NOTI SHQIPTAR/ U mbyllën garat e Kampionatit Kombëtar të Fëmijëve ku nuk munguan rekordet. Për “Telegraf”, Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku tregon detaje!
Viti sportiv 2025 nisi me garat e Kampionatit Kombëtar të Fëmijëve në pishinën 25 m, si e përshkruani?
Fillimi i garave me fëmijët, është një nisje e bukur. Sepse ata janë njëherësh edhe e ardhmja e jetës, si dhe e ardhmja e notit në vëndin tonë. Ishte një fillim i mirë, i cili njëherësh i mban fëmijët larg veseve të rrugës dhe sëmundjeve të ndryshme.
Masat e marra nga FSHN-ja në këtë kampionat, ishin edhe këto pjesë e arritjeve në këtë kampionat?
Si gjithmonë, është bërë traditë në sportin e Notit që masat paraprake të jenë të plota dhe në funksion të ritmikës së zhvillimit të çdo eventi. Të gjitha arritjet e jistifikuan çdo para përgatije që e bënë të zhvillohet në normalitet të plotë.
Ku mendoni se dalloi më shumë ky kampionat: Në cilësi, rezultate apo në rekordet kombëtare?
Unë mendoj se në të tre këta tregues, ky kampionat mbetet për të veçuar. Çdo rezultat i lartë, çdo rekord kombëtar i thyer, tregoi se ishin bërë përgatitje serioze nga trajnerët e notarët. Dhe në të gjitha garat, impenjimi ishte normal.
Pjesëmarrja në këtë kampionat në vitin e kaluar ishte e lartë, edhe këtë vit kështu ndodhi?
Pjesëmarrja ishte e mirë, me garues e trajnerë nga 7 qytete të Shqipërisë, të cilët ishin të inkuadruar në 13 ekipe. Rreth 150 notarë fëmijë në tre Kategori, Meshkuj e Femra: A, B, dhe C së, treguan se nga viti në vit pjesëmarrja është e qëndrueshme.
Cilin nga ekipet do ta veçoni në këtë start të vitit që e nisët në fundjavën e shkuar?
Ekipi më i mirë u veçua me rezultatet që arriti. Mendoj se “Te Stela” e meritoi trofeun e këtij kampionati, por edhe Tirana, Vllaznia e ndonjë skuadër tjetër, kishte garuese të denja dhe me rezultate në rritje.
Në pozicionin e Presidentit të FSHN-së, cila është nota që ju e vlerësoni këtë kampionat të fëmijëve?
Në të tilla evente, më shumë vlerë ka vlerësimi teknik që e bëjnë specialistët. Por unë si një ish-notar dhe aktualisht President i FSHN-së, këtë kampionat e vlerësoj me notën 8.5 me shumë meritë dhe pa asnjë rezervë.
Një mesazh juaji për trajnerët e notarët, për veprimtaritë që do të zhvillohen gjatë vitit 2025, cili është?
Të përgatiten ritmikisht para çdo gare, ku trajnerët duhet të përsosin metodikat e tyre të trajningut me çdo grupmoshë. Pjesëmarrje dhe rezultate të larta, në këta dy tregues do tu sugjeroja përmirësimin notarëve dhe trajnerëve të tyre.
Si e përshkruani rrugëtimin që ju do kryeni gjatë këtij viti sportiv 2025?
E mendoj një rrugëtim të bukur, sepse vetë sporti i notit është i tillë. Por e mendoj edhe të vështirë, sepse pa ato nuk vjen progresi. Nëse i referohem startit që mbyllëm dje, besoj se do jetë rrugëtim rekordmenësh në çdo stinë garimi.
E mendoj si nisje për një rrugëtim të bukur, sepse vetë sporti i notit është i tillë. Nuk e shikoj edhe të vështirë, pasi pa ato nuk vjen progresi !
REKORDET
KOMBËTARE
400 m Stil i Lirë
Meshkuj/ Kategoria B
Rikardo Lula 4’28”32
Rekordi ishte 4’31”00
100 m stil i lirë
Meshkuj/ Katgeoria B
Rikardo Lula 56’76
Rekordi ishte 56’98
Ekipet që garuan me 152 notarë M-F
Te Stela, Tirana, Teuta, Vllaznia, Partizani, Pogradeci, Albania, Skampis, Shkodra Not, Elbasani, Flamurtari, Vlora Not, SHSU
MË TË MIRËT
Ekipet
Ekipi Te Stela-Femra
Me 498 pikë
Ekipi Te Stela Meshkuj
Me 599 pikë
Individët
M/ Rikardo Lula (Alb)
Me 1012 pikë
F/ Luna Djarmati (Te Stela)
Me 1118 pikë
Kategoria A
M/ Rikardo Lula (Alb)
Me 1012 pikë
F/ Luna Djarmati (Te Stela)
Me 1118 pikë
Kategoria B
M/ Leon Hoxha (Te Stela)
Me 614 pikë
F/ Giada Champanile (Alb)
Me 772 pikë
Kategoria C
M/ Joel Golemi (Vllaznia)
Me 403 pikë
F/ Klea Dedi (Vllaznia)
Me 291 pikë
SHKODRANËT KAMPIONË
Në Kategorinë C, Vllaznia ishte fituese e dyfishtë
Kur bilbilat e gjyqtarisë nisën startin, dhe kur kronometrat e tyre fiksuan kohën në garat e Kategorisë C, dy fëmijët shkodranë ishin fituesit dhe më të mirët. Klea Dedi për Femra doli kampione në garat: 50 m Stil Shpinë, 100 m Stil Shpinë, 50 m Stil i Lirë dhe në Stafetën 100 m Katërnotim. Ndërsa Joel Golemi ishte absolute në stilin e lirë ku edhe fitoi në katër garat që garoi: Në 50 m, 100 m, 200 m dhe 400 m. Skuadra shkodrane kishte në përbërje 16 fëmijë në këtë kampionat, por Klea dhe Joeli e justifikuan gjithë përgatitjen që kanë bërë në këto muaj. Madje trajneri Kol Shiroka, dje pas garave u shpreh se këto dy notarë do jenë një e ardhme e mirë edhe për Notin shqiptar. Kësisoj, Vllaznia mbeti fituese e dyfishtë në Kategorinë C të Kampionatit Kombëtar të Notit për Fëmijë.
