Partizani me sytë te Skuka dhe Rrapaj, tri mungesa të sigurta te skuadra kryeqytetase

20
Sigal

Partizani lë pas fitoren me Erzenin dhe nis të mendojë për betejën e radhës ndaj Teutës, shumë e rëndësishme për momentin e kampionatit, ku Partizani në rast hapi fals, do të humbte kontaktin me dy vendet e para.

Trajneri Shehi edhe një herë do të duhet të menaxhojë mungesat dhe të ndërtojë një rreshtim sa më konkurrues ndaj durrsakëve, të cilët do të luajnë fort për të ndalur kampionët në funksion të misionit për të mbijetuar në Superiore. Arinaldo Rrapaj dhe Xhuliano Skuka nuk mundën të luajnë ndaj Erzenit, por pritet ta bëjnë këtë në betejën e së shtunës në “Niko Dovana”. Sulmuesi është stërvitur normalisht gjatë javës, por stafi teknik nuk e ka parë 100% gati për sfidën me shijakasit dhe ka vendosur të mos e rrezikojë.

Nga ana tjetër, Rrapaj ka vuajtur gjendje gripale dhe gjasat janë që të ketë superuar gjithçka deri të shtunën. Paulo Buxhelaj la fushën i dëmtuar ndaj Erzenit, por dje kanë ardhur lajme të mira për të. Ai mësohet se ka pësuar një ndrydhje në kavilje, që nuk shihet si problem serioz nga mjekët. Vlonjati me shumë mundësi do të jetë i gatshëm ndaj Teutës.

Mensah vijon të jetë jashtë, teksa e njëjta gjë ndodh edhe me Mehmetin. Mungesë për sfidën e radhës është edhe Marçelino Preka, i cili u ndëshkua me karton të kuq në Rrogozhinë dhe mbetet i pezulluar. Vendin e shkodranit pritet ta zërë Sembene, teksa një opsion është edhe kroati Mikuliç. Në sulm i gatshëm është Keko, i cili nuk u preferua ndaj Erzenit.