Skënderbeu “rrëmben” kreun, Partizani “bie” në Shkodër

506
Sigal

Një fitore e dyfishtë për Skënderbeun që ia del të jetë më në fund në krye të renditjes, duke lënë pas vetes Kukësin që humbi ndaj Tiranës

Një javë e 26-të që pati si skuadra ‘mbretëresha’ ekipet e Tiranës, Skënderbeut dhe Apolonisë, ku arritën që të fitonin ndaj kundërshtarëve për të vendosur një tjetër renditje në klasifikimin e përgjithshëm. Tani, pas disa kohësh, vendi i parë i takon ekipit korçar të Skënderbeut, që me fitoren e djeshme në Vlorë dhe me humbjen e Kukësit në Tiranë, i hapen dyert vetes që të ishin “zot” të Superligës, të paktën për një javë. Surprizën tjetër e bën Partizani që la 3 pikë shumë të vyera në Shkodër, duke u larguar shumë nga kreu u kampionatit.

Skënderbeu “vë” veton në renditje

Një javë me fat kjo për Skënderbeun, që fituan një ndeshje të vështirë në Vlorë, e edhe pse 1-0 rezultati ishte i mjaftueshëm për të marrë 3 pikë, por ishin tre pikë që patën vlerën e 5 pikëve, nisur nga humbja që Kukësi pësoi ndaj Tiranës. Në ndeshjen e djeshme, Skënderbeu arriti që të tregonte forcën përballë një Flamurtari që po përpiqej të fitonte, si përgjigje e asaj situate që e zuri pas ndeshjes me Partizanin, ku futbollistët i paditën zyrtarisht nga vetë klubi në Prokurori për paravendosje rezultatesh. Duke u kthyer gjithmonë tek kryesuesit, ndeshja e djeshme vulosi një listë të gjatë rezultatesh pozitive për korçarët, që kishin si synim vendin e parë, e tani që ndodhen në krye ju mbetet vetëm të fitojnë çdo ndeshje, diçka që sigurisht është e thjeshtë të shkruhet por jo të bëhet.

Tirana “mbyt” Kukësin, rikthehet tek fitorja

Një fitore brilante e bardh e bluve që me gjithë vështirësitë që paraqiste ndeshja, ia dolën që të rikthehen tek fitorja, për më tepër përballë Kukësit, skuadra që deri dje vonë pasdite kryesonte renditjen e Superligës. Në qoftë se themi Tirana mori një fitore të merituar, të njëjtën gjë të lë të kuptosh edhe pjesa se Kukësi mori një humbje të merituar, pasi gjatë gjithë ndeshjes nuk ishin në nivelin e duhur për t’i bërë ballë Tiranës. Një dy golësh në pjesën e dytë, ose më saktë në 20 minutëshin e fundit, bëri llogaritë për Tiranën që tani e sheh prapë veten në një tjetër pozitë sa i përket kampionatit, duke qenë se është vetëm 4 pikë larg kreut dhe vetëm dy pikë larg Kukësit.

Vllaznia nuk ka harruar të fitojë, kryen detyrën ndaj Partizanit

Një Vllazni që dukej në prag të harrimit të fjalës “fitore”, duke qenë se kishin grumbulluar humbje pas humbjesh, e me largimin e trajnerit çdo gjë dukej se do të bëhej edhe më e vështirë për ekipin që t’i rikthehej qoftë fitoreve qoftë qëndrueshmërisë. Por siç duket Partizani është gjithmonë një ogur i mirë për shkodranët, pasi kujtojmë që edhe në fazën e dytë arritën që ta mundnin, e edhe dje një fitore 1-0 bëri diferencën për shkodranët, që kështu heqin përfundimisht çdo frikë për rënie nga kategoria. Nga ana tjetër, humbja e Partizanit vjen në një nga kohët më të papërshtatshme, duke humbur kështu shumë terren ndaj ekipeve të tjera, ku me      Skënderbeun i  ndajnë plot 7 pikë, e nuk janë pak për një ekip që pretendon të shpallet kampione në fund të sezonit.

