Me këtë skandal, drejtuesit e KOKSH-it do e meritonin një kalim Vettingu

620
Nga Agron KAJA
PESHËNGRITJE/ Për gazetën “Telegraf”, Erkand Qerimaj, pohoi padrejtësinë për përjashtimin e Peshëngritjes nga Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”
Dita e djeshme ka qenë e “zjarrtë” për peshëngritjen shqiptare. Kanë qenë dy Kampionë: Erkand Qerimaj e Briken Calja, të cilët kanë denoncuar KOKSH-in, përjashtimin e peshëngritjes nga lista e delegacionit shqiptar që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018”. Kjo padyshim që mbetet tema më e nxehtë e ditëve të fundit në sportin shqiptar, dhe si Qerimaj, ashtu edhe Calja, në këto protesta kanë zgjedhur rrjetet sociale. Ndërsa shkodrani nuk hezitoi që gjithçka të shkruar në statusin e tij në Facebook, ta pohonte edhe për gazetën “Telegraf”, ku sipas tij, drejtuesit e KOKSH-it janë militantë, dhe për ta duhet Vettingu. “A është kjo një çmenduri apo skandal, edhe ju në gazetën tuaj quajeni si të mendoni. Por është një fakt i rëndë, sepse Sekretari KOKSH-it së bashku me Presidentin, përjashtojnë pa të drejtë peshëngritjen nga Lojërat e Mesdheut, një vendim ky i pa bazuar në ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare! Edhe më absurd është arsyetimi i tyre se, meqë Federata Botërore ka dënuar disa shtete, ne po dënojmë tanët pa asnjë arsye logjike. Këtyre i duket e tepërt të ngrenë Sportistët e Peshëngritjes flamurin shqiptar në Spanjë!”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij peshëngritësi Erkand Qerimaj, i cili më pas i referohet listës me 80 persona që do të jenë pjesë e delegacionit në këtë event të madh mesdhetar. “Një delegacion me mbi 80 vetë, që po t’i hedhësh një sy, dalin se shumë janë turistë e shkojnë për qejf atje, me paret e taksapaguesve shqiptarë. Me këtë abuzim, drejtuesit e KOKSH-it do e meritonin një kalim Vettingu, për të parë sa kanë abuzuar me fondet e bursat Olimpike, mundin dhe djersën tonë”. Për Erkand Qerimaj, dy drejtuesit kryesorë të KOKSH-it janë quajtur si militantë partiakë, të cilët u kanë mohuar peshëngritësve shqiptarë pjesëmarrjen në “Tarragona 2018”, e për më shumë, për të ngritur flamurin shqiptar në atë veprimtari. “Si mendoni se duhet të veprojmë në këtë situatë ne sportistët që na mohohet pjesëmarrja në Spanjë, pa asnjë ligj ku të thotë, se ne duhet të dënohemi, se neve na mohohet e drejta e për të përfaqësuar kombin, e për të ngritur flamurin shqiptar. Këta drejtues të KOKSH-it janë militantë të LSI-së”, kështu deklaroi dje Erkand Qerimaj për gazetën “Telegraf”, lidhur me përjashtimin e peshëngritjes nga lista e delegacionit shqiptar që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018”, Spanjë.
Lojërat Olimpike Mesdhetare, zhvillohen në Tarragona të Spanjës, në datat 22 qershor-1 korrik 2018, në 16 zona të dedikuara. Ato do të përfshijë 33 disiplina sportive, 4.000 sportistë nga 26 kombësi të ndryshme, 1.000 gjyqtarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, 1.000 gazetarë, 3.500 vullnetarë, dhe më shumë se 150.000 spektatorë
Reagimi i KOKSH, Bello: Kemi zero tolerancë për përdorimin e dopingut
Dje në mbrëmje, Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH-it, Stavri Bello, u është përgjigjur kritikave që tre peshëngritësit shqiptarë kanë bërë në lidhje me përjashtimin e Peshëngritjes nga Lojrat Olimpike Mesdhetare. Sipas Bellos, kjo masë është marrë që të ndërgjegjësohen të gjithë sportistët për mosmarrjen e dopingut. “Federata Botërore e Peshëngritjes ka kërkuar zero tolerancë për përdorimin e dopingut, prandaj bordi i KOKSH-it ka marrë një vendim për të pezulluar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes për një periudhë 2-vjeçare. Kjo edhe për t’i dhënë një mesazh disiplinave të tjera që kërkojë medalje, por ato ne i duam të pastra. Ky është edhe një mesazh edukimi për sportistët që arrijnë rezultatet në mënyrë të pastër”, ka deklaruar mes të tjerave dje Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, duke e mbyllur me faktin se, Federata e Peshëngritjes ka 11 sportistë të kapur me doping.
Deklarata e Briken Calja: Ndihem keq kur shoh se në dorën e kujt ka rënë KOKSH-i
“Mendoj se me këtë fakt, KOKSH-i ka prekur fundin e moralit. Vetëm kështu mund të përkufizohen deklaratat dhe vendimet e fundit të drejtuesve të saj. Unë jam shpallur kampion absolut i trefishtë i Evropës, dhe vendi i 5-të në renditjen e Lojërave Olimpike. Por, kur përjashtime të tilla bëhen mbi sportistë elitarë, ç’mund të themi për më të rinjtë? Në rast të një vendimi ekstrem kundër sportit, nuk do të jetë e lehtë, si e mendon KOKSH-i, sepse ne do t’i shkojmë deri në fund dhe me çdo kusht e çmim, qoftë dhe me Jetën tonë”.
Deklarata e Daniel Godellit: Ju sugjeroj të mendoheni mirë për veprimet që do të kryeni!
“E besueshme, apo jo, por peshëngritja shqiptare është e përjashtuar nga Lojërat Mesdhetare. Thonë se e ka vendosur kryesia e KOKSH-it, por ajo nuk mund të hedhë dëm pa të drejtë, djersën dhe mundin tonë. Sekretari i KOKSH-it (Stavri Bello), e ka privatizuar postin, dhe pa pikën e sedrës del e gjykon pa të drejtë. Nëse kanë marrë këtë vendim kaq të egër për peshëngritjen, do të kenë pasoja këta komunistë paragjykues dhe egoistë. Ju sugjeroj që të mendoheni mirë ju në KOKSH për veprimet që do të kryeni më pas!”
Sigal