Nga dyshimet në kampionatin shqiptar, tek dështimet e paralajmëruara në Europë

2272
Sigal

Nga humbja 8-1 e Flamurtarit, tek ajo 6-1 e Teutës. Rezultatet ndërkombëtare të ekipeve tona janë katastrofike

Historia e humbjeve të ekipeve shqiptare në Europë është e hidhur: Modhëruell-Flamurtari 8-1, Dniper Mogilev-Laçi 7-1 Trabonzpor-Vllaznia 6-0, Olimpiakos-Besa 6-1, Metalurg R.-Teuta 6-1, Jablonec-Flamurtari 5-1, për të mos i përmendur të zakonshmet 4-0, 3-0,etj. Ndërsa zyrtarët e futbollit tonë pretendojmë rritjen e cilësisë, ballafaqimi ndërkombëtar na lë zbuluar dhe na i heq ato meritat e “europianizimit” të topkëmbës. Në fakt, futbolli shqiptar ka qenë pre e dyshimeve të vetë UEFA-s.

 DYSHIMET NË FUTBOLLIN VENDAS

Dy organizmat më të larta futbollistike në Botë dhe në Europë, FIFA dhe UEFA, muajt e fundit vazhdimisht i kanë dërguar raporte drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, ku shprehen dyshime haptazi për rezultatet e disa ndeshjeve në Kategorisë Superiore, të bazuara mbi të dhënat e grumbulluara nga Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, një organizëm që bashkëpunon ngushtë me UEFA-n. Në periudhën dhjetor 2011-mars 2012, UEFA ka dërguar të paktën tri raporte ku janë të përfshira të paktën 26 ndeshje me rezultate të fiksuara, 18 prej tyre 100 për qind të sigurta si të tilla. Në muajin maj, në Shqipëri mbërriti zyrtari i Departamentit për Luftën Kundër Trukimit të Rezultateve në UEFA, Piere Kornu, i cili përveç takimeve rutinë në FSHF bëri dhe një vizitë pune në Prokurorinë e Përgjithshme. UEFA është e shqetësuar seriozisht për trukimet e mundshme të ndeshjeve në kampionatet e niveleve të ndryshme të futbollit shqiptar dhe nga skuadrat shqiptare. Ky ishte thelbi i vizitës së Kornusë. Në fakt, Federata Shqiptare e Futbollit i ka konsideruar ato raporte si “informacione rutinë që i shkojnë çdo federate futbolli në Europë”, ndërsa si hap të parë për të zbuluar dhe luftuar fenomenin e trukimeve ngriti Komisioni e Etikës, të miratuar në në Asamblenë e Përgjithshme të “topkmbës” shqiptare të zhvilluar në muajin shkurt, në Shkodër. Komisioni i Etikës do të bëjë seleksionimin e tyre sipas nivelit të dyshueshmërisë se trukimit 1, 2 apo 3, ku pa dyshim niveli 3 është ai më i larti, do të kalojnë në Komisionin e Disiplinës, i cili do të ngarkojë Inspektorët e Disiplinës për të hetuar lidhur me këto informacione.

 SERIAL HUMBJESH TË THELLA

Në sezonin 2009-2010, Flamurtari u rikthye në Europë pas një mungesë 13 vjetësh, qysh kur mori pjesë në Kupën e Fituesve të Kupave në edicionin 1996-1997, ku eliminua nga sllovakët e Chemlonit. Në Vlorë, e kishin pritur me padurim përfaqësimin ndërkombëtar, pasi kishin ende në kujtesë atë të triumf madhështor në vitin 1987, kur eliminuan Partizanin e Beogradit dhe u ndalën në turin e tretë nga spanjollët e Barcelonës. Gjithsesi, duke u kthyer në edicionin 2009-2010 të Ligës së Europës, ku Flamurtari mori pjesë me statusin e fitueses së Kupës së Shqipërisë, vlonjatët vendosën edhe një rekord negativ: pasi fituan 1-0 me Modhëruellin në Vlorë, humbën 8-1 në Skoci. Ky është dhe rezultati më negativ i një ekipi shqiptar në Europë. Në edicionin pasardhës, Flamurtari mori pjesë me statusin e nënkampiones së vendit. Eliminoi Buduçnostin e Podgodoricë në turin e parë të Ligës së Europës, dhe u shpartallua nga çekët e Jablonecit, me dy humbje, ajo në transfertë me rezultatin 5-1.

