Skënderbeu-Teuta, sfida që hap ose mbyll kampionatin

510
Sigal

  Flamurtari shpreson në një hap fals të durrsakëve në Korçë, për të kapur vendin e dytë në Superligë

 Java e 20-të e Kategorisë Superiore propozon superduelin Skënderbeu-Teuta, sfidën midis dy skuadrave të para të Superligës, por me korçarët që kanë një avantazh prej +11 pikësh ndaj durrsakëve. Një fitore e kampionëve në fuqi do t’i jepte fund edicionit, përsa i përket titullit, pasi nga përfundimi i sezonit do të luhen edhe gjashtë ndeshje. Në ndeshjen e fazës së parë, të luajtur në “Niko Dovana”, Skënderbeu fitoi 2-0, me golat e realizuar nga Pejiç dhe Tomiç. Skënderbeu ka humbur vetëm një ndeshje në shtëpi, atë me Vllazninë (0-1), në javën e parë të fazës së dytë (e vetmja humbje në këtë kampionat), ndërkohë që Teuta ka humbur tri nga nëntë ndeshjet në transfertë. Në pesë takimet e fundit, Skënderbeu ka dalë fitues, ndërkohë që kundërshtari i tij i sotëm ka fituar tre dhe në dy të tjera ka dalë barazim. “Kam bindjen se edhe ndaj Teutës do arrijmë një fitore bindëse. Duhet vetëm që të jemi të përqendruar dhe të qetë në rrugën tonë. Këtë vit na presin festime të mëdha në Korçë”, – tha për mediat presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj. Skëndërbeu është shumë pranë titullit të tretë rresht kampion, pas atyre në sezonet 2010-2011 (me trajner Shpëtim Duron), 2011-2012 (me trajner çekun Stanislav Levi). Teuta nuk humbet prej shtatë ndeshjes, nga ajo 2-1 me Laçin për javën e 12-të. Gjithsesi, në takimin e fundit të luajtur në Korçë, fituese doli Teuta me rezultatin 1-0. Flamurtari shpreson në një hap fals të Teutës në Korçë, e kombinuar edhe me fitoren ndaj Besës, çka do t’u jepte vlonjatëve vendin e dytë. Trajneri Ernsest Gjoka do të ketë tri mungesa (Koliqin, Lenën dhe Zeqirin), por tekniku tiranas beson në fitoren ndaj kavajasve. Mesfusha e përbërë nga Muzaka, Bratiç, Telushi dhe Mici, do të jetë në mbështetje të Pepës dhe Memellit, ky i fundit është dhe golashënuesi më i mirë kampionatit me 16 gola, i ndjekur nga Muzaka po i Flamurtarit dhe Pejiç i Skënderbeut. Kavajasit vijnë pas dy fitoreve rresht dhe janë më të çliruar psikologjikisht. Në takimin e fazës së parë, Besa fitoi 1-0. Në ndeshjet e tjera, Luftëtari do të luajë shanset e fundit për mbijetesë ndaj një Bylisi që, më tepër e ka mendjen nga gjysmëfinalja e Kupës me Skënderbeun. Në rast se gabon ndaj Laçit, Apolonia është matematikisht e rënë në Kategorinë e Parë. Kukësi pret Shkumbinin, ndërsa të dielën do të luhen Kastrioti-Tirana dhe Vllaznia-Tomori.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XX

