Shqipëri-Norvegji përfundon në “tregun e zi”

446
Sigal

Organet e specializuara kanë ndërmarrë në “fshehtësi” investigime, për të hetuar kontrabandistët e biletave

Edhe pse Shqipëri-Norvegji (1-1), u luajt dhe përfundoi një javë më parë në “Qemal Stafa” (7 qershor), ajo ende vazhdon të “luhet” në një ambient tjetër, në atë të organeve të specializuara, përfshirë krimin ekonomik. Kjo për shkak të trafikimit në “tregun e zi”, me çmime disafish me të shtrenjta të biletave të ndeshjes së gjashtë kualifikuese të Botërorit për Kombëtaren tonë, në një prej ndeshjeve më të ndjekura në dhjetë vitet e fundit. Barazimi dinjitoz 1-1 i Shqipërisë me Norvegjinë, për shkak të një goli të realizuar nga Tom Hogli në minutën e 87-të, në një nga stadium të shitur tërësisht – 16 500 shikues ishin në “Qemal Stafa”, përveç kënaqësisë së vendit të dytë në grupin E dhe vazhdimit të ëndrrës për Botërorin e Brazilit, pati edhe anën e shëmtuar të saj. Edhe pse Federata Shqiptar e Futbollit, organizatorja e ndeshjes, premtoi se do të merrte masa të jashtëzakonshme ndaj trafikantëve të biletave, madje deklaroi se do të denonconte për kallëzim penal çdo rast që ajo të konstatonte, çmimet në “tregun e zi” arritën kulmin, në katër ditët që u shitën biletat: 4, 5, 6 dhe 7 qershor. “Data e vonuar e daljes në treg te biletave lidhet vetëm me mbrojtjen që FSHF-ja do t’i bëjë publikut dhe tifozëve të shumtë nga “tregu i zi”, pra nga ata abuzues që i blejnë biletat me qëllimin e vetëm për t’i rishitur ato me çmime më të shtrenjta. Çdo biletë ka të shtypur mbi të çmimin dhe çdo vlerë tjetër e ndryshme nga ajo mbi bilete është një abuzim që duhet denoncuar pranë organeve kompetente. Gjithashtu, sugjerojmë të gjithë tifozët që të jenë shumë të kujdesshëm edhe ndaj fenomenit te falsifikimit të biletave. Biletat e prodhuara nga FSHF kishin elemente sigurie të dukshëm dhe padukshëm me sy të lirë”, – u tha në një komunikatë të FSHF-së, disa ditë para zhvillimit të ndeshjeve. Por, realiteti foli krejt ndryshe. Gjithçka erdhi edhe si pasojë e një numri tepër të limituar të biletave të dala në treg, rreth 7000 të tilla, e që i përkisnin thuajse dy tribunave anësore, C dhe A. Më shumë se 65 për qind e biletave të “zgjedhura” të impiantit ndërkombëtar, që u përkitnin tribunave A dhe B (me çmimin 8 mijë lekë), ndërkohë që sektorët më të largët të këtyre tribunave kishin çmimin 5 mijë lekë. Tribunat përballë, D2 kishte vlerën e 3 mijë lekë, ndërsa D1 dhe D3 nga 2 mijë lekë. Në fakt, kriza e biletave u ndje qysh në ditën e parë zyrtare të shitjes, pra në datën 4 qershor. Qindra tifozë kanë pritur me orë të tëra pranë sportelit të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, për të siguruar një biletë për ndeshjen kundër Norvegjisë. Pamjet ishin të pazakonta, pasi tepër rrallë është parë një interesim të tillë, ku flitet për 65 mijë kërkesa për një stadium që numëron vetëm 16 500 vende të ulura. Në fakt, vetëm 7 mijë bileta janë në dispozicion të tifozëve në dy sporteleve miratuara, në “Qemal