Këtë vit, Flamurtari u largua nga Liga e Europës, duke pësuar dy humbje me Honvedin (1-0, 2-0), pësuar tre gola dhe pa shënuar asnjë. Trajneri Shkëlqim Muça, pas të dyja ndeshjeve deklaroi se “ekipi i tij luajti mirë, por ishte i pafat”. Në Budapest, një gol ia mohoi dhe shtylla. Gjithsesi, një Flamurtar që investon prej vitesh miliona dhe i bën futbollistët milionerë, duhet ta shënonte një gol. Teuta, skuadra tjetër pjesëmarrëse në Ligën e Europës, pati statistika shumë të frikshme: 9 gola të pësuar në 180 minuta dhe dy humbje të rënda: 3-0 në Durrës (tre gola të pësuar në 20 minutat e fundit, pjesa e parë u mbyll 0-0) dhe 6-1 në Tbilisi (3-0, pjesa e parë; 3-1 pjesa e dytë). Një “thes” me gola, për Metalurgin, si të ishte ndeshje kontrolli. Teuta, pretendetja e fortë për titullin kampion në Kategorinë Superiore, u shkërmoq në Gjeorgji, si te ishte një skuadër e nivelit U-19. Kur shihje keqardhjen dhe ndonjë vetëprotestë të lojtarëve të saj, kur pësonin golat, nuk të linte aspak shihen e tragjikes, por të komedisë. Të gjithë dështuan në grup. Në fakt, po të shohësh serinë e rezultateve të ekipeve tona në transfertë, në tre vitet e fundit, shifrat janë të frikshme. Rapidi i Vjenës-Vllaznia 5-0 (Liga e Europës, 2009-2010), Modhëruell-Flamurtari 8-1 (Liga e Europës, 2009-2010),, Dniper Mogilive-Laçi 7-1 (Liga e Europës, 2010-2011), Olimpiakos-Besa 6-1 (Liga e Europës, 2010-2011), Jablonec-Flamurtari 5-1 (Liga e Europës, 2011-2012) dhe Metalurg R.-Teuta 6-1 (Liga e Europës, 2012-2013). Ndeshje të humbura me rezultat të thellë dhe me justifikime absurde nga drejtuesit: “kaq futboll dimë të luajmë”. Humbjet e turpshme, doemos tregojnë disnivelin e futbollit tonë me atë ndërkombëtar, por kur e mendon se gjashtë gola na shënon një klub modest gjeorgjian, atëherë këtij disniveli mund t’i shtosh edhe ndonjë tregues tjetër.

 DYSHIMET ZYRTARE TË UEFA-s

Në nëntor të vitit 2009, UEFA, përmes një publikimi në faqen e saj zyrtare, bëri të ditur se, Tirana dhe Vllaznia, ishin zyrtarisht në hetim për “trukim të ndeshjeve të tyre në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës”. Në edicionin 2009-2010, Tirana luajti kundër norvegjezëve të Stabaekut (Tirana humbi 4-0 në Norvegji), ndërsa Vllaznia luajti kundër Rapidit të Vjenës (shkodranët humbën 5-0 në Austri).  Si ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ashtu dhe ish-presidenti i Tiranës, Refik Halili, i hodhën poshtë akuzat e ngritura nga UEFA. Në fakt, asnjë konkluzion nuk doli më nga ky hetim. Bashkë me Tiranën dhe Vlllazninë, në atë kohë në listën e dyshimeve dhe hetimeve nga ana a Prokurorisë së Bukimit në Gjermani, u përfshinë edhe Dinaburgu, IB Ljubjana, por dhe Honvedi, skaudra që eliminoi Flamurtarin në edicionin aktual të Ligës së Europës. Para disa muajsh, Prokuroria e Bokumit publikoi për mediat edhe mënyrën sesi ishte trukuar ndeshja Rapidi i Vjenës-Vllaznia (5-0), madje duke përmendur emrin e ish-portierit të Vllaznisë, Olti Bishani, se kishte rënë pre e mafias së futbollit, që i kishte premtuar atij, 10 mijë dollarë, në qoftë se ai do të pësonte në pjesën e dytë më shumë se tre gola. Në fakt, Olti Bishani, portieri që mbrojti portën e Vllaznisë në humbjen 5-0 kundër Rapidit të Vjenës më 16 korrik të 2009, e hodhi poshtë çdo hipotezë të mundshme që mund ta përfshijë atë në afera të pista, duke deklaruar për mediat shqiptare se nuk kishte asgjë të vërtetë. Në fakt, futbolli kudo në botë prej kohësh është në qendër të vëmendjes dhe nuk janë të pakta rastet kur sindikatat e basteve janë të dyshuara se përpiqen më të gjitha mënyrat të blejnë lojtarët, trajnerët, gjyqtarët apo zyrtarë të tjerë. Rasti më i fundit i bujshëm vjen nga Italia, ku pati arrestime të shumta dhe dënime afatgjata. Prokuroria e Kremonës ka firmosur urdhër-arrestet për plot 19 persona, mes të cilëve kapitenin e skuadrës së Lacios, Stefano Maurin. Midis të dyshuarve u  përmend edhe emri i një shqiptari, Kujtim Gjoshi. Në pranga përfundoi edhe ish-futbollisti i Xhenoas, Omar Milaneto, të gjithë me akuzën për përfshirjen në organizata kriminale dhe paracaktimin e rezultatit të ndeshjeve. Operacioni u krye në Kremona, Breshia, Bolonja dhe Alesandria, ku dhjetë prej personave të arrestuar ishin lojtarë apo ish-lojtarë që janë aktivizuar në Serinë A dhe B. Gjithsesi, historia italiane nuk ka lidhje me futbollin shqiptar.

