri do krijojë ide më të qarta për çdo futbollist që do ta grumbullojë. Mbi bazën e formës që do të tregojnë futbollistët që do të aktivizohen, mendoj se trajneri do ta formatojë formacionin që ta ketë gati për Europian.

Duke qënë se jemi në pragun e Europianit “Gjermani 2024” (edhe 21 ditë), ku e mendoni Shqipërinë në këto finale?

Unë në këtë parashikim dua që të jem me këmbë në tokë. Me aq sa mendoj dhe aq sa e kemi parë Kombëtaren kryesisht në ndeshjet eliminatore në grup, do  mendoja tre barazime. Dhe kjo do jetë e bukur, sepse kemi skuadër që nuk na mundin kollaj.

 

FSHF dhe “Ujë Tepelene” në bashkëpunimin 20 vjeçar

Asambleja e Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së do të zhvillohet të hënën më 27 maj në “Shtëpinë e Futbollit”, por tre ditë para saj, FSHF-ja ka nënshkruar kontratën e re të bashkëpunimit me sponsorin “Ujë Tepelene”. Presidenti Armand Duka dhe CEO i Ujë Tepelene, Luka Busi, firmosën kontratën e re të rinovimit. Kjo vjen në një moment të rëndësishëm, pasi Kombëtarja jonë po përgatitet të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Futbollit. Bashkëpunimi mes tyre mbetet nga më të frytshmet në futbollin shqiptar, pasi vazhdon prej 20 vjetësh.

SKËNDERBEU-VLLAZNIA

Hyrja falas në stadium, Skënderbeu mund Vllazninë

Sfida e djeshme për vëndet 3 dhe 4 në renditjen e Superiores 2023-2024, Skënderbeu-Vllaznia 3-2, së pari duhet thënë se u luajt me një minorancë tifozerie, dhe me hyrje falas në stadium. Edhe pse kështu, korçarët arritën të fitonin, madje me tre gola që në pjesën e parë, ndërsa shkodranët mbetën në hijen e tyre. Por Vllaznia do luajë në UEFA Konferencë Ligë, sepse Skënderbeu vazhdon dënimin nga UEFA dhe ky ndoshta ishte edhe shkaku kryesor që “Air Albania” dje dukej i zbrazët në shkallët e tij. Korçarët renditen në vëndin e 3-të e shkodranët në të katërtin, duke e lënë të hapur të shtunën garën për titullin kampion Partizani-Egnatia.

 

ABISSNET SUPERIORE

VERDIKTET 2023-2024

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia    (F4)   36      63

2.Partizani   (F4)   36      63

3.Vllaznia   (F4)   36      59

4.Skënderb. (F4)   36      51

5.Tirana                36      50

6.Teuta                 36      50

7.Dinamo City      36      47

8.Laçi          (P-O) 36      46

9.Erzeni      (K1)  36      32

10.Kukësi   (K1)  36      27

NDESHJET “FINAL 4”
E premte, 17 maj 2024

Partizani-Skënderbeu      1-0

Kualifikohet Partizani 

E dielë, 19 maj 2024

Egnatia-Vllaznia             0-0

Kualifikohet Egnatia                 

Për vendin 3 dhe 4

E premte, 24 maj 2024

Skënderbeu-Vllaznia      3-2

Skënderbeu në vëndin e 3-të

Finalja e “Final 4”

E dielë, 26 maj 2024

Partizani-Egnatia            19:00

 

NESËR FINALJA PARTIZANI-EGNATIA

Skuadrat po përgatisin “kurthet”, kanë edhe dilemma

Dje në mbrëmje u luajt ndeshja finale për vëndet 3 dhe 4 në “Final 4” të Superiores, Skënderbeu-Vllaznia 3-2, ndërsa të dielën do të luhet ndeshja finale, nga ku do të dalë skuadra kampione e Superiores për sezonin 2023-2024. Dy skuadrat, Partizani dhe Egnatia kanë ditë që kanë nisur përgatitjet për këtë sfidë, dhe situatat në të dy kampet janë të veçanta. Partizani ka dyshime për sulmin, ku Cara ka mundësinë për ta nisur si titullar, por ka edhe një dyshim në krahun tjetër mes Bintsukës, Kekos dhe Skukës. Ndërsa Mba është i sigurt në sulm, pjesa tjetër është qartë ku mund të kemi edhe një vendosje 4-2-3-1. Ndërkohë, Egnatia ka disa ditë e grumbulluar në zonën e Malit të Robit pranë detit Adriatiku. Trajneri Edlir Tetova është në dilemën se si do ta vendosë skuadrën në fushën e lojës. Me modulin 4-3-3 do rikthehet si titullar Sebastjan Spahiu, i cili nuk ka luajtur rregullisht në javët e fundit.