Klavio Meça ishte notari simbol i punës, sakrificës dhe i njeriut të mirë që do të shërbejë për të gjithë ata që e ushtrojnë këtë sport. Rekordmen absolut në 100, 200, 400, 800, 1500 metra stil i Lirë. Gjithashtu, ai .ishte rekordmen në 400 m stil i Lirë në Kampionatin Botëror të Notit të zhvilluar në Budapest, në vitin 2017.
Agron KAJA

Ditën e shtunë datë 20 dhjetor 2025, Noti shqiptar zhvillon veprimtarinë e fundit të vitit 2025, “Kupa Perspektiva-Klavio Meça”. E nisur në vitin 2012 si “Kupa Perspektiva”, nga viti 2021 ajo ka marrë edhe emrin e ish-notarit kampion dhe rekordmen Klavio Meça, i cili u nda nga jeta në moshë fare të re. Tradicionalisht, ajo është fituar nga notarët e AN “Te Stela”, dhe një vit nga notarët e Tiranës. Por më shumë se sa fituesit, në këtë veprimtari rëndësi ka patur pjesëmarrja e lartë, cilësia e garimit dhe thyerja e rekordeve kombëtare. Këtë herë, AN “Te Stela” do garojë me 70 notarë, por duke qënë se do të marrin pjesë edhe gjashtë ekipe të tjera nga e gjithë Shqipëria, kjo pjesëmarrje do t’i kalojë tre shifroret. Sukese të gjithëve!
Nga njëra veprimtari në tjetrën, ky është “emisioni i ujit” që FSHN-ja ka në programin e saj vjetor!
Mendoj se deri në fundin e vitit do ta kemi kohën që të bëjmë së bashku një analizë të të gjitha veprimtarive të vitit 2025. Por gjithsesi, nga njëra veprimtari në tjetrën për këtë vit, niveli i garimit është rritur, bashkë me të edhe rezultatet e rekordet.
Si ka qënë ritmika e garimit nga notarët, nga veprimtaritë dimërore në pishinë 25 m, në ato verore në pishinë 50 m?
Kur them se është rritur niveli i garimit në çdo aktivitet kombëtar vjetor, këtu nuk ka patur dallim stine e pishine. Si në veprimtaritë dimërore në pishinë 25 m, dhe në ato verore në pishinë 50 m, ritmika e garimit në pjesëmarrje e cilësi ka qënë e lartë.
Në fundjavë, Kupa “Perspektiva-Klavio Meça” do mbyllë veprimtaritë e notit për vitin 2025, çfarë prisni gjatë garimit?
Edhe në këtë veprimtari presim pjesëmarrjen e zakonshme me ekipe nga e gjithë Shqipëria, por edhe rezultate në rritje. Në respekt të Klavios, ju them notarëve që të mos ndalojnë në thyerjen e rekordeve kombëtare, si edhe rezultatet e larta në gara.
Kjo kupë i dedikohet ish notarit Klavio Meça të ndarë nga jeta, mbetet ai një nga notarët e elitës në notin shqiptar?
Notari Klavio Meça ka qënë një shëmbull për gjithë notin shqiptar, dhe mendoj se e meritonte që ti dedikohej një veprimtari e tillë. Unë nga kjo bisedë u them familjarëve të Klavios, se ai do mbetet si pjesë e artë e historisë në notin shqiptar.
Edhe motra e Klavios, notarja Kaltra Meça e ka fituar këtë Kupë, është edhe një stimul respekti për të?
Kur e ka fituar Kaltra këtë Kupë, emocionet kanë qënë të mëdha edhe për ne si drejtuesa, për trajnerët dhe gjithë komunitetin e notit në Shqipëri. Ajo po e vazhdon rrugëtimin e Klavios si një kampione dhe rekordmene e suksesshme.
Ju si FSHN, si keni bashkëpunuar për organizimin e zhvillimin e Kupës “Perspektiva-Klavio Meça 2025”?
Në të gjitha pishinat dimërore e verore, në Tiranë e Durrës, bashkëpunimi i FSHN-së me klubet është ritmik. Ne marrim masat përgatitore dhe bëjmë organizimin, ndërsa ekipet përgatisin notarët për përfaqësimin e tyre në çdo veprimtari.
Për të plotësuar hapësirën pa veprimtari të tjera kombëtare dimërore, keni menduar të organizoni si kjo Kupë?
Si federatë, ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo veprimtari që i kushtohet emrave të tjerë në notin shqiptar. Natyrisht që këtu mbetet pengesë infrastruktura, kryesisht në rrethe, dhe për këtë po punojmë vit pas viti.
Disa notarë shqiptarë morrën pjesë në Kampionatin Europian në Poloni (pishinë 25 m), si ishin rezultatet e tyre?
Në cilësinë e Presidentit të FSHN-së, unë i përgëzoj të gjithë notarët që morrën pjesë në Kampionatin Europian në Poloni. Të gjithë garuan denjësisht, duke i rritur rezultatet e tyre dhe duke thyer disa rekorde kombëtare. Ju uroj sukses të gjithëve.

