Specialisti i futbollit Stavri Nica: Nuk më bind sëmundja e vjetër; problemi fizik i lojtarëve

SUPERIORE/ Specialisti i futbollit Stavri Nica, tregon se ka nisje me presion sikur po mbyllet kampionati

Agron KAJA

Janë luajtur dy javët e para të Superiores, çfarë veçoni si dukuri më pozitive?

NOA

Unë i kam ndjekur të gjitha ndeshjet në dy javë, kryesisht skuadrat e kreut. Kam ndjekur rolin e mesfushorit, që ndërton lart dhe e kam parë këtë përshtatje te Partizani, te Skënderbeu etj. Ka një pragmatizëm për lojtarin e veçantë, play-maker.

Nisur nga rezultatet, si e përshkruani performancën e skuadrave në ndeshjet e kësaj jave?

Sigurisht që loja e kështjellës duhet njohur mirë, kur skuadrat mblidhen prapa, ku vuajnë të gjitha skuadrat. E kanë filluar me një përgjegjësi e presion, sikur po mbyllet kampionati! Skuadrat nuk janë të kolauduara, ju duhet kujdes, qetësi dhe orientim.

Krahasuar me ndeshjet e javës së parë, shikoni ndonjë ndryshim pozitiv në shënimin e golave në javën e dytë?

Si pozitive unë shoh një gjëndje të mirë në lojë, por nuk më bind problemi fizik i lojtarëve, një sëmundje e vjetër kjo në përgatitjet e futbollit shqiptar. Shënimi i golave erdhi në rritje si numur, por nuk po vijnë nga spektakli dhe loja e mirë.

Në 180 minutat e para janë marrë 48 kartonë të verdhë dhe 3 të kuq, çfarë tregues janë këta për garën?

Kjo tregon se elementi i ndërhyrjes është shumë i  ashpër dhe i gabuar nga pjesa më e madhe e lojtarëve. Me atë çka shohim në fushë, arbitrat edhe mund të japin më shumë kartonë, që të binden lojtarët për ndërhyrjet e tyre gjatë lojës.

Rregulli i paraqitjes vetëm i kapitenit të skuadrës te arbitri, si u aplikua në dy javët e para të Superiores?

Ky është një rregull i mirë që i shërben futbollit, por akoma nuk është arritur ambientimi i duhur me të. Sepse lojtarët ende nuk janë mësuar dhe kanë maninë e të folurit shumë me arbitrin a thua se të gjithë janë specialist dhe kapitenë.

Si ka qënë pjesëmarrja e tifozerisë në stadium në dy javët e para të Abissnet Superiore?

Gjithmonë tifozët kërkojnë që skuadrat e tyre të kenë rezultatet më të larta pa filluar kampionati. Ata bëjnë mirë, por unë nuk jam i kënaqur me praninë e tyre. Elbasani, Egnatia e Tirana po japin shënja të mira në këtë drejtim, por ende nuk janë ku duhet.

Mbetet i ngarkuar muaji gusht, ku në një mot të nxehtë tre javë kampionat e brenda tij zhvillohet merkato?

Janë tre javë shumë të ngarkuara, ku veç temperaturave të larta, nuk merren ngarkesa të larta dhe në ndeshje, ku nuk mund të japësh maksimumin. Këtu trajnerët ndoshta nuk i marrin parasysh ato se çfarë ata duhet të ndryshojnë në procesin stërvitor.

Pas javës së tretë kampionati do ndërpritet pasi luan Kombëtarja, si dhe sa ndikon kjo te lojtarët për ecurinë e garës?

Natyrisht që ndërprerja e kampionatit për 11 ditë ndikon, sepse do ulet ritmi te lojtarët. Do jetë një hapësirë, që duhet menduar jo vetëm mbajtja e ritmit, por edhe forma e lojtarëve që vijnë me ngarkesa nga fazat përgatitore që kanë zhvilluar.

 

Sot mbyllet zyrtarisht merkato

Data 31 gusht është mbyllja zyrtare e merkatos së verës për Abissnet Superioren 2024-2025. Të gjitha skuadrat kanë bërë 229 lëvizje, ku janë kryer 98 veprime në dalje dhe 131 veprime në hyrje. Bylis ka bërë më shumë lëvizje, 31, më pak Laçi me 12.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 3

Datë 31 gusht 2024

Laçi-Bylis        17:00

Skënder-Vllaznia        20:00

Teuta-Partizani            20:00

Datë 1 shtator 2024

Tirana-Egnatia             17:00

Dinamo-AF Elbas       20:00

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Egnatia                     2          6

2.AF Elbasani  2          4

3.Vllaznia                    2          4

4.Partizani                   2          3

5.Bylis                         2          3

6.Teuta                        2          3

7.Tirana                       2          2

8.Skënderbeu              2          1

9.Laçi                          2          1

10.Dinamo City            2          0

 

PËRGATITJE – NDESHJE – MERKATO

Skënderbeu bllokon Dumfur, do presë 6 muaj

Skuadra korçare e Skënderbeut kërkon që të mos nxitohet me lëvizjen e lojtarëve të saj, të cilët i mendon të gatshëm për këtë sezon të ri. Njëri prej tyre është Randi Dumfur, i cili do të vijojë të jetë lojtar i Skënderbeut edhe për këtë sezon. Për të dytin vit radhazi, ganezit i dështon transferimi në një ekip tjetër, ku edhe këtë herë është detyruar të bëjë prapakthehu. Dumfur pretendonte ta vazhdonte karrierën në futbollin e Arabisë Saudite, por mbojtësi është rikthyer për të respektuar kontratën me Skënderbeun, e cila mbyllet pas gjashtë muajve. Drejtuesit e Skënderbeut e kanë mirëpritur një rikthim të tij në ekip, duke i parashtruar si kusht zgjatjen e kontratës edhe për një sezon e gjysmë. Rikthimi i tij ka bërë që Skënderbeu të heqë dorë nga merkatoja për një tjetër mbrojtës, për të kompletuar repartin e prapavijës, që me këtë rikthim duket i plotësuar.

Egnatia më e shpejtë, Ujka kalon te rrogozhinasit

Merkato për Egnatian u “nxeh” në limitet e saj. Sepse dje është realizuar një “aksion” shumë I shpejtë nga drejtuesit e skuadrës rrogozhinase. Kësisoj, Egnatia rrëmben Serxho Ujkën, bind Laçin dhe lë thatë Partizanin. Një lëvizje surprizë kjo, që ka bërë të pavlefshme bisedimet që mesfushori laçian kishte bërë me drejtuesit e skuadrës së Partizanit. Ai ishte pranë akordit me “Demat”, por në fund zgjodhi kampionët, edhe pse prej muajsh klubi rrogozhinas e kishte përgatitur këtë transferim, por që hasi vështirësi te Laçi, i cili nuk e lëshonte kapitenin për disa probleme në kontratë. Kështu, dje në mesditë ka qënë Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, i cili ka bërë edhe prezantimin e Serxhio Ujkës, pasi kishte siguruar firmën mesfushorit. Egnatia do të paguajë plot 100 mijë euro në arkat e Laçit,  ndërsa Ujka firmosi një kontratë 3-vjeçare.