Noti shqiptar/ Suzana dhe Iliri, dy Mehmetët që “sunduan” garat në det dhe pishinë

PROFIL/ Flasin kampionët dhe rekordmenët motër e vëlla që shkruajtën histori në Notin shqiptar. Mjeshtri i Madh Sadik Mema i vlerëson pjesë e një familje notarësh të shquar

 

Agron KAJA

Sigal

Suzana: Në stilin e lirë, më dukej sikur ecja mbi ujë

Saranda është qyteti i Notit në Shqipëri, ju motër e vëlla si ndjeheshit në ambientin qytetar?

Në qytetin e Sarandës, por edhe në rrethe të tjera kur shkonim për garim, ne respektoheshim shumë në ambientet sportive. Jemi persona të njohur, madje edhe sot gëzojmë respektin dhe dashurinë e qytetarëve sarandiotë.

Cila ka qënë arsyeja që ju ushtruat notin dhe jo me ndonjë sport tjetër në Sarandë?

Noti ishte pasioni im, sepse unë e mendoja veten notare që në fëmininë time. Por edhe ata trajnerë që e zbuluan talentin tim, e bashkuan pasionin me punën në  sportin e notit, duke arritur deri në nivele të elitës.

Si e kujtoni nisjen e të ushtruarit në sportin e notit me garimin tuaj zyrtar?

Kishte emocione të mëdha, me dëshirën për të dalë kampione dhe rekordmenë. Ka qënë gara e 800 m Stil i Lirë ku zura vëndin e parë dhe thyeva rekordin kombëtar. Ne notarët në atë periudhë përgatiteshim shumë, por në kushte jo shumë të mira.

Cilën skuadër keni përfaqësuar në karrierën tuaj si notare?

Gjatë gjithë karrierës sime si notare, unë kam përfaqësuar vetëm me Butrintin e Sarandës dhe Kombëtaren, edhe pse në atë kohë më kanë kërkuar në Tiranë e Vlorë. Por, edhe kushtet e mia ishin të tilla që vetëm në Sarandë mundet të garoja.

Po trajneri në skuadrën e parë, si vjen sot në kujtesën tuaj?

Po, i kujtoj dhe ata janë për mua frymëzimi i karrierës. Bazat unë i hodha me trajnerin Stavri Caka, dhe më pas Esat Mamaca, Këta ishin trajnerët që më afruan, më trajnuan në bazat e notit të kohës, dhe karriera ime besoj se nuk i ka zhgënjyer.

Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?

Kam garuar vetëm në Stilin e Lirë, sepse ky stil më pëlqente shumë, më dukej sikur ecja në ujë. Edhe stilet e tjera më pëlqenin dhe i aplikoja gjatë stërvitjes, por stili i lirë mbeti “dashuria” ime në çdo garë.

Ju kujtohen rivalët tuaj në garat kombëtare që keni zhvilluar, cilët kanë qënë?

Kur garonim në kampionat e kupë, rivalitetin e kishim me ekipet e tjera, kryesisht me Flamurtarin e Lokomotivën e Durrësit. Por rivalitet kishte edhe brënda ekipit të Butrintit, ku të gjitha femrat ishin kampione dhe rekordmene.

Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar, stili dhe gara?

E kujtoj me shumë nostalgji thyerjen e rekordit të parë kombëtar. Në vitin 1973 në garën e 800 m Stil i Lirë, unë e ula kohën rekordet duke e thyer me 8 minuta. Ishte një kohë që qëndroi shumë gjatë pa u thyer.

Në karrierën tuaj si notare kampione e rekordmene, cilët ndani si momentet më të mira, dhe momente jo të mira?

Momente të mira noti ti dhuronte shumë shpesh, në përgatitje dhe në gara. Por kur fitonim garat, ato ishin nga më të bukurat. Ndërsa kur stërviteshim dhe trajnerët na vlerësonin për çdo garë, këto kanë qënë shumë inkurajuese.

