KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Ramadan Ndreu, analizon rrugëtimin 21 javor
Agron KAJA
Për ish-futbollistin e trajnerin e Kastriotit, Ramadan Ndreu, Kategoria e Parë e këtij sezoni ka veçuar tre skuadra, që sipas tij do jenë në luftë për ngjitjen direkte në Superiore. Duke mos harruar edhe Kastriotin, me të cilin e lidh historia e karrierës së tij si lojtar dhe trajner, Ndreu u shpreh dje për gazetën “Telegraf” edhe për skuadrat e tjera në 21 javët e këtij kampionati. “Duke e parë rrugëtimin në tërësi tek të gjitha skuadrat në Kategoria e Parë, duket qartë se këtë vit janë tre skuadra më lart se të tjerat: Vora, Flamurtari dhe Besa. Por vorakët kanë bërë shumë hapa të mira dhe kryesojnë me meritë renditjen e 21 javavë. Ndërkohë që Flamurtari e nisi me luhatje në fillim, tani është duke rivalizuar me Vorën për kreun. Ndërsa Besa e Kavajës që renditet e treta, i nisi mirë ndeshjet, por më pas ka bërë hapa fallco, kryesisht me skuadra të vogla në renditje, sepse niveli mes të gjitha skuadrave nuk ka shumë diferenca”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit, Ramadan Ndreu, i cili më pas u shpreh se të gjitha skuadrat e tjera kanë treguar luhatje me paraqitjet e tyre. “Sa i përket skuadrave të tjera, do thoja se të gjitha kanë treguar luhatje e nivel jo fort të mirë. Këto dritëhije, mendoj se vijnë jo vetëm nga përbërja e tyre, por edhe nga faktorë të tjerë që kjo kategori i ka trashëguar ndër vite. Për Kastriotin unë do thoja se kjo skuadër ka nivel e potencial për të qënë e denjë në ndeshjet Play-off, ku katër skuadrat e para do përzgjedhin njërën për të luajtur me skuadrën e vëndit të 8-të të Superiores”. Duke qënë se në fundjavë luhen ndeshjet e javës së 22-të të Kategorisë së Parë, Ramadan Ndreu e quan si vendimtare. “Referuar kalendarit, mendoj se kjo do jetë një javë vendimtare për të gjitha skuadrat, por duke e veçuar si kryendeshje sfidën Flamurtari-Besa, si një sfidë rivalësh për dy vëndet e kreut të renditjes. Flamurtari luan për dy rezultate se e ka komoditetin e pikëve, ndërsa Besa nëse humbet e ka të vështirë. Tek ndeshjet e tjera shoh Korabin e Valbonën me shumë hope, Erzeni që po bën mirë që e vazhdon garën, ndërsa të gjitha të tjerat janë shumë pranë mes tyre. Mendoj se titulli mbetet mes Vorës e Flamurtarit, nëse njëra prej tyre mund të gabojë dhe aty të përfitojë Besa”, kështu e mbylli bisedën specialisti i futbollit Ramadan Ndreu.
LEGJIONARËT NË FUNDJAVË
Gjimshiti më i vlerësuari, e mbylli javën me gol

Java që u mbyll ka qënë positive për disa nga Legjionarët shqiptarë të futbollit, teksa portal i njohur i statistikave, “Sofascore” sjell vlerësimet e pesë më të mirëve. Në krye qëndron mbrojtësi Berat Gjimshiti, i cili në sfidën që Atalanta luajti për javën e 23-të të Serie A kundër Torinos, ishte titullar vendimtar me golin e tij, duke i dhënë 1 pikë skuadrës bregamaske. Kjo paraqitje e vlerësoi atë me notën 8.2, duke e renditur në vëndin e parë. Ndërkohë që në vëndin e dytë renditet mesfushori Kastriot Ndau që luan në Zvicër me FC Uill, është pozicionuar në vendin e dytë. Dhe endi i tretë shkon për mbrojtësin Enea Mihaj, i cili bëri një performancë të mirë për 90 minuta në fitoren e Famalikaos në elitën e futbollit portugez. Sulmuesi Arbër Hoxha luajti 9 minuta në transfertën me Osijekun në Kroaci dhe u vlerësua me 7.3, ndërsa Eduard Rroca me 7.2. Paraqitje dinjitoze bëri këtë javë edhe mbrojtësi Marrash Kumbulla, teksa Espanjol ku ali luan mposhti 1-0 Real Madrid.
Daku i pandalshëm, i grisin fanellën gjatë ndeshjes

Kampionati rus i futbollit ende nuk ka nisur pjesën e dytë të sezonit të tij, por skuadrat vazhdojnë përgatitjet për ndeshjet e javës së 19-të që nisin më 28 shkurt. Në këtë kampionat luan edhe sulmuesi kuqezi Mirlind Daku, i cili me Rubin Kazan ka luajtur në 17 ndeshje e ka shënuar 9 gola. Me këtë skuadër Daku po kalon një formë të mirë në kampionatin rus, edhe pse është folur shpesh për një largim të mundshëm. Përpos kësaj situate, në fundjavën e kaluar ka tërhequr vëmendjen edhe një postim i Dakut në rrjetet sociale, teksa tregohet ai vetë gjatë një ndeshjeje, por me fanelën e grisur. Dhe më e veçantë është përgjigja që vetë Daku poston, me një ironi nënkuptuese: “Mos harxho fjalë për njerëzit, të cilët meritojnë heshtjen tënde”. Ndoshta, këtu Daku tregon se kundërshtarët edhe nëse i grisin fanelën gjatë mbulimit në fushë, nuk mund ta ndalin atë. Ndoshta kjo foto është edhe një “trokitje” për planet e trajnerit të Kombëtares Silvinjo, për ndeshjet e Botërorit.
Pretendimet e matjanëve, zyrtarizohen akuzat ndaj arbitrit
Të dielën, Burreli humbi në fushën e tij 0-1 me Vorën. Goli i shënuar nga Hasa dhe çfarë ndodhi më pas, ka sjellë reagimin e klubit matjan të futbollit. “Shkurt dhe qartë, gjithçka ishte e dukshme. FSHF, nuk duhet të tolerohen këto gabime, duhet një reagim”, kështu shkruhej dje nga klubi i Burrelit, duke e reklamuar edhe golin në pozicion jashtë loje dhe një karton të kuq të munguar. Akuzat drejtohen kryesisht ndaj arbitrit Kreshnik Cjapi.

KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 22
Datë 8 shkurt 2025
Apolonia-Pogradeci13:30
Korabi-Kastrioti 13:30
Valbona-Lushnja 13:30
Flamurtari-Besa 13:30
Kukësi-Burreli 13:30
Vora-Erzeni 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Vora 21 51
2.Flamurtari 21 49
3.Besa 21 43
4.Burreli 21 34
5.Pogradeci 21 30
6.Kastrioti 21 30
7.Lushnja 21 27
8.Apolonia 21 27
9.Kukësi 21 20
10.Korabi 21 19
11.Valbona 21 13
12.Erzeni 21 8



















