Partizani në ankth për Skukën, sulmuesi rrezikon 4 muaj jashtë fushave

18
Sigal

Partizani fitoi dje, por nuk festoi sa duhet pasi doli nga “Kukës Arena” me një “dëm kolateral” goxha të madh.

Xhuliano Skuka u desh të linte fushën e lojës pas vetëm 20 minutash në fushë.

Sulmuesi reklamoi dhimbje të forta në kofshë dhe u shtri në tokë. Siç dukej nga mimika e tij, dhimbjet ishin të mëdha, teksa as pas ndërhyrjes së mjekëve ai nuk mundi të ecë me këmbët e tij.

Skuka u desh të linte fushën duke u transportuar me barrelë. Padyshim dëmtimi i tij në këtë fazë të sezonit i “pezmaton” të kuqtë.

Mbrëmjen e djeshme sulmuesit i është dashur thjesht të pushojë dhe sot do t’i nënshtrohet ekzaminimeve për të mësuar shkallën e dëmtimit. Fakti është se Skuka ka ende dhimbje të forta, duke krijuar dyshime për këputje të fijeve muskulore, çka do të ishte një goditje e madhe. Dëmtime të tilla kërkojnë rreth 4 muaj kohë për tu rikuperuar.

Në rastin më të mirë Skuka do të kishte tërheqje të gradës së dytë apo të tretë, që kërkon rreth dy muaj kohë rikuperimi. Gjithsesi, për momentin jemi vetëm në kuadrin e dyshimeve, pasi testet e sotme mjekësore do të përcaktojnë saktësisht shkallën e dëmtimit të sulmuesit kryesor të skuadrës.

Humbja e Skukës është një goditje e rëndë për Partizanin, pasi në javët e fundit dibrani ishte kthyer në formë dhe po tregohej vendimtar, siç ai e ka zakon.