Infrastruktura në sportin e notit në Sarandë dhe në gjithë Shqipërinë, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport?

Ka qënë pak e vështirë infrastruktura në kohën kur unë ushtrova sportin e notit. Fillimisht e nisëm te Zadra në det, por edhe kur shkonim në qytete të tjera kushtet kanë qënë det-liqen. Më vonë u bënë pishinat, por unë kam garuar në këto kushte.

Pas largimit nga aktiviteti si notar, ju e vazhduat marrëdhënien me notin, apo mbeti si një pasion?

Pasion mbeti dhe është ende, por unë kam qënë njëherësh edhe notare, e më pas trajnere të Butrinti. Edhe tani më kërkojnë prindër ti trajnoj fëmijët e tyre në sezonin e verës për t’u mësuar notin. Kam qënë e gatshme.

Keni marrë vlerësime e tituj sportivë si notare e trajner, cili ka qënë vlerësimet?

Si notare unë kam marrë titullin Mjeshtre e Sportit, që kur garoja si sportiste, sepse e kisha kapur normën në disa gara rresht. Mendoj se me rezultatet që kam arritur, e kam merituar, ndoshta edhe më shumë.

Ka mbi 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?

Unë e quaj një organizim të mirë këtë shoqatë, sepse e bashkon historinë e notit shqiptar. Por edhe duhet parë aktivizimi ynë, sepse duke qënë pak larg nga Tirana e rrethet e tjera ku janë mbledhur, pjesëmarrja ka qënë e pa mundur.

Noti ishte pasioni im, sepse unë e mendoja veten notare që në fëmininë time. Por edhe ata trajnerë që e zbuluan talentin tim, e bashkuan pasionin me punën në  sportin e notit, duke arritur deri në nivele të elites

CV sportive

Suzana Mehmeti

 

Datëlindja: 20 nëntor 1953

Vendlindja: Sarandë

Vendbanimi: Sarandë  

Arsimi: Universiteti Tiranës, Histori-Gjeografi

Profesioni: Arsimtare

Sporti që ka ushtruar: Notin

Karriera si sportist: Në vitin 1970 me të Rejat, me të Rriturat deri në vitin 1981  

Gara e parë në karrierë: Në vitin 1970, në Sarandë te Zadrat

Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1973, në 8 minuta në 800 m Stil i Lirë.

Tituj e trofe në karrierë: Kampione e rekordmene në 800 m Stil i Lirë dhe në 400 m Katërnotim-Stafetë

Gara e fundit në karrierë: Në fundin e vitit 1981

Tituj personalë në sport: Dekoruar me Medalje

Karriera si trajner: Në vitin 1981 me të rinj, meshkuj e femra të Butrintit

Kualifikime e formime: Për trajningun në sportin e notit disa kualifikime

Detyra në institucione sportive: Në Burimet Njerëzore, Bashkia Sarandë

Aktualisht: Në pension

Suzana dhe Iliri, pjesë e një familje notarësh të shquar

Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, i vlerëson maksmalisht notarët motër e vëlla, Suzana dhe Ilir Mehmeti. Madje ai përmënd edhe vëllain e madh të tyre, Edin, i cili ka qënë notar dhe trajner te Butrinti dhe në Kombëtare. “Suzana dhe Iliri kanë shumë mirënjohje dhe respekt si notarë kampionë dhe rekordmenë, të cilët i kanë dhënë shumë notit në Sarandë dhe atij kombëtar. Suzana ka thyer dhjetra rekorde kombëtare në stilin e lirë, por edhe Iliri gjithashtu, i cili ka qënë disa herë edhe anëtar i ekipit kombëtar. Në vitin 1972, Iliri ka qënë në Kinë si notar i perspektivës. Kur flasim për Suzanën dhe Ilirin në sportin e notit, unë nuk mund të lë pa përmëndur Edin, vëllain e madh të tyre, i cili ka qënë notar shumë i mirë, trajner i ekipit të Butrintit kur sarandiotët zotëronin notin shqiptar. Madje Edi ka qënë edhe trajner i ekipit kombëtar, është angazhuar deri vonë në FSHN si zëvëndëspresident dhe anëtar i kryesisë. Janë një familje e shquar notarësh, që i kanë dhënë shumë notit shqiptar”, kështu i vlerëson Mjeshtri i Madh, Sadik Mema.

