Noti shqiptar përkujton Klavio Meçan, Çiraku: “Detyrim, ishte notari më i mirë i 30 viteve të fundit”

208

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit: “Sa të jem unë në krye të sporteve të ujit, ky aktivitet do të jetë i përvitshëm dhe gjithnjë në kujtim të Klavios”

Sigal

GJERGJ VYSHKA

Klavio Meça i ka bërë edhe një herë të gjitha bashkë në notin shqiptar. Pikërisht në kujtim të tij, teksa është edicioni i dytë i Kupës nën emrin e tij, në pishinë e mbyllur tek “Te Stela” është zhvilluar aktiviteti, i cili ka patur dhe termin “Perspektiva e notit”. Sepse Klavio Meça mishëronte të riun që kishte dëshirë të thyente çdo limit në sportet e ujit. Nëntë ekipe si Stela, Tirana, Partizani, Vllaznia, Teuta, Shoqata e Sporteve të Ujit, Skampis, Butrinti dhe Vlora Not kanë sjellë notarët e tyre më të mirë, teksa është konkurruar me program të reduktuar, por që në fund ka dhënë dhe rekorde të reja kombëtare. Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, ka vlerësuar jo vetëm aktivitetin dhe pjesëmarrjen e sportistëve, madje duke e parë dhe perspektivën e kapjes së normave të kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, por ka deklaruar se sa të jetë ai në krye të sporteve të ujit, Klavio Meça do të kujtohet gjithmonë. “Ishte notari më i mirë i 30 viteve të fundit. Ndaj e meriton”, thotë ndër të tjera presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”.

– E keni mbyllur vitin 2022 me Kupën “Klavio Meça”. Si shkoi aktiviteti?

– Edhe për shkak të finales së Kampionatit Botëror, Argjentinë – Francë, dy grupimet i mblodhëm në një. Kishte pjesëmarrje të bollshme dhe sigurisht dhe rekorde. Që do të thotë se ky fund viti nuk i ka gjetur të papërgatitura skuadrat. Numri i notarëve pjesëmarrës na bën optimist për vazhdimësinë.

– Është e vështirë të pretendohet cilësi në këtë fund viti. Megjithatë në syrin tënd si ishte përgatitja e notarëve?

– Unë e thash dhe më sipër, pjesëmarrja e bollshme na jep besim për vazhdimësinë. Përgatitja ishte e mirë. E kishin vlerësuar të gjithë këtë kampionat në emër të Klavio Meças. Dhe duket se i bën mirë të gjithëve që mbahen në aktivitet. Ndaj ndihem mirë.

– Ju e keni bërë të përvitshëm Kupën “Klavio Meça”. Do të vazhdojë më tej?

– Ne e kemi detyrim që ta përkujtojmë Klavio Meçan, që ishte notari më i mirë i 30 viteve të fundit. Sa të jem unë president ky notar, që na mungon shumë, do të përkujtohet gjithnjë.

– Viti i ardhshëm është viti i kualifikueseve të Lojërave Olimpike “Paris 2024”. Sa shanse ka noti shqiptar të jetë me normë kualifikimi në Olimpiadë?

– Mendoj se jemi pranë atyre normave të kualifikimit. Sigurisht që do t’i kryejmë të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, Botërore dhe Europiane, për ta arritur atë normë për herë të parë. Pra për të mos mbetur me ftesa. Dhe besoj se më 2024-ën noti do të jetë përkrahë të gjithë sportistëve shqiptarë të kualifikuar me normë në Paris.

– Së fundi, Tirana është shpallur kryeqyteti Europian i sportit për 2023. Sa mundësi keni të organizoni dhe ju një eveniment të tillë?

– Është e vështirë. Sepse së pari nuk kemi pishinat dhe infrastrukturën e duhur për të bërë aktivitete të tilla, por së dyti dhe niveli nuk është i atillë për të marrë përsipër aktivitete të tilla. Mos harrojmë që duhen financa. Pra janë shumë arsye për të thënë që nuk kemi mundësi për aktivitete të tilla.

Kupa “Klavio Meça”, tre rekorde të reja

Kupa “Klavio Meça”, aty ku u dallua Tirana për meshkuj dhe Stela për femra, dhuroi tre rekorde të reja kombëtare në Kategorinë A, apo ndryshe atë të të rriturve. Kështu rekordi i parë ka ardhur stafetën 4×50 metra stil i lirë, atje ku Tirana për meshkuj ka vendosur kohën e re 1’52”75. Rekordi i mëparshëm ishte 1’55”12. Rekordi i dytë do të vinte nga Arla Dermishi e Stelës, e cila në 50 metra stil i lirë për të rritur ka vendosur kohën e re 28”97. Rekordi i mëparshëm ishte në kohën 29”15. Dhe rekordi i fundit i Kupës “Klavio Meça” i ka takuar Tiranës, që në stafetën 4×50 metra miks, apo katërnotim, gjithnjë për të rritur ka fiksuar kohën e re 2’06”44. Rekordi i mëparshëm ishte në shifrat 2’06”88. Kështu me tre rekorde dhe një sërë rezultatesh pozitive, gjithnjë nën dominimin e Tiranës për meshkuj dhe Stelës për femra, noti shqiptar ka ulur siparin e aktiviteteve kombëtare për vitin 2022. Me shpresën që 2023-i do të jetë i suksesshëm në të gjitha aspektet.

REZULTATET TEKNIKE TË KUPËS “KLAVIO MEÇA”

MESHKUJ

50 metra stil i lirë                    Kostandin Llazari (Albania)               26”75

100 metra stil i lirë                  Kostandin Llazari (Albania)               58”53

50 metra bretkosë                   Joan Meshi (Partizani)                        34”94

100 metra bretkosë                 Patrik Kusi (Tirana)                            1’19”66

50 metra shpinë                       Lajdi Allaraj (Partizani)                      31”72

100 metra shpinë                     Dart Selimi (Tirana)                            1’13”34

50 metra delfin                       Lajdi Allaraj (Partizani)                      29”53

100 metra delfin                     Juri Kapoli (Tirana)                             1’06”75

100 metra katërnotim  Lajdi Allaraj (Partizani)                                  1’08”84

SI EKIP: Tirana 119 pikë

SPORTISTI MË I MIRË: Kostandin Llazari (Albania) 885 pikë FINA

FEMRA

50 metra stil i lirë                    Arla Dermishi (Stela)                          28”97

100 metra stil i lirë                  Julia Xhako (Tirana)                           1’03”16

50 metra bretkosë                   Erla Skënderi (Stela)                           42”79

100 metra bretkosë                 Erika Kërluku (Partizani)                    1’41”56

50 metra shpinë                       Uerda Jahaj (Vllaznia)                        35”47

100 metra shpinë                     Luna Djarmati (Stela)                         1’20”12

50 metra delfin                       Arla Dermishi (Stela)                          30”41

100 metra delfin                     Arla Dermishi (Stela)                          1’09”25

100 metra katërnotim              Julia Xhako (Tirana)                           1’11”62

SI EKIP: Stela 163 pikë

SPORTISTJA MË E MIRË: Arla Dermishi (Tirana) 1010 pikë FINA