 Apolonia “merr” krahë, mund edhe Teutën

Nëse ishim mësuar të shihnim një Apoloni që grumbullonte vetëm humbje, është koha që ta ndryshojmë këtë mendim, pasi së fundmi skuadra fierake ka arritur që të grumbullojë dy fitore rresht, e këto dy fitore janë pikërisht ndaj dy skuadrave kundërshtare për qëndrimin në Superligë. Një fitore ndaj Elbasanit dhe e djeshmja ndaj Teutës mbyllin një javë të suksesshme për skuadrën fierake, që tani e gjejnë veten vetëm 3 pikë larg Teutës, tre pikë që nuk duke më aq shumë sa më përpara. Në të tre skuadrat që rrezikojnë për të rënë nga kategoria, Apolonia është ajo që ka treguar një nivel shumë më të mirë, jo sa i përket fitoreve apo barazimeve, por sa i përket përqendrimit dhe seriozitetit më të cilin kanë luajtur çdo takim të mundshëm, paçka se mund edhe të kenë dalë të mundur nga shumica e ndeshjeve të luajtura.

Laçi lë përsëri pa shpresë Elbasanin

Fitorja e radhës për Laçin, fitore që këtë radhë nuk vjen ndaj ekipeve të forta por ndaj Elbasanit, duke kaluar kështu edhe këtë pengesë të radhës, pengesë që e kaloi me rezultatin 2-0, duke mos e llogaritur aspak kampin kundërshtar. 5 fitore radhazi flasin shumë për ecurinë e kurbinasve, që duket nuk po gjen një rival të denjë këtë fazë të tretë, duke përbërë rrezik për çdo ekip.

1 Skënderbeu 26 16 6 4 54
2 Kukësi 26 16 4 6 52
3 Tirana 25 15 5 5 50
4 Partizani 25 14 5 6 47
5 Laçi 25 12 8 5 44
6 Flamurtari 25 9 7 9 34
7 Vllaznia 26 10 3 13 30
8 Teuta 26 6 1 19 19
9 Apolonia 26 4 4 18 16
10 Elbasani 26 4 1 21 13

 Takimet e luajtura dje

Elbasani 0-2 Laçi

Apolonia 2-1 Teuta

Vllaznia 1-0 Partizani

Tirana 2-0 Kukësi

Flamurtari 0-1 Skënderbeu

 Sopoti imiton Flamurtarin, përjashton mbrojtësin Bella për tolerim ndeshjesh

Një situatë që po merr përmasa në çdo kategori të futbollit shqiptar, paraqitet kjo e përjashtimit të futbollistëve, pasi drejtuesit e klubit gjykojnë se lojtarët tolerojnë ndaj kundërshtarëve. Kjo situatë, nëse mund të quhet e tillë, ka prekur edhe Sopotin që kohët e fundit nuk po shkojnë mirë me rezultatet, ku edhe në ndeshjen e fundit ndaj Shkumbinit, që u ndanë barazim, faji ra mbi një lojtar, e pikërisht mbrojtësin Aldo Bella, i cili është përjashtuar nga skuadra pasi klubi dyshon se ky i fundit ka bërë tolerim ndaj kundërshtarit në ndeshjen e ditës së shtunë.

 De Biazi i përgjigjet Avidjajt, e viziton tek ekipi i tij në Austri

Para pak kohësh, babai i futbollistit të talentuar Avdijaj, replikonte në media për faktin se Federata Shqiptare e Futbollit nuk është bërë aspak e gjallë sa i përket interesit të djalit të tij Donisit, që ky i fundit të përfshihet me Kombëtaren Kuq e Zi. Por siç duket, fjalët kanë arritur drejt një fundi, e për të mbyllur këto hendeqe të supozuara, ka menduar vetë trajneri i Kombëtares, De Biazi, që ka vizituar futbollistin në ndeshjen që ky i fundit ka luajtur për Sturm Gracin. Avdijaj është shprehur pas ndeshjes për takimin që pati me trajnerin dhe gjasat që ky të përfshihet në Kombëtaren e parë, pikërisht në ndeshjen me Armeninë, më 29 mars. “Mbrëmë pas lojës që zhvilluam kam pasur takim me trajnerin e Shqipërisë, De Biasin. Më vjen mirë që ka marrë rrugë deri në Austri për t’u takuar me mua. Trajneri më ka treguar projektin e Shqipërisë dhe më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë biseda që pata me të. I kemi bërë pyetje të ndryshme njëri-tjetrit për të ardhmen dhe ta shikojmë se si do të rrjedhin gjërat”. Futbollisti 18 vjeçar tregoi se ka dëshirë për të luajtur për Kombëtaren, por jo çdo gjë varet nga ai, e në vazhdimin e intervistës u vu re gjuha e qartë shqipe që fliste.  Djaloshi i “artë” i Shalkes ka një ftesë edhe nga Kombëtarja gjermane U21, por mbetet për tu parë se cili do të jetë vendimi i futbollistit 18 vjeçar dhe mjaft të talentuar.