Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Kupa e Shqipërisë, rezultate të mira në aktivitetin e parë veror

421
Sigal

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, vlerëson rekordet e thyera, ndërsa kërkon që sportistët të jenë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror të Fukuokas në Japoni.

Gjergj Vyshka

Kupa e Shqipërisë, që më 29-30 qershor u zhvillua në kompleksin Akuadrom të Tiranës, ishte aktiviteti, që ngriti siparin e veprimtarive verore. Për presidentin e Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, pjesëmarrja ishte e kënaqshme nisur dhe nga fakti që të gjithë vijnë nga sezoni dimëror dhe me përgatitje jo të plotë për aktivitetet në pishinat e hapura. Jo vetëm kaq, por dhe rezultatet, apo rekordet tregojnë që Kupa e Shqipërisë ka patur cilësi. Në prag është Kampionati Botëror i të rriturve në Japoni, atje ku Shqipëria do të jetë me gjashtë sportistë dhe Çiraku shpreson në përmirësimin e rezultateve të tyre, pse jo dhe në rekorde të reja. Në vijim një sërë aktivitetesh kombëtare, kurse presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, dha këtë intervistë për gazetën “Telegraf”.

– President ka përfunduar Kupa e Shqipërisë. Cila ishte pjesëmarrja dhe niveli i konkurrimit?

– Mendoj se duke qenë se është gara e parë verore dhe skuadrat sapo kanë dalë nga stërvitjet dimërore atëherë është e pëlqyeshme. Pati rezultate të mira. Mbi të gjitha rekorde 1 për të rritur, 3 për të rinj dhe 1 për fëmijë. Mos harroni që një pjesë e madhe e skuadrave e vuajnë mungesën e pishinave të hapura dhe si të tilla nuk e kanë ende përgatitjen e plotë për aktivitetet e verës. Jo vetëm kaq, por mund të ketë patur dhe mungesa, kjo dhe për shkak të impenjimeve në shkolla. Kështu që në të gjitha këto rrethana, që nuk e bëjnë të plotë mbarëvajtjen e aktivitetit, besoj se jemi mirë.

– Ndërkohë çfarë parashikon kalendari më tej?

– Sigurisht do të kemi Kampionatin Kombëtar të të rriturve dhe të rinjve më 18-19 korrik. Po kështu në shtator Kampionatin e fëmijëve dhe më pas Maratonën e Sarandës. Do të mundohemi të bëjmë dhe Kupën Mbarëkombëtare.

Në fakt Kupa Mbarëkombëtare do të duhet të ishte bërë që në qershor, çfarë ka ndodhur?

– Pishina e Durrësit është e vetmja në të cilën do të mund të vendosim tabelën elektronike. Por atje është duke u punuar, të paktën sipas informacionit, që unë kam. Dhe me sa di, kryetarja e Bashkisë së Durrësit kanë dhënë një fond për rregullimin e kësaj Pishine. Nëse punimet ecin shpejt, atëherë të jeni të sigurtë që në shtator do ta bëjmë Kupën Mbarëkombëtare.

– Së fundi, Kampionati Botëror i Notit në Japoni. Do të përfaqësohet Shqipëria?

– Ne do të kemi gjashtë notarë dhe dy trajnerë. Shpresojmë që notarët të përmirësojnë rezultatet e tyre dhe pse jo dhe të kemi rekorde të reja kombëtare, sikurse kishim në këtë Kupë të Shqipërisë. Jemi të detyruar të marrim pjesë në aktivitetet e Federatës Europiane dhe Botërore e sa për Lojërat Botërore të Plazhit, apo Mesdhetare, është disi e vështirë. Gjithsesi shpresoj dhe besoj që të kemi një përfaqësim dinjitoz në Botërorin japonez.

