Ndriçim Kashami: Gara për kreun duket e fortë, Besa më e konsoliduar si kryesuese

KATEGORIA E PARË/ Në këndvështrimin teknik, specialisti Ndriçim Kashami zbardh ecurinë e garës në 15 javë, veçon tre të parat.

 

Agron KAJA

Agron Kaja
Sigal

Kategoria e parë i ka luajtur 15 javët e kampionatit, dhe nisur nga formula, është zhvilluar 50% e tij. Në këtë rrugëtim ku janë luajtur 90 ndeshje, skuadrat kanë treguar se e meritojnë pozicionin e tyre në tabelën e renditjes. Ndërkohë që për specialistin e futbollit në Kavajë, Ndriçim Kashamin, fakti që Vora është në kreun e renditjes në Kategorinë e Parë, nuk është rastësi. Për gazetën “Telegraf”, ai theksoi se është një nga ekipet më të mira në organizim dhe në organikë. “Unë nuk do e quaja një rastësi kryesimin e renditjes së Kategorisë së Parë nga skuadra e Vorës. Sepse është një nga ekipet më të mira në këtë kampionat, si në organikë, ashtu edhe në organizim e menaxhimin e saj. Ndaj nuk është jashtë logjikës së garës kryesimi i renditjes prej saj. Por do të shtoja se ka pranë dy skuadra të forta dhe me histori, dhe që të treja duhet t’i bëjnë mirë llogaritë për kryesimin, pasi dy prej tyre do të ngjiten direkt në Superiore”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit Ndriçim Kashami, i cili ka edhe disa vërejtje sa i përket “ndëshkimit” që i është bërë skuadrës së Besës në dy ndeshje. “Duhet ta themi se Besës i janë mohuar fitoret në dy ndeshje. Këtu veçoj ndeshjen me Pogradecin, për të cilën ende nuk ka asnjë reagim nga trupat gjykuese në FSHF. Po kështu edhe për dy penallti të padhëna në sfidën me Vorën, që gjithsesi tregojnë se është skuadra që nuk ka pësuar asnjë humbje. Gara për kreun duket e fortë, dhe kush i “vjedh” momentin njëra-tjetrës, do të ketë suksesin e kryesimit për ngjitjen në Abissnet Superiore”. Në 16 javët e luajtura, Kashami thekson se rivaliteti nuk ka munguar, por edhe diferencat e tre skuadrave kryesuese kanë qënë evidente. “Të tre skuadrat që kryesojnë: Vora, Besa e Flamurtari, dukshëm janë më superiore nga skuadrat e tjera, me të cilat them se i kanë mbyllur llogaritë. Ndaj edhe java e 17-të, në këndvështrimin tim teknik, parashikohet si një javë që do të sjellë ndryshime në kreun e renditjes, por edhe në mesin e tabelës. Këtë javë mendoj se kryesueset do jenë më të favorizuara, por kam dyshim për Flamurtarin në transfertën e vështirë në Fier. Do ketë edhe “beteja” të tjera si ajo Burreli-Kastrioti, pasi matjanët janë kthyer në faktor real në garën e 16 javëve të luajtura. Edhe pse në këtë kategori nuk ka ndjekje të ndeshjeve nga shikues të shumtë, mendoj se nuk do ja zbehin vlerat garës. Le të themi se do kemi një javë të trazuar në rezultate”. Duke qënë se në mbyllje të vitit 2024 Kategoria e Parë do të luajë edhe dy javë (12 ndeshje), Kashami nuk parashikon surpriza në renditje, duke e vendosur Besën në kreun e saj. “Janë edhe dy ndeshje për tu luajtur, dhe duke ju referuar kalendarit, Besa do ta mbyllë e para tabelën për vitin 2024. Për të gjitha skuadrat janë edhe 6 pikë në lojë dhe dritëhijet e renditjes do jenë të pranishme”, ishte kjo biseda me Ndriçim Kashamin, specialist në futbollin shqiptar, i cili në këndvështrimin e tij teknik zbardhi ecurinë e garës në Kategorinë e Parë.

Në palestrën e MMA-së, shqiptarët e Naples sfidojnë si liderë

Këta shqiptaro-amerikanë, jo vetëm që ishin liderë në ekipet e tyre, por “guxonin” të stërviteshin me uniformën kuqezi.

Këto ditë qëndrimi në Amerikë, më është dhënë mundësia që të shoh disa lloje sporti në të cilët  ushtrohen djem e vajza të qytetit Naples e rrethinave të tij. Mes futbollit e basketbollit, zgjodha këtë herë MMA-në (Kik Boksin) për të vetmen arsye, sepse aty ushtroheshin disa djem të rinj shqiptarë, të cilët jo vetëm që ishin liderë në ekipet e tyre, por “guxonin” të përgatiteshin dhe të garonin me uniformat kuqezi. Ndër ta ishin Deni, Mirjani, Gabrieli, Taulanti, Erjoni e disa të vegjël në moshë, të cilët e zotëronin palestrën mjaft funksionale “The Grounds MMA Academy“. Korrektësia e organizimi perfekt përgatitor dhe testues, çdo ditë mblidhte në këtë palestër djem shqiptarë të të gjitha moshave, të ardhur nga disa qytete në Naples. Dhe çfarë tërheq më shumë që sot “detyrohemi” të hedhim këto rreshta respekti në gazetën “Telegraf”? Po, janë disa arsye, dhe e para është ajo e cituar më sipër, sepse këta shqiptarë jo vetëm që ishin liderë në ekipet e tyre, por “guxonin” të stërviteshin me uniformën kuqezi. Sa prekëse ishte, sepse ata tregoheshin krenarë për prejardhjen e tyre, ndërkohë që të gjithë e flisnin gjuhën shqipe me lehtësi e qartësi. Dhe arsyeja tjetër ishte prova testuese në prag të garave të përgjithshme që ky shtet zhvillon gjatë muajit janar 2024, ku liderë ishin Deni e Gabri. Dhe kjo nuk është pak për ta thënë, njëherësh edhe për t’u bërë krenarë. Sepse është një sport individual që, veç vështirësisë, krenaria shqiptare mbetej në plan të parë. Ndoshta kështu mund të jetë edhe në shtete të tjera të Amerikës, por në Naples të Floridës ishte realitet.

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 16

Datë 14 dhjetor 2024

Burreli-Kastrioti                      13:30

Erzeni-Pogradeci                     13:30

Kukësi-Valbona                      13:30

Vora-Korabi                            13:30

Datë 15 dhjetor 2024

Apolonia-Flamurtari                13:30

Besa-Lushnja                          13:30

RENDITJA    

Skuadrat                    Nd       Pikë    

1.Vora                         15        37

2.Besa                         15        35

3.Flamurtari                 15        35

4.Burreli                      15        24

5.Kastrioti                   15        23

6.Lushnja                    15        21

7.Pogradeci                 15        18

8.Kukësi                      15        16

9.Apolonia                  15        15

10.Korabi                    15        13

11.Valbona                  15        10

12.Erzeni                     15        4