Stafa” dhe te “Rruga e Barrikadave”, pasi rreth 10 mijë, sipas institucionit të Federatës së Futbollit, u shitën përmes sistemeve online, ose kërkesave të institucioneve të ndryshme, gjë rezultoi paksa e dyshimtë, nisur edhe nga fakti se shumë individë kishin nëpër duar me dhjetëra bileta. Sasia e limituar të biletave që ka dalë në shitje, të paktën sasia e parë ishin disa qindra bileta që u shitën brenda disa minutave. Me shumë gjasa një pjesë e tyre e destinuar për në të ashtuquajturin “treg të zi”. Gjithsesi, një gjë është e qartë: fitimet që FSHF-ja do të ketë nga biletat janë një shumë e konsiderueshme. Përafërsisht janë 400 mijë dollarë që u përfituan nga Federata Shqiptare e Futbollit, nisur nga një përllogaritje e çmimeve të publikuara të biletave, por “tregu i zi”, mund ta ketë çuar këtë shifër në rreth 700-800 mijë dollarë, pasi një pjesë e mirë e biletat “në tregun e zi” u shitën me dy-tre apo dhe katërfishin e çmimit zyrtar. Gjatë ditës së ndeshjes (7 qershor), u panë individë, që të ofronin biletat deri në 100-120 euro (rreth 14-16 mijë lekë) për të siguruar një biletë të tribunës A ose B, që vlen 8 mijë lekë, pra gati dyfishin. Duhet të kujtojmë faktin se, sipas një njoftimi të FSHF-së, tribunat qendrore, ato A dhe B (të mbuluarat), pra rreth 700 prej tyre nga 1250 që janë vende në total, ishin prenotuar nga administrata shtetërore dhe politikanë. Kriza për bileta dhe dëshira për të parë “live” në stadium Kombëtaren, bëri që një biletë e tribunës C dhe E, pra atyre prapa portave të ofroheshin në treg me deri në gjashtëfishin e tyre. Pra, nga 500 lekë që kishin çmimin zyrtar, ato o ofruan në treg deri në shumat 3000-3500 lekë. Tribuna qendrore për karshi, pra D2, me çmimin zyrtar 3000 lekë shitej deri në 70 euro, pra 10 mijë lekë, më shumë se trefishin e çmimit. Shumë persona kanë pasur në dorë shumë bileta, duke qëndruar në rrugët që të çojnë në stadium, madje duke ia ofruar biletat çdo kalimtari të zakonshëm. Në fakt, interesimi i fortë i tifozëve, sidomos atyre nga Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë, por edhe diasporës, krijoi edhe premisat e tregut të zi. Ashtu siç pritej, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” u ngjyros kuqezi, ku tifozët kishin mbushur shkallët e tij për të mbështetur kombëtaren në ndeshjen me Norvegjinë. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, ndërsa në fushë të besuarit e Xhani De Biazit dhanë gjithçka, emocione, gol, raste, shtyllë, por që në fund e pësuan nga një goditje këndi, specialitet i kundërshtarëve, duke e mbyllur sfidën në barazim 1-1, por të gjithë do ta mbajnë mend si ndeshjen të cilën e fitoi “tregu i zi”. Nëse mediat u morën gjerësisht me rastin e biletave, duke transmetuar edhe kronika “live” të shitësve të tregut të zi, thuhet se nga organet e specializuara dhe sektori i krimit ekonomik janë ndërmarrë investigime, për të hetuar “kontrabandistët me kollare” prej të cilëve besohet se është kryer edhe furnizimi i tregut me bileta të destinuara për “tregun e zi”.

