Sadik Mema: “Promovim për të gjithë notarët”

873
Sigal

Të shtunë organizohet “Kupa e Perspektivës” te pishinat e Akademisë “Te Stela”. 15 klube pjesëmarrëse

“Kupa Perspektiva” është aktiviteti i fundit i notit për vitin 2013. Ajo do të organizohet ditën e shtunë nga akademia e notit “Te Stela”, në pishinën dimërore të saj, dhe e mbështetur nga Federata Shqiptare e Notit. Në aktivitet do të marrin pjesë 15 klube nga Shqipëria e Kosova, me rreth 100 notarë të moshave deri në 14 vjeç. Trajneri i njohur, Sadik Mema, zbardhi për gazetën “Telegraf” të gjitha detajet e aktivitetit. “Gara do të fillojnë duke nisur nga ora 10:00. Për fituesit do të shpërndahen medalje për vendet e para, si dhe diploma për fituesit e vendeve të dyta e të treta. Ekipit më të mirë do t’i akordohet kupa e aktivitetit. Do të jenë në total 70 medalje. Do të jenë gjashtë gjyqtarë të licencuar. Matjet do të bëhen gjysmëlektronike, me nisje të njëkohshme dhe rezultatet do të afishohen menjëherë në kompjuter”.

 – Zoti Mema, të shtunën në pishinën dimëore te resortit “Stela” do të zhvillohet “Kupa Perspektiva” në not. Si është organizuar ajo?

– “Kupa Perspektiva” synon promovimin e të gjithë talenteve të rinj në not, deri në moshën 14 vjeç, duke filluar nga mosha 8 vjeç. Aktiviteti është ndarë në katër kategori: nën-8 vjeç, 9-10 vjeç, 11-12 dhe 13-14 vjeç. Pra, garat kanë synimin e promovimit të fëmijëve. Është një aktivitet në prag të fundit të vitit 2013, duke qenë kështu edhe veprimtaria përfundimtare e këtij viti. Aktiviteti do të zhvillohet në pishinën gjysmëolimpike 25-metërshe me gjashtë korsi dhe ai mund të ndiqet nga 300 dashamirës, në kushte shumë komode.

– Cila është pjesëmarrja në këtë aktivitet?

– Është një aktivitet në rang mbarëkombëtar, pasi do të vijnë notarë nga e gjithë Shqipëri, madje do të jenë të pranishëm edhe nga Kosova, ekipin Kombëtar të Kosovës dhe një ekip i Prishtinës. Nga Shqipëria janë: Teuta, Partizani, Tradita, Tirana, Nobis, Stela, Vlora. Në total do të jenë 15 ekipe pjesëmarrëse. Do të jenë mbi 100 notarë, ku 45 prej tyre do të jenë nga ekipet e moshave të Stelës.

– Për shumë mund të duket paksa e habitshme zhvillimi i një aktiviteti noti në palcën e dimrit…

– Dikur mund të dukej i tillë, por tani ka disa pishina dimërore, pra të mbuluara dhe me kushte moderne. Janë tri pishina të tilla në Shqipëri. Në fakt, janë organizuar edhe më parë aktivitete dimërore noti. Aktiviteti i “Kupës së Perspektivës” do të organizohet nga akademia e notit “Stela”, me mbështetjen financiare të kompanisë me të njëjtin emër si dhe në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Notit. Aktiviteti i fundit i bërë te resorti “Stela” ishte “Kupa Pavarësia”, i organizuar më 23 nëntor. Ajo që është e rëndësishme për notarët, është fakti se ata janë çdo muaj në aktivitet, duke i mbajtur ata, trajnerët, gjithmonë në tonus.

– Zoti Mema, vazhdimisht kemi thyerje të rekordeve të moshave, këtë e vërtetuan edhe Kampionati i fundit Kombëtar si dhe Kupa e Shqipërisë. A po krijohet një gjeneratë e re në not?

– Është një gjë shumë pozitive thyerja në vazhdimësi e rekordeve. Ka shumë interesim për notin dhe investime për të gjetur notarët më të spikatur, pse jo dhe talentet e së ardhmes. Gjithsesi, e keqja në not është fakti se, nuk kemi vazhdimësi moshe. Shumë sportistë e ndërpresin në një moshë të re. Një notari i duhen të paktën 8-10 vjet stërvitje që, të krijojë profilin e tij dhe të arrijë rezultate të larta. Gjithsesi, ne kemi disa notarë të spikatur, si Sidni Hoxha, i cili studion aktualisht dhe stërvitet në Shtetet e Bashkuara, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Pekinit dhe Londrës, i cili ka rezultate të pazakonta për realitetin tonë të notit; Anxhela Kashari, një notare shumë e mirë për nivelin tonë dhe me disa rezultate rekord; Klavio Meça i “Stelës”, një notar i ri me shumë perspektivë dhe që stërvitet dy herë në ditë, i cili u shpall notari më i mirë për të rinj dhe të rritur në Kampionatin e fundit Kombëtar.

