Përplasje e frikshme e Verstappen, Hamilton e nxjerr jashtë gare që në xhiron e parë (VIDEO)

244
Sigal

Lideri i kampionatit të Formula 1 në klasifikimin për pilotë, Max Verstappen ka dalë nga Çmimi i Madh i Britanisë që në xhiron e parë.

Piloti i Red Bull u përpoq të mbrojë pozicionin e tij nga sulmet e Mercedesit të Lewis Hamilton, ndërsa ata hynin kokë më kokë në një nga kthesat më të shpejta të kësaj piste, të quajtur Copse.

Rrota e përparme e majtë e Hamilton u përplas me të djathtën e pasme të Red Bull të Verstappen, duke dërguar e fluturuar pilotin holandez në barriera. Përplasja ishte aq e fortë sa menjëherë u ngrit flamuri i kuq dhe gara u ndërpre.

Të dyja ekipet pretenduan pafajësinë, por komisarët e ndeshjes vendosën që Hamilton ishte fajtori dhe u dënua me një penallti prej 10 sekondash në pit stop.
.
Shefi i ekipit të Red Bull Christian Horner i tha drejtpërdrejt drejtorit të garës Michael Masi se ai besonte se shoferi i Mercedes ishte fajtor.

“Në atë cep, ai [Hamilton] nuk duhet të ishte kurrë aq afër. Çdo pilot që ka garuar në këtë qark e di që nuk i qëndrohet rivalit aq afër në atë kthesë”, tha ai.

Hamilton dhe ekipi i tij ishin në radio duke thënë se ata besonin se shoferi i Red Bull ishte arsyeja e përplasjes.

“Unë isha përpara duke hyrë në kthesë, kur ai më goditi” tha Hamilton përmes radios së ekipit.