Sigal

Mançester Junajtid ka një problem shumë të madh para ndeshjeve të Ligës së Kampioneve: trafikun në rrugët e qytetit për të shkuar në “Old Traford”. Për të dytën ndeshje radhazi në këtë turne, autobusi i skuadrës u bllokua në trafik dhe Zhoze Murinjo preferoi të ulej e të shkonte në këmbë në stadium.

Ndonëse skuadrat zakonisht mbërrijnë një orë e gjysmë para fillimit të ndeshjeve, Mançester Junajtid mbërriti më pak se një orë para fillimit për shkak se kishte mbetur i bllokuar në trafikun e qytetit. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe për ndeshjen me Valencian, me skuadrën që u ndëshkua nga UEFA me gjobë prej 15 mijë eurosh.

Murinjo, i cili ishte paralajmëruar nga UEFA se mund të ndëshkohej nëse vonohej përsëri për të dorëzuar formacionin, zgjodhi të ulej nga autobusi, siç tregoi për mediat britanike para takimit.

“Ndërruam hotel, i riu është këtu afër. Por lojtarët mbetën në autobus për 45 minuta. Unë kam ecur me kapuç në mes të turmës. Askush nuk më njohu. Unë bëra 2 minuta, por këtë distancë që bëra duke ecur, djemtë nuk bënë dot në 45 minuta. Edhe Juventusi kishte këto probleme, e lajmëruam UEFA-n se nuk duam që të dënohemi përsëri”, shpjegoi Murinjo.