– Si paraqitet noti shqiptar në arenën ndërkombëtare?

– Duhet të jemi krenarë që, noti në ballafaqimet ballkanike tashmë nuk shkon e kthehet më kokulur. Në eventet e Dubrovnikut, Selanikut, Shkupit, notarët kthehen me medalje të shumta, çka tregon se niveli ynë është rritur gjithmonë e më shumë. Tani garojmë dhe marrim medalje. Bie, fjala Nikol Nerizaj, një notare e Stelës mori pesë medalje në Shkup, ndërkohë që Tirana, e cila ka më shumë eksperiencë mori më shumë medalje.

– Zoti Mema, flitet me superlativa për atë që ka dhënë notarët e para viteve 1990…

– Duhet ta pranojmë të gjithë, e meritojnë. Janë stërvitur në kushte aspak të mira, por me shpirtin e tyre të sakrificës kanë pasur rezultate shumë të mira. Personalisht jam stërvitur te liqeni i Tiranës. Në vitet 1980 kemi pasur notarë të jashtëzakonshëm si Petrit Guma, Hysni Bregu, Janaq Murati, Fuad Muarati, Skardilajd Shyti, etj.. Ka qenë një sport me sakrifica, kemi punuar shumë fort, me norma fizike të kontrolluara, por dhe me disa stimuj për kohën.

– Noti shqiptar është i pranishëm merr pjesë rregullisht në Olimpiada. Kur do ta kemi medalistin e parë?

– Ne kemi marrë me pjesë me ftesa në Olimpiada. Ajo që duhet të them është se duhet të investojmë shumë fort në not. Duhet të përmend vetëm Shkupin, kryeqytetin e Maqedonisë, ka disa qindra pishina të ndërtuara qysh në kohën e ish-Jugosllavisë, kur tek ne numërohen me gishtat e njërës dorë.

  “Pupi” i notit

 Sadik Mema, i njohur nga të gjithë me nofkën “Pupi”, gjithë jetën e tij ia ka kushtuar notit. “Jam rritur me notin. Kam notuar qysh nga viti 1968, duke qenë kampion dhe rekordmen në stilin e delfinit me ekipin e Dinamos në vitet 1971, 1972 dhe 1973. Kam qenë anëtar i ekipit Kombëtar. Kam qenë trajneri i Dinamos, Tiranës si dhe trajner i ekipit Kombëtar, sikundër më parë kam qenë edhe sekretari i Federatës së Notit”, – tha ai për “Telegraf”.

 Trajneri i njohur: “I trajton të gjitha klubet e shoqatat në mënyrë ta barabartë”

 “Federata ka krijuar një klimë të mirë për notin”

 Për trajnerin e njohur Sadik Mema, puna që po bën aktualisht Federata Shqiptare e Notit është shumë pozitive. “Ka dhënë sinjale të qarta dhe ka krijuar një klimë të ngrohtë për notin shqiptar. Na ka mbështetur të gjithë, pa dallime. Po, i bën punët e saj në mënyrën më të mirë”. Mema tha për gazetën se, vetëm te akademia e notit “Stela” ushtrohen rreth 300 sportistë, përfshirë edhe fëmijë të huaj, ndërkohë që janë gjashtë instruktorë noti. Mema veçoi pasionin e presidentit të kompanisë “Stela”, Stefan Pinguli. “Fillimisht ndërtoi një pishinë verore, ndërkohë që më pas ndërtoi një dimërore me katër korsi. Duke parë interesimin e madh, për të ushtruar notin ai investoi në ndërtimin e një pishinë dimërore me gjashtë korsi, gjysmëolimpike”. Aktualisht, në Tiranë ka dhe një pishinë tjetër të mbyllur, ashtu siç është ndërtuar edhe një në Durrës. “Ende nuk kemi biznesmenë largpamës, që të investojnë në ndërtimin e pishinave, pasi dhe këto nuk e nxjerrin shpejt investimin”.