KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Nikolin Çoçlli, e vlerëson garën interesante deri në fund
Agron KAJA

Kampionati i Kategorisë së Parë nisi fazën e tretë të këtij sezoni, e cila konsiderohet nga gjithë specialistët e futbollit si fazë e llogarive për të gjitha skuadrat. Këtë mendim ka edhe specialisti i futbollit Nikolin Çoçlli, i cili dje për gazetën “Telegraf” u shpreh se faza e tretë trokiti me rezultate që më shumë paralajmërojnë se skuadrat e mëdha do jenë kockë e fortë për gjithë të tjerat. “Unë mendoj se, si Skënderbeu e Laçi, kanë krijuar profilin e tyre si komandues të kreut të renditjes. Të gjithë besojnë se skuadra korçare është për Superiore, por të presim deri në fund edhe dyluftimin e Laçit me Pogradecin. Ndërsa skuadrat e tjera treguan se, në këtë moment vendimtar duhet të besojnë në projektet e tyre për të bërë përmirësimet deri në finish. Të gjitha ndeshjet e javës së 23-të ishin të forta, por unë ndjej keqardhje për Apoloninë, Lushnjen dhe Besën që janë në pozicione të vështira në renditje”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit Nikolin Çoçlli, i cili mendon se gjatë sfidave të fazës së tretë, ndeshjet brënda fushës do jenë vendimtare për çdo skuadër. “Me rezultatet që do të shënohen gjatë kësaj faze të tretë, do shohim më shumë skuadrat e kreut si favorite. Por edhe ndeshjet brënda fushës do jenë primare për të gjitha skuadrat, ndaj unë them se rezultatet e javës së 23-të ishin në pritshmëritë e tyre. Zakonisht në këtë fazë fillojnë të bëhen mirë llogaritë nga të gjitha skuadrat, dhe është sikur të themi se janë me laps në dorë për çdo ndeshje. E veçanta e kësaj jave ishte se, në të gjitha ndeshjet u shënuan gola, edhe pse katër skuadra nuk e gjetën rrugën e rrjetës. Larmia e golave e bën futbollin më të bukur, sepse futbolli luhet edhe për spektaklin që dhuron goli”. Për Nikolin Çoçllin, në çdo javë, të gjashta ndeshjet do marrin statusin e kryendeshjes, për të gjithë arsyet e mësipërme, por edhe për strukturën e kampionatit. “Mund të themi se në çdo javë, nga skuadrat të gjitha ndeshjet do vlerësohen si kryendeshje. Kështu duhen vlerësuar, sepse vetë struktura e kampionatit dhe renditja e sjellin një vlerësim të tillë. Vetëm fakti që edhe Kukësi i vëndit të fundit nuk po dorëzohet, po e bën edhe më të bukur garën në këtë kampionat. Por kësaj kategorie, sidomos gjatë fazës së tretë, i duhet më shumë mbështetje nga tifozeritë”, kështu e analizoi Nikolin Çoçlli situatën e Kategorisë së Parë, kryesisht pas javës së parë të fazës së tretë.
LEGJIONARËT
La pas aksidentin, Rei Manaj shfaqet me gol te Sivaspor

Nuk kishte si të mungonte një gol nga Rey Manaj në fitoren 4-1 të Sivasspor ndaj Sakaryaspor. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare po tregon kështu se është në formën e tij më të mirë dhe nuk ka ndërmend të ndalet. Lushnjari si gjithmonë ishte titullarë me turqit, teksa e nisi sfidën me asist. Që në minutën e 6-të shërbeu në mënyrë perfekte për një tjetër shqiptar, Valon Et’hemin, me dyshen që i sollën edhe avantazhin Sivasspor. Por Manaj “kopsiti” paraqitjen e tij fantastike me gol. Në minutën e 90+2 gjeti rrugën e rrjetës, duke çuar shifrat në 4-1. Një gol spektakolar nga lideri i Kombëtares shqiptare, i cili e mbyll kështu ndeshjen në mënyrën e tij më të mirë të mundshme. Vlen të theksohet se Et’hemi shënoi edhe golin e dytë personal me Sivasspor në minutën e 21-të të përballjes. Padiskutim që kjo sfidë ka folur e gjitha shqip, me Manajn dhe Et’hemin që ishin vendimtar në 3 nga 4 golat e shënuar nga Sivasspor.
Fundjavë me gola dhe asiste, Arbnor Muja e bën sefte në Belgjikë