5 EDICIONE
Kupa “Perspektiva-Klavio Meça” zhvillohet për të pestin vit rradhazi, kushtuar ish-notarit të AN “Te Stela” Klavio Meça, i cili humbi jetën në vitin 2019. Më parë, ajo ka nisur në vitin 2012 si “Kupa Perspektiva”, me nisiatorë trajnerët e AN “Te Stela”, Pavllo Kisi dhe Sadik Mema.

Prindërit e Klavios shprehin respekt, babai Besniku: Faleminderit!

Babai i notarit Klavio Meça dhe i Kaltrës, Besnik Meça, në pishinat shqiptare njihet si prindi karizmatik, i cili dy fëmijët e tij notarë i ka ndjekur në ritmikën e garimit të tyre në të gjitha veprimtaritë ku kanë marrë pjesë, thuajse si një trajner. Por për Kupën në emrin e djalit të tij Klavio Meça, ai ndjehet në emocion dhe shpreh respekt për organizatorët. “Në fakt, muaji dhjetor për ne si familje është trishtim, sepse asgjë nuk është si më parë. Ne jetojmë me kujtimet e Kalvios, shkojmë tek varri i tij të modeluar si notar. Por kjo veprimtari është respekt që FSHN-ja i bën kontributit të Klavios, një vlerësim e nderim nga kjo federatë dhe Presidenti Agim Çiraku. Emocioni është diçka shpirtërore që falenderimin tonë e ka me përzemërsi. Ju uroj suksese të gjithë notarëve”, ishte ky emocioni që babai i Klavio Meça, Besniku, shpreh për Kupën “Perspektiva-Klavio Meça”.

TRAJNERI/ Mjeshtri i Madh Sadik Mema tregon vlerësimin e Akademisë së Notit “Te Stela”
Kupa “Perspektiva-Klavio Meça”, tradicionalisht trofeu ynë