ÇMIMET E BILETAVE

Tribuna Qendrore A+B

Zyrtare: 8 mijë lekë (kat.1)

Tregu i zi: 15-20 mijë lekë

Tribuna Qendrore A+B

Zyrtare: 5 mijë lekë (kat.2)

Tregu i zi: 10-15 mijë lekë

Tribuna D2

Zyrtare: 3 mijë lekë

Tregu i zi: 10-12 mijë lekë

Tribunat D1 & D3    

Zyrtare: 2 mijë lekë

Tregu i zi: 5-7 mijë leke

Tribunat C dhe E    

Zyrtare: 500 lekë

Tregu i zi: 3 mijë lekë

THELLOHET SKANDALI I TRUKIMEVE NË FUTBOLLIN SHQIPTAR

Skandali i trukimeve në futbollin shqiptar, po merr gjithmonë e më shumë përmasa të frikshme, duke ofruar një pamje shumë të shëmtuar, pasi në të janë përfshirë shumë aktorë, përfshirë edhe shtetas të huaj. Në çështjen e nisur nga prokurori Julian Zonja, i prokurorisë së Tiranës lidhur me skandalin e basteve në futbollin shqiptar, figurojnë dhe emrat e shtatë personave të huaj, për të cilat vetë prokurori ka kërkuar informacion siç paraqitet dhe në kërkesën e tij për gjykimin e çështjes penale. Por cilët janë këta shtatë shtetas, për të cilët prokuroria e Tiranës ka kërkuar të dhënë për hyrje dalje nga sistemi “TIMS”. E nisim nga maqedonasi Ali Kasum, i cili mësohet se është një 54-vjeçar nga Shkupi dhe për të cilin ka shumë pak informacion. Ndërkohë që Milos Obradovic, për të cilin kërkohet një procesverbal për këqyrjen e të dhënave në internet ose të sistemit “TIMS”, është një futbollist 26-vjeçar, i cili aktualisht luan për skuadrën serbe të Nitra dhe që karrierën e ka nisur te Cervena Zvezda e Beogradit. Interesant është fakti se David Sekularac, një emër i përmendur më parë nga prokuroria, siç ka bërë me dije Bizhdili në një intervistë të tij në muajin maj, është një ish-futbollist kampion dhe aktualisht drejtues me Cervena Zvezdën, skuadër që dyshohet jo pak si e përfshirë në aferat e trukimit të ndeshjeve në Serbi. Gjithashtu dhe për dy lojtarë të Besës po kërkohet informacion. Bojan Malinic, ka qenë dhe ai pjesë e Cervenas në të kaluarën. Ky futbollist ka qenë pjesë e kavajasve gjatë këtij sezoni dhe faktikisht është aktivizuar shumë pak, ndërkohë që një tjetër emër i përmendur është dhe Pedrag Pocuca, mbrojtësit kroat dhe që këtë vit është aktivizuar me Besën. Dhe ky i fundit ka pasur një karrierë të shkurtër me Cervena Zvezdën. Dosja “Bizhdili” i kalon për gjykim Gjykatës së Tiranës. Prokurori Julian Zonja pasi ka përpiluar të gjithë materialin në ngarkim të shtetasit Shpëtim Bizhdili, president e Besës së Kavajës, ka kërkuar gjykimin e çështjes penale nr.5236, të vitit 2012, për veprën penale “Paracaktim të rezultateve në garat sportive” parashikuar nga neni 197/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal. Numri një i klubit kavajas, akuzohet se ka tentuar trukimin e disa ndeshjeve të Besës në kategorinë superiore, si dhe disa takime të kampionatit të të rinjve U-17 dhe U-19. Për të vërtetuar akuzat Prokurori Julian Zonja paraqet si prova dëshmitë e shtetasve Ilias Haxhiraj, Fatjon Sefa, Edmond Hasanbelliu, Artan Mërgjyshi, Bardhyl Pashaj, Ylli Teliti, Lorenc Jemini, Emirjon Sino, Edvin Hoxha dhe Alban Tafaj, që të gjithë aktorë të futbollit në vend, trajnerë, futbollistë, president klubi dhe gjyqtarë. Zbardhja e tabulateve telefonike, që Prokuroria ua ka shpërndarë edhe mediave në mënyrë jozyrtare, e rëndon edhe më shumë pozitën e Bizhdilit, që në një prononcim për mediat i hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas Bizhdilit, njerëz të caktuar fshihen pas kësaj farse, më qëllim për të dëmtuar atë dhe klubin e Besës. Presidenti i Besës i konsideroi akuzat një shou të prokurorisë, e cila sipas tij nuk punon për të ndalur kriminelët që lëvizin lirshëm, por merret me trukimet e ndeshjeve. Bizhdili e përjashton në mënyrë kategorike skenarin e dënimit të tij apo të skuadrës që ai drejton. Pavarësisht vështirësive ekonomike, presidenti i kavajasve siguroi se po bën gjithçka për të ndërtuar një skuadër të fortë që do të synojë një nga katër vendet e parë në kampionat.