 

Iliri: Edhe sot mbetem “peng” i pasionit për notin

Cila ka qënë arsyeja që ju ushtruat notin në Sarandë, apo motra juaj Suzana u bë shkas për karrierën?

Jam rritur me detin, sepse shtëpia ime ka qënë 30 m larg tij. Unë isha më i vogli i fëmijëve, dhe motra me vëllanë më merrnin me vete. Mbetesha aty dhe nisa të aktivizohesha që në vitin 1966, ku si pionierë çelnim garat e notit në Sarandë.

Juve jeni nga Saranda, qyteti i Notit në Shqipëri, si vëlla e motër, ndjeheshit të respektuar në ambientin qytetar?

Patjetër që jemi ndjerrë e ndjehemi të respektuar në ambientin qytetar në Sarandë. Këtu tre sporte ishin: Noti, Shahu e Qitja, por në not mbusheshin plot shkallët e pishinës. Në stërvitje, pishina mbushej sa garat e kontrrollit zhvilloheshin si gara  kampionati.

Me garimin tuaj zyrtar, si e kujtoni nisjen e të ushtruarit në sportin e notit?

Me thënë të drejtën, ishte viti 1969 në Pogradec në kampionatin kombëtar të pionierëve, sot të rinj. Atëhere isha 11 vjeç dhe isha me passion për notin. Trajnerët më kanë vlerësuar për talentin, i cili më dha këtë rrugëtim në karrierë.

Gara e parë zyrtare që ju keni zhvilluar, cila ishte dhe me cilën skuadër?

Me Butrintin në vitin 1969, sikundër edhe u shpreha më sipër. Unë kam garuar për Butrintin, për Partizanin dhe Kombëtaren shqiptare të Notit. Kam garuar vetëm në elitën e notin shqiptar, dhe këtë e quaj pjesë të pasionit.

Po trajneri në skuadrën tuaj të parë, si vjen sot në kujtesën tuaj?

Kanë qënë disa. Në vitin 1969 kisha Spiro Koçën, në vitet 1970-1973 Anthulla Ikonomidhin dhe motrën time, Suzanën. Ndërsa në vitet 1973-1975 me vëllain tim Edin, në 1976-1981 me Spiro Koçën. Tek Partizani kisha trajner Petrit Casllin.

Cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ, në garat që ju keni zhvilluar?

Unë i kisha të preferuar të gjitha stilet, por më të veçantë Stilin e Lirë dhe Delfin. Trajneri i Partizanit, Petrit Caslli, më fuste edhe si “xhol” në 100 m Delfin, kur i duheshin pikët ekipit. Garonim në tre gara individuale, dhe në dy stafeta.

Rivalët tuaj në garat kombëtare dhe ndërkombëtare ku keni zhvilluar, cilët kanë qënë?

Ishin shumë rivalë, por në gara për mua rival ishte Ardian Shashaj i Dinamos. Në 200 m Katërnotim rival kisha edhe Edmond Memën, një notar i talentuar, ndërsa te  Lokomotiva e Durrësit, rivalë kisha Fatmir Kërçikun dhe Met Kikrrin.

Rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar, stili dhe garën, si e kujtoni?

Nostalgjia më zgjon kujtesën. Në vitin 1971, në garën e 100 m Delfin në Tiranë, me kohën 1’38”06. Në Katërnotim 200 m kam thyer rekordin në 3’03”04, rekord që nuk thye për 15 vite. Këto janë kulme të pa harrueshme në karrierën time.