Kupa “Perspektiva-Klavio Meça”, organizohet për të pestën here me këtë emër, si një veprimtari, që i kushtohet ish-notarit të ekipit “Te Stela”, Klavio Meça, i cili u nda nga jeta në moshë fare të re. Kjo veprimtari nisi me nisiativën e trajnerëve të notit te AN “Te Stela”, Sadik Mema e Pavllo Kisi, por më vonë morri statusin e një veprimtarie kombëtare, duke hyrë në kalendarin vjetor dhe drejtohet nga FSHN-ja. Vetë trajneri Sadik Mema, Mjeshtër i Madh, dje për gazetën “Telegraf” u shpreh se kjo veprimtari është fituar nga notarët e akademisë, përjashtuar në një vit që me meritë e fitoi Tirana. “Në vitin 2012, në vitin e parë të krijimit të AN “Te Stela”, së bashku me Mjeshtrin Pavllo Kisi, organizuam këtë veprimtari duke u quajtur “Kupa Perspektiva”, me pjesëmarrjen e notarëve të moshës deri në 14 vjeç. Kjo kupë u formatua si aktivitet kombëtar për moshat deri në 14 vjeç, ndërsa nisur nga viti 2021 ajo morri emrin “Kupa Perspektiva-Klavio Meça”, në nderim të notarit Klavio Meça që u nda nga jeta gjashtë vite më parë. Tashmë është viti i pestë me emrin e tij”, kështu e nisi bisedën Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, i cili më pas qartësoi edhe kthimin nën administrimin dhe organizimin e Federatës Shqiptare të Notit (FSHN). “Ka disa vite që kjo veprimtari ka kaluar në kalendarin vjetor të FSHN-së dhe organizohet nën kujdesin e saj. Në këtë hapësirë kohore nga viti 2012, këtë veprimtari e ka fituar gjithmonë Akademia e Notit “Te Stela”, duke përjashtuar një vit që me meritë e ka fituar Tirana. Këtë vit, Akademia e Notit “Te Stela” e ka vlerësuar seriozisht këtë veprimtari dhe do marrë pjesë deri 70 notarë, meshkuj e femra të moshës deri në 14 vjeç. Kupa në fjalë hyn në aktivitetet e rëndësishme të kalendarit vjetor kombëtar, sepse është në mbyllje të vitit dhe prezanton rezultatet më të mira pas një viti pune e përgatitje. Duke qënë se këtë aktivitet e organizion FSHN-ja, natyrisht që do ketë pjesëmarrje të lartë nga ekipet e tjera të Shqipërisë. Ndërsa me notarët e Akademisë “Te Stela” ne synojmë të thyejmë disa rekorde kombëtare për moshat, dhe padiskutim, ta fitojmë këtë veprimtari, e cila është edhe test për gjithë notarët”, ky është vlerësimi i Mjeshtrit të Madh, Sadik Mema, për Kupën “Perspektiva-Klavio Meça”.
Kaltra ti japë “mesazh” Klavios: Notoj për ty!
Notarja e Tiranës, kampionia Kaltra Meça, është motra e Klavios, të cilit i kushtohet Kupa “Perspektiva-Klavio Meça”. Por, në listën që FSHN-ja ka zyrtarizuar, ekipi i Tiranës mungon, ku arsyet tashmë dihen, mungesë e infrastrukturës stërvitore. Gjithsesi, Kaltra morri pjesë edhe në Kupën “Pavarsia” që u zhvillua muajin e kaluar në pishinën 25 m të AN “Te Stela”. Pritet që ajo të garojë, edhe për t’i dhënë mesazh Klavios: Notoj për ty!

70 notarë
Në garat e sotme në Kupën “Perspektiva-Klavio Meça”, ekipi i AN “Te Stela” do të përfaqësohet me 70 notarë, por që mund të rritet numri para garave.
100 notarë
Veç ekipit të AN”Te Stela”, në garat e Kupës “Perspektiva-Klavio Meça” do marrin pjesë edhe 6 ekipe të tjera, ku pjesëmarrja mund t’i kalojë 100 notarë.

Ekipet pjesëmarrëse
AN “Te Stela” Tiranë
Teuta Durrës
Partizani Tiranë
Vllaznia Shkodër
Flamurtari Vlorë
Skampis Elbasan
SH.S.U Tiranë
Programi i Garave
Datë 20 dhjetor 2025
1.4×50 stil i Lirë M+F
2.50m stil Shpinë M+F
3.100m stil i Lirë M+F
4.50m Bretkosë M+F
5.100m stil Shpinë M+F
6.50m stil Flutur M+F
7.Mix 4x50m M+F
8.100m Bretkosë M+F
9.100m stil Flutur M+F
10.50m stil i Lirë M+F
11.200m stil i Lirë M+F
12.100m Miks M+F
![Notii]](https://telegraf.al/wp-content/uploads/2025/12/Notii-696x405.jpg)




















