Sfidë dramatike! Kroacia kalon në çerekfinale pas ekzekutimit të penalltive ndaj Japonisë

53
Sigal

Kroacia është kualifikuar në çerekfinale të Kampionatit Botëror, ‘Katar 2022’, pas fitores ndaj Japonisë pas ekzekutimit të penalltive, meqë koha e rregullt dhe vazhdimet kishin përfunduar baras (1-1).

Porsa filloi ndeshja, një harkim preciz shkoi në drejtim të Shogo Taniguchi, i cili goditi me kokë, mirëpo topi shkoi jashtë. I shpejtë ishte reagimi i ekipit kundërshtar përmes Ivan Perisic, por Shuichi Gonda e mbrojti goditjen. Daichi Kamada e kaloi mbrojtjen me lehtësi dhe doli në pozitë të mirë shënimi, mirëpo goditja e tij shkoi mbi portë.

Nuk vonoi dhe japonezët e zhbllokuan rezultatin. Daizen Maeda reagoi më së miri në zonë pasi prano një top nga Maya Yoshida për ta shënuar golin e epërsisë (43’).

Në fraksionin e dytë, pas një rasti të Bruno Petkovic, erdhi edhe goli barazimit. Një harkim të mirë nga Dejan Lovren e shfrytëzoi për mrekulli Ivan Perisic duke realizuar gol të bukur me kokë (55’).

Në vazhdim, Dominik Livakovic mbrojti goditjen e Wataru Endo, derisa në anën tjetër rrezikoi Luka Modric. Koha e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë (1-1), ashtu që ndeshja shkoi në vazhdime për ta vendosur fituesin. Kaoru Mitoma pati rastin më të mirë në gjysmën e parë të vazhdimeve, ndërsa Livakovic e eliminoi rrezikun dhe nuk pati gola në këtë fraksion.

Një mundësi të mirë në fund të vazhdimit të dytë e pati Lovro Majer, por topi shkoi jashtë dhe meqë rezultati ishte i barabartë, vendosën penalltitë.

Pas ekzekutimit të njëmbëdhjetëmetërshave më të saktë ishin futbollistët e Kroacisë, të cilët kualifikuan në çerekfinale, ku do të luajnë kundër fituesit të duelit ndërmjet Brazilit dhe Koresë së Jugut.