Skënderbeu, “kalorësi” në futbollin shqiptar edhe në Evropë

710
Për sezonin e kaluar futbollistik 2016-2017, nuk është Kampion, por në këtë vit kalendarik, Skënderbeu i Korçës u bë “kalorësi” i futbollit shqiptar. Më parë me përfaqësimin e tij dinjitoz në Evropë, e më pas, me kryesimin e renditjes në Kategorinë Superiore, në gjysmën e parë të sezonit 2017-2018. Skuadra korçare hyri në këtë vit kalendarik që po mbyllim, me një “goditje” që i dha drejtësia sportive dhe FSHF-ja, duke ia hequr titullin kampion 2015-2016, sipas tyre, për trukime ndeshjesh, por që edhe sot në këtë fundviti ende nuk është vërtetuar zyrtarisht. Gjithsesi, Skënderbeu e vazhdoi betejën në fushën e lojës, dhe për këtë performancë që ka treguar gjatë këtij viti kalendarik, vlen jo vetëm të veçohet, por edhe të thuhet se sot për sot, është skuadra më e mirë, më profesioniste në futbollin shqiptar. Nga porta, në vijën e sulmit, te skuadra korçare janë futbollistë që po bëjnë emër në Evropë. 40 vjeçari Orges Shehi, portieri më veteran dhe më “legjendar” në historinë e futbollit shqiptar ndër vite, është futbollisti që te Skënderbeu po shënon rekorde, të cilat askush që ka luajtur me një skuadër shqiptare nuk i ka menduar, dhe jo më ti ketë arritur. Ka gjashtë sezone që luan në katërkëndorin e skuadrës korçare, dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë një ndër tre portierët e Kombëtares shqiptare të futbollit. Ky është portieri Shehi, i cili së bashku me skuadrën e tij, duke u renditur në vendin e 3-të në sezonin e kaluar 2016-2017, morën pjesë në ndeshjet e UEFA Evropa Ligë. Pasi eliminoi tre skuadra në turet eliminatore, Skënderbeu hodhi hapin e madh, teksa në fazën play-off eliminoi një skuadër të madhe evropiane, Dinamon e Zagrebit. Kjo ishte pedana e kalimit në fazën e grupeve, ku në gjashtë ndeshjet fitoi vetëm 1, barazoi 2 dhe humbi 3 të tjerat, me golavarazhin 6:10. Edhe pse kështu dhe me këtë bilanc, Skënderbeu mbetet skuadra e vetme shqiptare që luan me kaq prestigj në Evropë, ndërkohë që në vazhdim të këtij viti kalendarik, kryeson tabelën e renditjes në Kategorinë Superiore. Skuadra korçare ka në përbërje lojtarë cilësorë, ka në bankinën e këtij viti kalendarik një nga trajnerët më të mirë në futbollin shqiptar të kohës, tiranasin Ilir Daja, e mbi të gjitha, në këtë vit kalendarik Skënderbeun e drejton si President, Ardian Takaj, i cilësuar si “mjeshtër” i menaxhimit të kësaj skuadre të madhe.
Nga porta, në vijën e sulmit, te skuadra korçare janë futbollistë që po bëjnë emër në Evropë. 40-vjeçari Orges Shehi, portieri më veteran dhe më “legjendar” në historinë e futbollit shqiptar ndër vite, është futbollisti që te Skënderbeu po shënon rekorde
Ndeshjet e Skënderbeut
Datë 14 shtator 2017 
Dinamo K-Skënderb. 3-1
Datë 28 shtator 2017 
Skënderbeu-Jang B 1-1
Datë 19 tetor 2017 
Skënderbeu-Partizan 0-0
Datë 2 nëntor 2017 
Partizan-Skënderbeu 2-0
Datë 23 nëntor 2017
Skënderbe.-DinamoK 3-2
Datë 7 dhjetor 2017 
Jang B-Skënderbeu 2-1

BILANCI
Nd 5, F 1, B 2, H 3, G 6:10
Sigal