30.03.2013

Luftëtari-Bylis      14:00

Apolonia-Laçi        14:00

Kukësi-Shkumbini           14:00

Skënderbeu-Teuta           17:00

Flamurtari-Besa      17:00

31.03.2013

Kastrioti-Tirana           14:00

Vllaznia-Tomori      17:00

RENDITJA

1      Skënderbeu    19   +27  48

2      Teuta         19   +10  37

3      Flamurtari    19   +18  35

4      Kukësi        19   +8   33

5      Vllaznia      19   +4   29

6      Tirana        19   +2   29

7      Kastrioti           19   -2   28

8      Laçi          19   -2   27

9      Bylis         19   +5   25

10     Besa          19   -2   23

11     Luftëtari           19   -11  17

12     Shkumbini           19   -14  16

13     Tomori        19   -21  9

14     Apolonia      19   -22  8

  Pengesa e fundit e Partizanit quhet Pogradeci

 Partizani do luajë sot kundër Pogradecit, një prej rivalëve kryesorë për të kapur vendin e dytë, në luftën e gjatë për rikthimin në Kategorinë Superiore. Pas 22 javësh, të kuqtë e drejtuar nga Hasan Lika ndodhen në vendin e dytë me 43 pikë, pesë më shumë se liqenorët. Një rezultat pozitiv në Pogradec, përfshirë dhe barazimin, do ta konsolidonte akoma më shumë pozicionin e Partizanit kjo dhe për shkak të kalendarit të shtatë javëve të fundit. Trajneri Hasan Lika, duke folur për mediat tregoi respekt për kundërshtarin, por duke e vënë theksin tek gjendja e mirë psikologjike që po kalon skuadra e tij. “Po kalojmë një moment të mirë, ndërsa vijmë pas disa fitoreve rresht. Futbollistët gjithashtu po kalojnë një situatë të mirë psikologjike dhe fizike, pasi edhe ata që kishim të dëmtuar janë rikuperuar dhe do të jenë me grupin. Në Pogradec do të shkojmë të plotë, kështu që nuk kemi pse të mos synojmë më të mirën dhe të vazhdojmë rrugën drejt Superiores”.  Të kuqtë do të udhëtojnë drejt Pogradecit pothuajse të plotë. Partizani mbërriti dje në mbrëmje në Pogradec, ndërkohë që do të ketë mbështetjen e shoqatës së tifozëve “UltrasGuerrils”. Tre autobusë falas do të vihen në dispozicion nga klubi. Lushnja, që pret vetëm matematikën e pikëve që të shpallet kampion i Kategorisë së Parë, do të luajë në Fushë-Krujë kundër Ilirisë. Mamurrasi i vendit të tretë pret Kamzën, ndërsa Dinamo Adën. Ndeshje interesante pritet të jetë edhe Tërbuni-Elbasani.

KATEGORIA E PARË
Java XXII

30.03.2013

Himara-Besëlidhja

Gramshi-Naftëtari

Mamurrasi-Kamza

Pogradeci-Partizani

Iliria-Lushnja

Dinamo-Ada

Burreli-Butrinti

Tërbuni-Elbasani

1    Lushnja         22   +25  53

2    Partizani       22   +4   43

3    Mamurrasi       22   +9   39

4    Pogradeci       22   +11  38

5    Tërbuni         22   +13  36

6    Iliria          22   +5   32

7    Butrinti        22   -2   28

8    Dinamo          22   +0   27

9    Burreli         22   -1   27

10   Gramshi         22   -12  27

11   Himara          22   -3   26

12   Ada             22   -4   23

13   Besëlidhja      22   -6   22

14   Elbasani        22   -10  22

15   Kamza           22   -13  22

16   Naftëtari       22   -16  17

 Sulmuesi i Kombëtares shënoi një dopjetë kundër Shangai Shenxin

 Një Hamdi Salihi, me pesë yje në Kinë

  Hamdi Salihi është i lindur me “golin në këmbë”. Sulmuesi i Kombëtares shënoi dy gola për ekipin e tij, Jiangsu Sainty, në barazimin 2-2 kundër Shanghai Shenxin, në javën e tretë të kampionatit kinez. Shkodrani rikonfirmoi formën shumë të mirë sportive që po kalon tashmë, pasi braktisi ekipin amerikan D.S. Junaitid. Nëse i referohemi kronikës së kësaj ndeshjeje, vërejmë se miqtë kanë kaluar të parët në epërsi, në minutën e 51-të, por vetëm 7 minuta më vonë, Jiangsu ka fituar një penallti. Trajneri ia ka besuar Salihit ekzekutimin e 11-metërshit, ndërkohë që njeriu i atij eurogoli të fitores në Oslo për Shqipërinë nuk ka gabuar. Shangai Shenxin ka shënuar shpejt edhe golin e dytë, në minutën e 64-të, duke i vënë nën një presion të madh vendësit, që e shihnin veten në humbje deri në minutën e fundit të kohës së rregullt. Kur mendohej se ndeshja po shkonte drejt fundit me këtë rezultat, është dashur Hamdi Salihi që të kompletojë dopietën e tij personale dhe të barazojë përfundimisht shifrat. Vjen në këtë mënyrë goli i tretë i Hamdi Salihit në po kaq ndeshje të luajtura me Jiangsu Sainty në kampionatin kinez. Kujtojmë se shkodrani ka shënuar edhe në ndeshjen e “Champions League” të Azisë dhe në Superkupën e Kinës. Salihi ka një bilanc shumë pozitiv në Kinë: 5 ndeshje të luajtura, 5 golash të shënuar.

  Seleksionim talentesh në Zvicër

  Federata Shqiptare e Futbollit duket se ka filluar te merret më seriozisht me përzgjedhjen e talenteve shqiptarë që luajnë në botë. Një kamp përzgjedhës pritet të mbahet në fillim të muajit prill, më saktë me datat 31.03.2013 dhe 01.04.2013 në “Afoltern am Albis” 20 km larg Cyrihut në Zvicër. Në këtë grumbullim do t marrin pjesë lojtarë të lindur midis viteve 1995-1996 (U-17 vjeç) dhe 1997-1998 (U-15). Lojtarët kryesisht do të jenë nga ekipet zvicerane si FC Zürich, St.Gallen, Young Boys, Grasshopper, por ka edhe nga shtete të tjera në numër më të vogël. Në këtë grumbullim pritet të marrë pjesë edhe futbollisti shqiptar që luan tek të rinjtë e skuadrës së famshme franceze, PSG, mbrojtësi Ardian Krasniqi. Në këtë grumbullim pritet të marrin pjesë edhe dy trajnerët e Kombëtares U-17 dhe U-19, Xhemal Mustedanagic përkatësisht Foto Strakosha. Kjo është hera e dytë që FSHF-ja organizon një grumbullim për talentet në Zvicër.