Përfundojnë zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Notit. Agim Çiraku zgjidhet në krye të Notit Shqiptar

577
Sigal

Ja dy objektivat për mandatin 4 -vjeçar: Ringritja e Vaterpolos dhe krijimi i një lige të përbashkët Shqipëri-Kosovë

 

KRYESIA E RE, MË SHUMË FEMRA TË ZGJEDHURA…

Asambleja zgjedhore e Federatës Shqiptare përveç presidentit ka zgjedhur dhe kryesinë e re, e cila tanimë do të jetë me 50 përqind femra. Në këtë asamble, të paktën edhe sipas informacionit të sekretares së përgjithshme të Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, kanë marrë pjesë 12 klube dhe shoqata, të cilët janë anëtare të institucionit më të lartë të notit shqiptar. Kështu anëtarët kanë votuar për gjashtë pjesëtarët e Komitetit Drejtues. Më parë është bërë edhe një analizë e të gjithë veprimtarisë së notit shqiptar, ndërsa kandidati për president Agim Çiraku ka mbajtur dhe raportin kryesor. E më pas është kaluar në votime. Zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Notit janë monitoruar nga Arjan Konomi, i cili është përgjegjës për politikat e sportit dhe të rinisë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Violeta Shqevi, e cila në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është përgjegjëse e sektorit të antidopingut në sport. Në këtë mënyrë Federata Shqiptare e Notit, është e pesta ndër institucionet sportive që pas Volejbollit, Boksit, Atletikës dhe Xhudos, kryen zgjedhjet e reja për president dhe Komitetin Drejtues. Të gjithë të bindur se do të bëjnë më mirë për rritjen e nivelit të notit edhe në kushtet e një pandemie Covid-19 që ka pushtuar të gjithë botën.

KRYESIA E RE E FEDERATËS SHQIPTARE TË NOTIT

AGIM ÇIRAKU        PRESIDENT

KEJDA USHTELENCA

ELVA LUCA

ENTJENA ZENKO

ILIR NGRESI

ALBERT BOZHANAJ

ROBERT SERDARAJ

 “Arritja më e suksesshme në krye të notit shqiptar në këtë mandat të dytë është marrja e një tabele elektronike për të cilën noti shqiptar ka vuajtur shumë. Sepse të gjitha garat që janë zhvilluar në Shqipëri janë matur me kronometër manual”

 “Bërja e një kampionati të përbashkët me Republikën e Kosovës. Jo e përbashkët në kuptimin ekipet shqiptare më vete dhe ekipet kosovare më vete, sepse është viti i tretë që unë jam duke e zhvilluar me notarët e Kosovës. Por e veçanta është se do të bashkohen ekipet e Kosovës dhe të Shqipërisë në një”.

 “Infrastruktura e nevojshme është sepse vaterpolo në fund të fundit kërkon një pishinë 50-metërshe, dy porta dhe një top. Problemi nuk është tek infrastruktura, sepse ajo është. Por problemi është gjetja e atyre sportistëve që janë të nevojshëm për ta bërë këtë sport”.

“Në fund të fundit janë rekordet ato që masin ecurinë e sportit, pra po ecën, apo jo. Edhe tani që ishim në periudhë pandemie, pikërisht në garat që u zhvilluan para tre ditësh, u thyen katër rekorde kombëtare”.

 “Kam qenë vetë sportist për gati 12 vjet. Kjo që nga mosha 12-13 vjeç deri në 25- vjeç. Kështu që e kam pasion. Kur të më shuhet pasioni mund ta lë ekipin e notit. Por një herë për një herë nuk e besoj”   

AGIM ÇIRAKU NË MANDATIN E TIJ TË TRETË SI PRESIDENT: NOTI, PASIONI IM

I pari i notit shqiptar zgjidhet për herë të tretë në krye të notit shqiptar. Dy janë objektivat e tij: ringritja e vaterpolos dhe krijimi i një lige të përbashkët Shqipëri – Kosovë

GJERGJ VYSHKA

Agim Çiraku është për herë të tretë Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit. I ardhur në krye të notit shqiptar më 2013-ën, Çiraku është munduar të bëjë më të mirën e tij për t’i dhënë një tjetër pamje notit shqiptar. Ndër sukseset e mandatit të tij të dytë janë tabela elektronike, por mbi të gjitha zhvillimi i garave në kushte pandemie. Nuk duhet harruar se për një kohë të gjatë, kjo dhe për shkak të izolimit, pishinat kanë qëndruar të mbyllura dhe notarët kanë qëndruar pa stërvitje. Por tanimë noti është kthyer. Matësi më i mirë i punës së tij, gjithnjë sipas intervistës dhënë për gazetën “Telegraf”, janë rekordet që thyen në çdo aktivitet. Por tanimë janë vënë dhe piketat për vazhdimin: ringritja e vaterpolos dhe krijimi i një lige të përbashkët Shqipëri – Kosovë. Nuk ka asnjë moment që të thotë “boll më”, edhe pse është i angazhuar me bizneset e tij. Por vazhdim i një pune që ka brenda pasionin. “Kur të më shuhet pasioni mundet ta lë ekipin e notit. Por një herë për një herë nuk e besoj”, -ka thënë në intervistën e tij presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku. Ja dhe intervista e tij e plotë menjëherë pas fitimi të mandatit të tij të tretë si president për gazetën “Telegraf”:

-President vjen dhe mandati i tretë në krye të notit shqiptar. Një katërvjeçar i tretë si do të jetë?

