Presidenti i FSHF, Armando Duka: Kemi mundësi të vijojmë ëndrrën

352
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, është i bindur se përfaqësuesja kuqezi i ka të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar më tej në finalet e Evropianit “Francë 2016”, që do të çele siparin në muajin qershor.
Kuqezinjtë do të përballen me Francën, Zvicrën dhe me Rumaninë, por kjo nuk e tremb aspak Presidentin e FSHF-së, që gjatë një interviste për ATSH, tha se kombëtarja jonë i ka të gjitha mundësitë të vijoi ëndrrën e saj, duke kaluar edhe fazën e grupeve në finalet e Evropianit.
“Mbërritja në finale të Evropianit është një arritje e madhe dhe historike. Do ta vlerësoja si më e madhja e futbollit shqiptar në historinë e tij 110-115- vjeçare. Duke ju gëzuar kësaj arritjeje të madhe, ne të gjithë si ekip kombëtar, staf dhe Federatë, mendojmë se kemi ende për të treguar gjatë finaleve dhe po përgatitemi për një gjë të tillë. Jemi të qartë për shkallën e vështirësisë, por nuk shkojmë për turizëm në Euro 2016”, thotë Duka.
Ai sqaron se, për çështjen e akomodimit brenda muajit shkurt do të mësohen të gjitha detajet. “Jemi në fazën e studimit dhe konkludimit. Kemi përzgjedhur 3-4 variante. Besoj brenda muajit janar apo mesit të muajit shkurt, do të marrim vendimin përfundimtar për vendin ku do të akomodohemi.”, vijoi Duka.
Duke folur për përfaqësuesen e moshave dhe atë të femrave, Duka sqaron se shumë vende të përparuara janë duke hasur vështirësi në këtë drejtim. “Sa i takon futbollit të femrave, ne jemi të ndërgjegjshëm që për një periudhë kaq të shkurtër, pra për pesë vjet nga krijimi i kombëtares A dhe dy- tre vjet i kombëtares U-19, të mund të arrinim rezultate. Ato duan kohë dhe shumë mund e përkushtim. Jemi të ndërgjegjshëm për këtë dhe po punojmë me programe të detajuara. Por mos harroni që ka edhe shumë vende me futboll të përparuar që e kanë të vështirë në këtë drejtim. Gjithsesi, puna që kemi ndërtuar deri tani ka krijuar një bazë për të ardhmen”, thekson Duka.
“Sa i takon skuadrave të moshave, mund t’ju them se prej shumë vitesh po bëhet një punë e kualifikuar dhe profesionale, që nis me seleksionimin dhe vazhdon me ndjekjen dhe mbështetjen e këtyre futbollisteve që premtojnë. Drejtoria e Ekipeve Kombëtare ka evidenca të plota dhe të dhëna për shumë lojtarë që luajnë jashtë Shqipërisë dhe duke qenë se qëllimi kryesor i ekipeve të moshave është furnizimi me futbollistë të talentuar i skuadrës kombëtare, mendoj se është bërë dhe po bëhet një punë e mirë në këtë drejtim. Edhe në ekipin aktual Shpresa janë disa futbollistë që janë përfshirë në planet afatgjata të trajnerit De Biazi dhe stafit të tij”, vijoi presidenti FSHF-së.
Sa i takon talenteve të reja, që rriten nëpër botë, Presidenti FSHF-së u shpreh se janë nisur seleksionime për të gjetur talente dhe për t’i bërë pjesë ata të kombëtares shqiptare, deri më tani në këtë drejtim janë vlerësuar 400 sportistë. “Çdo fillim viti, trajnerët e skuadrave kombëtare A, U-21, U-19, U-17 dhe specialistët më të mirë të FSHF, përgjatë një muaji zhvillojnë seleksionime në dy faza. i pari, me futbollistë kandidatë që aktivizohen jashtë Shqipërisë dhe i dyti me lojtarë që aktivizohen në Shqipëri dhe Kosovë. Tani që ne flasim, sapo është mbyllur seleksionimi me lojtarë për datëlindjet 1998-99 dhe 2000-2001 që luajnë në Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani, ku janë parë nga afër rreth 400 kandidatë. Ndërkohë që pas disa ditësh do të fillojë edhe seleksionimi me futbollistë kandidatë nga Shqipëria dhe Kosova. Ndërkohë, një tjetër grup pune ndjek nga afër edhe futbollistë të talentuar që luajnë në vende të tjera dhe kanë tërhequr vëmendjen e specialistëve dhe mediave të huaja”, bëri të ditur Duka.