TRAJNERI FITUES/ “Te Stela” përsëriti suksesin e vitit të kaluar, trajneri Sadik Mema kërkon vazhdueshmëri
Fituam Kupën e Kampionatit, por prisja më shumë!
Agron KAJA

Në dy ditët e garave të Kampionatit Kombëtar të Notit për Fëmijë, trajneri i ekipit “Te Stela”, Mjeshtri i Madh Sadik Mema, thuajse i “shpërfilli” stolat e ndënjtjes në pishinë. Ritmika e garave, por edhe fluksi i lëvizjeve te fëmijët që kërkonin spjegim e drejtim, e “mbytën” Pupin, sepse në çdo garë ai shikonte pasqyrën e punës së tij. Për gazetën “Telegraf”, dje trajneri Mema tregoi për pjesëmarrjen, rezultatet dhe rekordet me pikatore nga ana e notarëve që ai përgatit në Akademinë e Notit “Te Stela”. “Ju po shikoni shumë fëmijë këtu rreth meje, por do t’u thoja se duhet të ishin më shumë. Sepse prisja 57 fëmijë në garë, ndërsa garuan 50. Ne si ekip garuam në të gjitha garat, ku nga notarët tanë dolën të gjithë kampionë, përjashtuar tre apo katër gara që u fituan nga notarët e ekipeve të tjera. Natyrisht që këto rezultate e tregojnë përkushtimin e notarëve në garë, por ato vijnë edhe si një shpërblim për trajningun në ekipet e fëmijëve këtu në “Te Stela”. Duke qënë se notarët dhe notaret që Mjeshtri i Madh Sadik Mema përgatit, fituan shumë gara, përmirësuan disa kohë dhe thyen vetëm një rekord kombëtar, ai e konsideron këtë tregues për t’u respektuar. “Sepse të fitosh tituj kampionë në djem dhe vajza, njëherësh edhe të thyesh një rekord që më pas u thye nga një tjetër notar, këtu kemi tregues pozitivë tek fëmijët që ne i përgatitëm dhe i angazhuam në garat e këtij kampionati. Kjo njëherësh është një punë e vazhduar së bashku me trajnerin Eduart Cane, i cili por tregon vlera në trajningun e tij”. Por Sadik Mema ka edhe një premtim për vazhdimësinë e garave në këtë vit sportiv. “Një pjesë e këtyre notarëve e notareve që garuan në këtë kampionat, do të marrin pjesë edhe në Kampionatin Kombëtar për të Rritur që do të zhvillohet në fundin e muajit prill. Atje do të kemi shumë përmirësim, dhe jo vetëm me rezultate të mira, por edhe me kohë të përmirësuar e rekorde kombëtare të thyera. AN “Te Stela” i ka të gjitha kapacitetet të jetë e tillë”, kështu e mbylli deklarimin e tij trajneri i ekipit “Te Stela”, Sadik Mema.
Luna Djarmati, kampionia në rritje, rekordmene e ardhshme
14 vjeçarja e ekipit “Te Stela” ishte kampione e padiskutueshme e garave në Kampionatin Kombëtar të Notit për Fëmijë. Në pishinën 25 m të Resportit, Luna tregoi rritje në garimin e saj, edhe pse rekordit i mbeti larg me pak sekonda. Pas garave, për gazetën “Telegraf”, kampionia shprehu krenarinë e saj për arritjen, si “Notarja më e Mirë? “ Natyrisht që ndjehem krenare, sepse jam stërvitur për këtë arritje. Kisha mundësi për më shumë, por përmirësimin do ta kem në garat e fundmuajit, ku do garoj me të Rriturat “Te Stela” në kampionatin kombëtar. Ndihma e trajnerëve mendoj se do ta bëjë të sigurtë rrugëtimin me trofe të tjerë në këtë vit stërvitor”, kështu u shpreh kampionia e ekipit “Te Stela”, Luna Djarmati.