Rezultatet teknike të Kupës së Shqipërisë

MESHKUJ

50 metra stil i lirë            Greis Koxhaku (Tirana)            24”00

100 metra stil i lirë           Redi Resuli (Teuta)                  53”19

200 metra stil i lirë           Redi Resuli (Teuta)                  1’58”19

400 metra stil i lirë           Sofian Sarrag (Teuta)               4’22”31

1500 metra stil i lirë        Rei Hazizaj (Stela)                   20’12”39

50 metra bretkosë           Toni Groshi (Teuta)                 30”20

100 metra bretkosë           Toni Groshi (Teuta)                 1’08”35

50 metra shpinë              Elio Veli (Stela)                       29”84

100 metra shpinë            Elio Veli (Stela)                       1’04”75

200 metra shpinë            Elio Veli (Stela)                       2’24”44

50 metra delfin               Greis Koxhaku (Tirana)            25”37

100 metra delfin             Greis Koxhaku (Tirana)            57”78

200 metra delfin             Endi Kola (Stela)                      2’19”75

200 metra katërnotim      Endi Kola (Stela)                      2’19”33

400 metra katërnotim      Niklas Hoxha (Stela)                5’13”94

Si ekip Stela 274 Pikë

Sportisti më i mirë: GREIS KOXHAKU (Tirana) 1237 Pikë Fina

FEMRA

50 metra stil i lirë            Julia Xhako (Tirana)                27”26

100 metra stil i lirë           Julia Xhako (Tirana)                1’03”00

200 metra stil i lirë           Sara Dande (Stela)                   2’19”96

400 metra stil i lirë           Sara Dande (Stela)                   4’49”47

800 metra stil i lirë           Sara Dande (Stela)                   9’49”00

1500 metra stil i lirë        Sara Dande (Stela)                   21’53”90

50 metra bretkosë           Emi Koriqi (Stela)                    41”40

100 metra bretkosë           Erika Lushaj (Stela)                 1’31”28

50 metra shpinë              Julia Xhako (Tirana)                33”95

100 metra shpinë            Julia Xhako (Tirana)                1’14”52

200 metra shpinë            Vivian Xhemollari (Tirana)      2’28”47

50 metra delfin               Arla Dermishi (Stela)               29”80

100 metra delfin             Kestrina Dande (Stela)             1’12”60

200 metra delfin             Vivian Xhemollari (Tirana)      2’31”38

100 metra katërnotim      Vivian Xhemollari (Tirana)      1’12”60

200 metra katërnotim      Vivian Xhemollari (Tirana)      2’29”32

400 metra katërnotim      Vivian Xhemollari (Tirana)      5’09”63

SI EKIP: STELA 292 PIKË

Sportistja më e mirë: VIVIAN XHEMOLLARI (Tirana) 1238 Pikë Fina

STELA, FITUESE E DYFISHTË

MEMA: GARË E VËSHTIRË

Stela ishte fituese e dyfishtë e Kupës së Shqipërisë dhe për kryetrajnerin e kësaj skuadre, Sadik Mema, rezultatet ishin të pritshme. “Ishte një garë e vështirë – thotë Mema për ‘Telegraf’ – sepse vinim nga sezoni dimëror, përgatitja nuk ishte e plotë tek të gjitha skuadrat për këto gara. Kishim dhe mungesa, sepse një pjesë e mirë e sportistëve janë dhe maturantë. Megjithatë rezultatet ishin të mira”. Mema si specialist vlerëson se ka sportistë të përgatitur, aq më tepër Greis Koxhaku dhe Vivian Xhemollari, sot notarë të Tiranës, ishin notarët më të mirë të aktivitetit. “Ka notarë dhe rezultate shumë të mira sidmos tek Tirana. Por ne krijuam diferencë me të tjerët, ndaj dhe i merituam të dyja kupat. Besoj se kemi bërë mirë”,-thotë Mema, kurse në rezultate ka rënë në sy dhe Julia Xhako, Arla Dermishi, Redi Resuli dhe Toni Groshi. Mema është i bindur se do të bëhet mirë dhe në Kampionatin Botëror. “Ne kemi dy sportistë të Stelës atje dhe besoj se rezultatet e tyre do të jenë të mira. Janë një sërë aktivitetesh ndërkombëtare, që besoj se noti shqiptar do ta thojë fjalën e tij. Sikundër dhe në aktivitetet kombëtare, atje ku Stela do të vijojë të dominojë”, ka përfunduar Sadik Mema.

KUPA E SHQIPËRISË, pesë Rekorde Kombëtare

Kupa e Shqipërisë për të rritur e të rritura ka dhuruar pesë rekorde kombëtare. I pari ishte në 50 metra shpinë për fëmijë për moshat 13-14 vjeç. Lajdi Allaraj i Partizanit ka dhuruar kohën e re 30”80, ndërsa rekordi i mëparshëm mbahej nga Flavio Kora, që më 2019-ën kishte fiksuar kohën 31”19. Rekordi i dytë kombëtar ka ardhur në 100 metra delfin për të rinj, kjo nga notari i Tiranës, Greis Koxhaku, me kohën e re 57”78. Në këtë disiplinë rekordi mbahej nga Ronald Seriani me 58”50, vendosur më 2021. Rekordi i tretë kombëtar është thyer nga Vivian Xhemollari e Tiranës në 400 metra katërnotim për të reja e të rritura me kohën e re 5’09”63. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Noel Borshi, që më 2014-ën kishte fiksuar kohën 5’10”05. Rekordi i katërt ka ardhur në 50 metra flutur për të reja nga Arla Dermishi i Stelës me kohën 29”80, ndërsa rekordi i mëparshëm mbahej prej pesë vitesh nga Miralba Sula, e cila më 2018-ën kishte dhënë kohën 29”97. Në fund bie rekordi i Sidni Hoxhës së Tirana Delfina Sport, i cili në 50 metra delfin për të rinj, pikërisht më 2009-ën, kishte fiksuar 26”13. Koha e re ka ardhur nga Greis Koxhaku i Tiranës me 25”37.