E përditshmja spanjolle “El Mundo Deportivo” i ka kushtuar një shkrim të veçantë talentit nga Skënderaj

Labinot Kabashi, 13-vjeçari shqiptar që po mahnit Barcelonën

Labinot Kabashi po i mahnit trajnerët e Barcelonës me aftësitë e tij të jashtëzakonshme. Talenti shqiptar shihet si e ardhme e ndritshme e gjigantit katalanas, teksa luan me sukses në ekipin e të rinjve, Infantil B. 13-vjeçari nga Skenderaj mund të bëhet shqiptari i parë që shkel në “Camp Nou” me fanellën e gjigantit katalanas. “Talentët shqiptarë kanë vërshuar në futbollin evropian, duke u shtuar dita ditës. Njëri prej tyre është edhe Labinot Kabashi”, citohet në një shkrim të veçantë nga e përditshmja spanjolle, “El Mundo Deportivo”, që më pas vazhdon: “Babai nga Kosova, nëna nga Finlanda dhe vendbanim në zemër të Katalonjës, në Bages, vendlindje e ish-futbollistit të Barcelonës, Gabriel Garcia de la Torre, ‘Gabri’. Ky është kombinimi interesant i njërit prej talenteve më të mëdhenj të Barcelonës, Labinot Kabashi, mesfushor ofensiv i ekipit Infantil B. Labinoti është lindur më 28 shkurt të vitit 2000 në Skenderaj të Kosovës, disa muaj pas përfundimit të luftës së fundit në atdheun e tij. Lufta në Kosovë e kishte detyruar familjen e tij ta merrte rrugën e kurbetit, duke shkuar në Finlandë, për të përfunduar më pas në Katalonjë. Ai i ka nisur hapat e parë të futbollit në Sallent. Shpejt i është bashkuar ekipit të të rinjve të Gimnastic Manresa, një tjetër skuadër me një raport të mirë me Barcelonën, prej nga vinte edhe Pep Guardiola. Në sezonin 2010-11, Kabashi kishte kaluar në ekipin Alevin D, të cilin e drejtonte Alex Gomez, ndërsa më pas kaloi në ekipin B të Jordi Font. Më pas, ai kaloi në ekipin A të Marcel Sans, në prestigjiozen MIC de Futbol 11, në të cilën ishte vendimtar në gjysmëfinale, pas një goli të shënuar ndaj Mançester Junaitid. Këtë sezon, ai ka përmirësim në fizikun e tij, ndërsa ka përparuar edhe në aspektin taktik dhe teknik, duke u bërë lojtar i rëndësishëm i Infantil B. Në turneun e Aronas, ai shkëlqeu duke realizuar katër gola në finale ndaj Borusia Dortmundit, ndërsa kontribuoi edhe në goditjet e penalltive në gjysmëfinale ndaj Atletico Madridit. Labinoti luan në mënyrë perfekte si 8-sh dhe 10-sh, ndërsa e godet topin me të njëjtën forcë dhe kualitet me të dyja këmbët. Ai po ashtu mund t’i mbulojë edhe pozitat e sulmit. Ai shquhet për aftësitë e jashtëzakonshme, duke e lidhur me sukses mbrojtjen me sulmin. Mirëpo, virtyti i tij kryesor është se ende është fëmijë dhe është lojtar që lufton në mënyrë të jashtëzakonshme. Nëse ndonjë fëmijë dhe familja e tyre e meriton që të ëndërrojë që një ditë të shkel në Camp Nou si futbollist, ai është Labinoti”.