-Kam përshtypjen se mandati im i dytë si president i notit ishte i suksesshëm. Dhe kjo për shumë arsye. Arsyeja më kryesore është se ne kemi arritur të bëjmë shumë kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare. Kemi shtuar takimet si komunitet i notit. Dhe arritja më e suksesshme në krye të notit shqiptar në këtë mandat të dytë, është marrja e një tabele elektronike, për të cilën noti shqiptar  ka vuajtur shumë. Sepse të gjitha garat që janë zhvilluar në Shqipëri janë matur me kronometër manual. Tani është një tabelë elektronike, e cila i lë pas të gjitha kontradiktat që kanë ekzistuar në çdo garë. Kjo për mënyrën se si matej koha në not. Them se ishte një mandat i mirë.

-. .. e ndërkohë duke këmbëngulur gjithnjë tek mandati i tretë, si do të jetë ai?

– Për mandatin e ri mund të them shumë gjëra që i kam pasur si synim. Por dy janë më kryesorët. E para,  është ngritja e skuadrës së vaterpolos dhe e dyta,  bërja e një kampionati të përbashkët me Republikën e Kosovës. Jo e përbashkët në kuptimin ekipet shqiptare më vete dhe ekipet kosovare më vete, sepse është viti i tretë që unë jam duke e zhvilluar me notarët e Kosovës. Pra është viti i tretë që bëhet ky turne, kur çdo vit vijnë 10 ekipe kosovare dhe 10 ekipe nga Shqipëria. Por e veçanta është se do të bashkohen ekipet e Kosovës. Pra dy ekipe nga Kosova e Shqipëria do të bashkohen në një, ndërsa brenda do të ketë notarë shqiptarë dhe kosovarë. Që do të thotë se do të jenë gjashtë ekipe në një ligë të përbashkët me emërtimin Liga e notit shqiptar.

-Ndërkohë ju përmendet vaterpolon. A e kemi infrastrukturën e nevojshme për ta rikthyer këtë sport pas 30- vjetësh?

-Infrastruktura e nevojshme është, sepse vaterpolo në fund të fundit kërkon një pishinë 50-metërshe, dy porta dhe një top. Problemi nuk është tek infrastruktura, sepse ajo është. Por problemi është gjetja e atyre sportistëve që janë të nevojshëm për ta bërë këtë sport. Pra duhen notarë që e kanë lënë sportin dhe të futen e të bëjnë vaterpolon. Ka notarë që u ka kaluar mosha, ndërsa do të jenë këta që do të përbëjnë vaterpolon në të ardhmen.

– Si e shihni perspektivën në vazhdim të notit shqiptar?

– Perspektiva është e mirë. Unë sa herë që bëj kampionate, sa herë që bëj Kupa të Shqipërisë, apo kompeticione  të tjera në përgjithësi në Shqipëri, unë thyej rekorde. Në fund të fundit janë rekordet ato që masin ecurinë e sportit, pra po ecën, apo jo. Edhe tani që ishim në periudhë pandemie, pikërisht në garat që u zhvilluan para tre ditësh, u thyen katër rekorde kombëtare. Kështu që them se noti shqiptar do të ecë përpara.

– Së fundi, duke pasur tre mandate si president, a ka pasur ndonjë moment që ke thënë “boll se kam punët e mia”?

– Nuk ka ardhur ende momenti që unë të them “boll se kam punët e mia”.

– … ua bëra këtë pyetje sepse ju keni dhe bizneset për të drejtuar…

– E vërtetë është se kam shumë punë pasi merrem edhe me biznes. Notin unë e kam pasion. Kam qenë vetë sportist për gati 12 vjet. Kjo që nga mosha 12-13 vjeç deri në 25- vjeç. Kështu që e kam pasion. Kur të më shuhet pasioni, mundet ta lë ekipin e notit. Por një herë për një herë nuk e besoj.

3 MANDATE

ka marrë në krye të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, si President. Fillimisht më 2013-ën, më pas më 2016-ën dhe tani më 2020-ën, gjithnjë me idenë për t’i dhënë gjithçka notit shqiptar në rritjen e nivelit të tij.