Edhe fundjava që lamë pas, solli paraqitje shumë pozitive për futbollistët shqiptarë që aktivizohen në skuadra të ndryshme në Europë e Botë. Në MLS, Myrto Uzuni e nisi sezonin me gol te Austin FC, në sfidën ndaj Minnesota United. Gol për herë të parë realizoi edhe Anis Mehmeti me fanellën e Ipsuiç. Në Belgjikë, Arbnor Muja vulosi fitoren 4-1 të St. Truiden në transfertë ndaj Dender, ndërkohë që kontribut me asiste dhanë disa kuqezinj të tjerë. Kristjan Asllani shërbeu për golin e dytë në suksesin 4-0 ndaj Goztepe; Qazim Laçi asistoi në golin e dytë në fitoren 2-0 ndaj Kocaelispor; Nedim Bajrami dha asist për golin e parë të Rangers në barazimin 2-2 ndaj Livingston. Formën e mirë po e konfirmojnë edhe Ernest Muçi, Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Arlind Ajeti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Taulant Seferi dhe Rey Manaj, ndërsa nga stoli u aktivizuan Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli dhe Adrion Pajaziti.
Trajneri i Burrelit drejton vetëm 11 minuta në bankinë!
Në javën e parë të fazës së tretë në Kategorinë e Parë, veç 12 golave që u shënuan, kishte edhe një të veçantë, e cila ndodh rrallë në këtë kategori. Ka qënë trajneri i Burrelit, Samuel Nikaj ai që morri vëmëndjen e kësaj jave me kartonin e kuq që iu dha nga arbitri që në minutën e 11-të. Gjyqtari nuk u kursye duke treguar menjëherë kartonin e kuq për trajnerin e Burrelit, pas protestës ku sapo ishte shkaktuar një faull në dëm të ekipit të tij. Burreli renditet në vendin e pestë dhe synon fazën “play off”.

KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java 24
E shtunë, 28 shkurt 2026
Korabi-Kastrioti 13:30
Apolonia-Pogradeci 13:30
Lushnja-KF Laçi 13:30
E dielë, 1 mars 2026
Iliria-Kukësi 13:30
Besa-Burreli 13:30
(Ndeshja luhet në Luz)
AF Luftëtari-Skënderbeu 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 23 54
2.Laçi 23 51
3.Pogradeci 23 46
4.Kastrioti 23 33
5.Iliria 23 32
6.Burreli 23 31
7.Besa 23 25
8.Korabi 23 25
9.Apolonia 23 24
10.Lushnja 23 20
11.AF Luftëtari 23 19
12.Kukësi 23 15
Java e 24-t luhet në dy ditë, ka duele me “ethe” mbijetese
Kategoria e Parë do të luajë në fundjavë ndeshjet e javës së 24-t. Kjo javë është parashikuar që të luhet në ditën e fundit të muajit shkurt, dhe në ditën e parë të muajit mars 2028. Kështu , tre ndeshje do të luhen të shtunën në ora 13:30, ku Pogradeci luan në tranasfertë ndaj Apolonisë, Lushnja do të përballet me Laçin dhe Korabi pret Kastriotin në Peshkopi. Ndërsa ditën e dielë do të luhen tre përballjet e tjera, me Kukësin që do të luajë në transfertë ndaj Ilirisë, Besa pret Burrelin në Luz dhe Luftëtari pret në Gjirokastër Skënderbeun kryesues. Të gjitha takimet do të luhen paralelisht në orën 13:30. Më shumë duken duele me “ethe” mbijetese.



















