Merr fund pritja, De Biasi ulet në stolin e skuadrës italiane

611
Xhani De Biasi është shumë pranë firmës me klubin e Palermos, për të marrë drejtimin në një skuadër ku ka qenë protagonist edhe si futbollist gjatë karrierës së tij. Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, ka qenë mbrëmë i pranishëm në tribunën e stadiumit duke parë sfidën mes Çitadelës dhe Palermos dhe sipas mediave italiane, në këto ditë mund të diskutohet një marrëveshje mes palëve, pasi presidenti Mauricio Zamparini është gati t’i besojë De Biasit stolin me objektivin për të ngjitur klubin në Serinë A.
Edhe trajneri aktual i Palermos, Bruno Tedino, mendon se De Biasi do të ishte zgjedhja e duhur nëse klubi do të vendoste ta shkarkonte. Ai ka çuditur të gjithë mbrëmë duke deklaruar se do e shihte si krenari nëse do të hiqej nga drejtimin i skuadrës për t’i bërë vend ish-trajnerit të Shqipërisë.
“Unë mendoj se Palermo, ashtu si të gjitha skuadrat e Serisë A dhe B, me siguri do të bënin një goditje të madhe nëse do të merrnin Xhani De Biazin. E njoh mjaft mirë dhe kujtoj edhe numrin e targës që kishte makina e tij në sezonin e tij të fundit te Trevizo në vitin 1989-1990. Ai ka qenë dhe është një pikë referimi si njeri dhe si trajner, nëse do të zëvendësohesha nga ai, do të ishte krenari e madhe për mua”, deklaroi Tedino në konferencën për shtyp të dhënë dje pas barazimit pa gola ndaj Çitadelës që çoi në katër numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore të Palermos.
Sigal