Lidhur me diskutimet e shumta mediatike se lojtarët e përfaqësueses kuqezi janë rritur jashtë vendit, Presidenti Duka mohon kategorikisht këtë, duke argumentuar me emra dhe fakte të kundërtën e saj. “Po ju përmend Sahilin, Shkëmbin e shumë të tjerë në 2005 për të vazhduar më pas me Bakajn, Hykën, Muzakën Vilën etj, apo me Lilën e Agollin, të gjithë të dalë nga kampionati shqiptar. Pa përmenduar lojtarët aktualë të Shqipërisë, Balaj, Roshi, Vajushi dhe veçanërisht Hysaj, që kanë luajtur herët me të gjitha seleksionet e moshave. Në këndvështrimin tonë si FSHF, nuk ka ndarje mes lojtarëve që luajnë brenda apo jashtë Shqipërisë. I vetmi kriter është forma sportive dhe ajo që japin në fushën e lojës. Pra e meritojnë apo jo, të jenë në skuadrën kombëtare. Natyrisht duke qenë të ndërgjegjshëm, se duke u aktivizuar në kampionate të niveleve të larta, ata rriten më shumë profesionalisht dhe ky është një test i padiskutueshëm”, tha Duka.
Ai shtoi se për të rritur prezencën e futbollistëve të rritur brenda vendit, duhet që klubet shqiptare të bëjnë më shumë për akademitë e tyre. “Klubet shqiptare të futbollit duhet punojnë më shumë nëpërmjet akademive të tyre që talentet të përpunohen sa më mirë profesionalisht.
Presidenti FSHF-së foli edhe për stadiumin “Arena Kombëtare”, që do të ndërtohet në themelet e stadiumit “Qemal Stafa”. “Është një projekt gjigant për infrastrukturën sportive të Shqipërisë. Më i madhi, i ideuar dhe projektuar deri më sot. Siç ju e dini ne bëmë një garë për ta dhënë me koncesion këtë projekt, garë e cila nxori dhe të preferuarin për të shkuar në kontratë, por gjatë negociatave kompania kërkoi garanci shtetërore, gjë e cila ishte e pamundur për ne dhe për qeverinë. Në këto kushte qeveria ka ndryshuar pozicion për t’i krijuar kushte të reja për një bashkëpunim publik privat, thënë ndryshe, për të realizuar projektin nëpërmjet investitorëve privat duke i dhënë atyre mundësinë e shfrytëzimit të ambienteve komerciale. Tashmë jemi në përgatitje të dokumentacionit për të shpallur një garë të re në kushte të reja. Ky proces besoj se do të marri një periudhë 2 mujore dhe në përfundim te tij do te filloje prishja dhe ndërtimi i kompleksit. Një nga kushtet e garës që ne do të shpallim do të jetë dhe përfundimi i kompleksit brenda 2 vjetëve”, tha Duka.
Teksa për ristrukturimin e stadiumit të Shkodrës, ai tha se vonesat në përfundimin e punimeve të stadiumit “Loro Boriçi”, kanë ardhur për një seri arsyesh. “Kryesorja ishte përfundimi i kontratës mes Bashkisë së Shkodrës dhe FSHF, gjë që pengoi fondet që ne kishim përfituar nga UEFA për këtë projekt. Pavarësisht kësaj, mund të them se futbolli shqiptar do të ketë në dispozicion një tjetër impiant të rëndësishëm dhe modern. Kjo është një tjetër vepër e rëndësishme dhe investim që le gjurmë në rritjen e cilësisë së futbollit dhe me tepër. Brenda muajit mars çdo gjë do të jetë gati”, tha Duka.
Në fund, ai bëri dhe një rezyme narrative të infrastrukturës së stadiumeve në vend, duke vënë theksin se ka ende punë për të bërë. “Mendoj se gjendja e infrastrukturës sportive në Shqipëri, ka ardhur vitet e fundit duke u përmirësuar dhe kjo sigurisht që ka ndikuar në rritjen e cilësisë sportive. Me donacionet e Federatës Shqiptare të Futbollit, të bashkive dhe vetë klubeve, janë bërë përmirësime të ndjeshme në shumë impiante sportive të Shqipërisë. “Elbasan Arena”, dhe “Loro Boriçi”, pasojnë ndërhyrjet dhe përmirësimet tek “Niko Dovana” Durrës, “Loni Papuçiu” Fier, “Flamurtari” Vlorë, “Luftëtari’ Gjirkastër etj. Gjithmonë ka vend për përmirësime dhe s’mund të thuash që kjo është idealja por ndryshimet janë të mëdha dhe për të ardhmen nuk mungojnë projektet. Madje edhe në kategoritë më të ulta. Ne kemi bërë herë pas here ndërhyrje dhe kemi mbështetur projekte të cilat kanë pasur si qëllim përmirësimin e pjesshëm të infrastrukturës edhe në klube që militojnë në kategoritë më të ulta të futbollit shqiptar. Natyrisht, kjo është pjesë e strategjisë sonë në të ardhmen”, përfundoi Presidenti Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka./ATSH/