REZULTATET E DISA PREJ NDESHJEVE NDËKOBËTARE TË VITEVE TË FUNDIT

  1994-1995

Apolon Limasol-Teuta 4-1        Kupa e Kupave

 1998-1999

Genk-Apolonia 4-0               Kupa e Kupave

 2003-2004

Dandi-Vllaznia 4-0              Kupa e Kupave

 2004-2005

Otelul Galati-Dinamo 4-0        Kupa UEFA

Dinamo-Otelul Galati 0-4        Kupa UEFA

Partizani-Birkikara 4-2         Kupa UEFA

Partizani-H.B.Sakhnin 1-3       Kupa UEFA

 2005-2006

Varteks Varazhdin-Dinamo 4-1    K.Intertoto

Ekranas-Elbasani 3-0            Liga e Kampioneve

 2006-2007

Trabzonspor-Vllaznia 6-0        K.Intertoto

 2007-2008

Slaven Belupo-Teuta 6-2         Kupa UEFA

Bezhanija-Besa 2-2              Kupa UEFA

Besa-Liteks Loveç 0-3           Kupa UEFA

 2008-2009

Napoli-Vllaznia 5-0             K.Intertoto

 2009-2010

Rapidi i Vjenës-Vllanzia 5-0    Liga e Europës

Lahti-Dinamo 4-1                     Liga e Europës

Modhëruell-Flamurtari 8-1       Liga e Europës

 2010-2011

Stabaek-Tirana 4-1              Liga e Europës

Dniper Mogilive-Laçi 7-1        Liga e Europës

Olimpiakos-Besa 6-1             Liga e Europës

 2011-2012

Jablonec-Flamurtari 5-1         Liga e Europës

APOEL-Skënderbeu 4-0            Liga e Kampioneve

 2012-2013

Metalurg R.-Teuta 6-1           Liga e Europës

8-1

Ky është rezultati më i thellë që ka humbur një skuadër shqiptare në Europë. I përket Flamurtarit, që humbi 8-1 me Madhëruellin në Skoci, në edicionin 2009-2010 të Ligës së Europës.

 Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve

Në raportin e parë konfidencial të UEFA-s, përsa i përket shitjeve të ndeshjeve dhe manipulimit të rezultatit në kampionatin tonë, duke marrë në konsideratë të dhënat e Sistemit të Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, BFTS, që monitoron paratë e luajtura për ndeshje të caktuara dhe lëvizjet e koeficientëve, që sipas specialistëve sjell përcaktimin përfundimtar nëse një ndeshje është e fiksuar apo jo, ishin 14 ndeshje nga kampionati shqiptar: 12 sezonin e kaluar, dhe një në këtë aktual (Kastrioti-Vllaznia). Sipas raportit të UEFA-s, analizat tregojnë se një pjesë e tyre janë shumë të dyshimta, disa të fiksuara, dhe të tjera 100 për qind të fiksuara. Pikërisht, ishin 5 ndeshje të javës së 29 të Superligës (sezoni 2010-2011), që kanë rezultuar të trukuara, pra ndeshjet e zhvilluara në 20 prill 2011: Skënderbeu–Laçi 2-0, Flamurtari–Dinamo 6-2, Besa–Kastrioti 3-2, Elbasani–Teuta 2-4 dhe Bylis–Shkumbini 2-0. Vetëm ndeshja Vllaznia-Tirana i ka shpëtuar trukimit në këtë javë të Superligës. Në raportet e UEFA-s janë edhe 7 ndeshje të tjera të sezonit të kaluar, 12 mars 2011, Dinamo – Elbasani 3-1, 1 prill 2011, Laçi – Elbasani 3-1, 15 prill 2011, Dinamo – Skënderbeu 2-3 dhe Tirana – Elbasani 6-1, 19 mars 2011, Elbasani – Bylis 0-2, 24 prill 2011, Shkumbini – Besa 2-2 dhe 25 prill, Kastrioti –Teuta, 3-1. Sipas raportit të UEFA-s, të dyja këto skuadra kanë një histori të dyshimtë dhe për 14 ndeshje të tjera të luajtura, 9 prej të cilave kanë dyshime të forta, madje cilësohen si të trukuara.

 TRE RAPORTET E UEFA-s

 Raporti i parë

13 dhjetor 2011 – UEFA dërgoi në Federatën Shqiptare në raportin e parë në muajin në lidhje me 14 ndeshje të konsideruara të trukuara.

 Raporti i dytë

20 janar 2012 – Në raportin e dytë të qeverisë së futbollit europian, të dërguara në janar të këtij viti, në listë janë 10 ndeshje.

 Raporti i tretë

5 mars 2012 – Në raportin e tretë, të dërguar në muajin mars, ishin përfshirë dy ndeshje dhe katër skuadra të Superligës. Emrat janë të panjohur për publikun.