Në karrierën tuaj si notar kampion e rekordmen, cilët ndani si momentet më të mira dhe jo të mira?

Kam shumë, por kur fitoja një garë kisha shumë emocion. Dukej sikur isha mbi të tjerët, ndërkohë që në atë kohë kishte edhe makinacione, kryesisht nga Lokomotiva në Lushnje. E kujtoj si moment që nuk duhet të më kishte ndodhur në karrierë.

Keni qënë për disa kohë edhe në Kinë për trajnim, si e mbani mënd atë periudhë?

Një periudhë e artë për mua. Sepse isha 14-15 vjeç kur unë shkova në Kinë, aty ku mësuam shumë nga trajnerët kinezë. Ata ishin shumë përpara në sportin e notit, por edhe se kishin një infrastrukturë nga më të mirat e kohës.

Po infrastruktura në sportin e notit si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport?

Stërviteshim në Zadrat e Sarandës dhe notonim në pishinën e Lushnjës me ujë kanali, si dhe në Durrës me ujin e detit. Nuk ishte ndonjë infrastrukturë e veçantë, por që pasioni dhe mosha e kalonin çdo vështirësi të infrastrukturës.

Pas largimit nga aktiviteti si notar, ju e vazhduat marrëdhënien me notin, apo mbeti si një pasion?

Jo, asnjë gjë me notin pas largimit tim në vitin 1981. Sepse nuk më la puna që bëja si shofer autobuzi, që të merresha me trajningun në not. Kam qënë në aktivitete që zhvilloheshin këtu në Sarandë, gara dhe në maratonë.

Në gjithë karrierën tuaj si notar elitar, keni marrë vlerësime e tituj sportivë?

Në kohën kur unë bëra sport në not, e kam kapur normën e Mjeshtrit të Sportit. Unë këtë normë e kapa në vitin 1978, ndërsa ceremonia u zhvillua në vitin 1995. Ky është titulli që më mban të gjallë kujtesën e karrierës si notar.

Ka mbi 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?

Është një shoqatë shumë e mirë. Nëse do kisha kushte pune më të mira, do isha shumë prezent në takimet dhe veprimtaritë që organizohen. Them se kjo shoqatë e freskon historinë, por edhe brezat duhet ti motivojë të ushtrojnë sportin e Notit.

Pas lënies së sportit, kam punuar gjithë kohën si shofer autobuzi me sportin dhe me qytetarët, me itinerar në gjithë rrugët e Shqipërisë. Kur kaloja pranë detit ose pishinave, ndjeja kënaqësi dhe nostalgji. Edhe sot mbetem “peng” i pasionit

CV sportive

Ilir Mehmeti

Datëlindja: 29 qershor 1958

Vendlindja: Sarandë

Vendbanimi: Sarandë

Arsimi: Të Mesmen

Profesioni: Drejtues mjeti motorrik

Sporti që ka ushtruar: Notin

Skuadrat që ka garuar: Me Butrintin në vitet 1975-1977; me Partizanin 1977-1979, dhe me Butrintin 1979-1981

Karriera si sportist: Në vitin 1969-1977 me Butrintin, 1977-1979 me Partizanin, 1979-1981 me Butrintin. Me Kombëtaren 1972-1981.

Gara e parë në karrierë: Në vitin 1969 në Pogradec, në garën100 m Delfin.

Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1975 në 200 m Katërnotim, në Durrës, koha 3’03”04

Garat Ndërkombëtare në karrierë: Në vitin 1972 gara me përfaqësueset e Kinës. 6-7 gara vetëm në Kinë.

Tituj e trofe në karrierë: Në vitin 1977, norma e Mjeshtrit të Sportit

Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1981

Tituj personalë në sport: Mjeshtër Sporti në 1993

Aktualisht: Në pension