Davide De Gea, portieri i Manchester United, prej vitesh klasifikohet si një nga portierët më të mirë në botë, por në “Premier League” spanjolli kurrë nuk kishte mundur të fitonte një çmim.
Pritjes i ka ardhur fundi pikërisht në ndeshjen që “djajtë e kuq” zhvilluan mbrëmë kundër West Ham, me De Gean që fitoi “Golden Glove” (Doreza e Artë). Ky çmim i jepet 27-vjeçarit pasi ka rregjistruar ndeshjen e 18 gjatë këtij sezoni pa pësuar gol, duke siguruar që ai të përfundojë në krye të listës.
Ederson i Manchester City, i cili momentalisht ndodhet në vendin e dytë, e ka mbajtur portën e tij të pastër në 16 ndeshje të këtij sezoni. Me vetëm një ndeshje të mbetur për t’u luajtur në Premier League, ai nuk mund ta kapë homologun e tij nga “Old Trafford”.
Çmimi, i cili u shpërnda për herë të parë në sezonin 2004-2005, ka parë gjashtë fitues të ndryshëm që nga fillimi i tij. Joe Hart i Manchester City, pastaj Petr Cech me Chelsea dhe Arsenalin, janë liderët e këtij trofeu, me nga katër “Doreza të Arta” secili. Ish-portieri i Liverpool, Pepe Reina, e ka fituar çmimin në fjalë tri herë.