Për të realizuar këtë tur takimesh UEFA ka angazhuar të gjithë instruktorët dhe dizenjatorët e arbitrave nga të gjithë federatat anëtare.
I dërguari i UEFA-s në takimin e zhvilluar sot me futbollistët dhe stafin teknik të Kombëtares shqiptare në kampin bazë të kuqezinjve në Kaiserau ishte shefi i arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, i cili i shpjegoi edhe një herë skuadrës rregulloret dhe mënyrën se si duhet të sillen me arbitrat.
Ne muajin prill të gjithë trajnerët e ekipeve pjesëmarrëse në finalet EURO 2024 u takuan ne Gjermani dhe ndër shumë tema të diskutuara ajo që i solli të gjithë unanim ishte “Të ruajmë imazhin e lojës së futbollit”.
Arbitri në kohet moderne merr gati 200 vendime brenda një ndeshje duke përfshirë edhe sistemin VAR, por këto vendime nuk mund t’i marrë nën presionin e 22 lojtarëve, të cilët shpeshherë e rrethojnë atë duke e vendosur nën trysni edhe kur një situate po kontrollohet nga sistemi VAR.
Për të rritur besueshmërinë te procesi i vendimmarrjes, është në të mirën e të gjithë aktorëve në fushë që në momentet kyçe lojtarët duhet ta dine atë çfarë komunikon arbitri me sistemin VAR dhe kjo te realizohet nëpërmjet komunikimit me kapitenin e skuadrës.
Kjo lartëson më shumë figurën e kapitenit, i cili është personi që do të marrë informacionin zyrtar për një vendim kyç, por gjithashtu është përgjegjës për sjelljen dhe reagimet e lojtarëve të tjerë të ekipit të cilët do të ndëshkohen disiplinarisht në qoftë se injorojnë këshillat e kapitenit.