Maradona udhëheq Argjentinën drejt trofeut të dytë botëror

589
Sigal

Botërori 1986/ Meksika organizon për herë të dytë Kupën e Botës

Kampionati Botëror 1986, i 13-ti, u zhvillua në Meksikë nga 31 maj deri në 29 qershor. Turneu ruajti formatin me 24 skuadra. Në fakt, ishte Kolumbia ajo që duhet ta organizonte Botërorin, por për shkak të arsyeve ekonomike ajo u tërhoq në vitin 1982, kështu që u zgjodh Meksika, e cila e kishte organizuar edhe Botërorin e vitit 1970. Kampionatin Botëror e fitoi Argjentina që fitoi 3-2 ndaj Gjermanisë, ku bënte pjesë edhe Hans Peter Brigeli, i cili 18 vjet më vonë do të bëhej trajneri i Shqipërisë (2004-2006). 24 ekipet e kualifikuara u ndanë në gjashtë grupe me nga katër skuadra (A-F). Dy vendet e para dhe katër vendet e treta më të mira të gjashtë grupeve avancuan në raundin me 16 skuadra, e më pas drejt çerekfinaleve, gjysmëfinales e Finales së madhe. Të papriturën e parë në botërorin meksikan e shënoi Italia, Kampione e Botës, e cila, pasi kishte dalë në çerekfinale në grupin e vet së bashku me Argjentinën, u eliminua lehtësisht nga Franca e Platinisë. Nëpër një kalvar të vërtetë kaloi RFGJ e Rumeniges e cila mezi u kualifikua në gjysmëfinale pasi mposhti Marokun 1-0. Anglia e lëkundur si barkë në grupin e vet nga takimet me Portugalinë 0-1, Marokun 0-0, shpërtheu befasisht duke mundur 3-0 Poloninë e mplakur të Boniekut me tre gola të “topçiut” Lineker. E përsëriti këtë sukses me të njëjtin rezultat dhe në çerekfinale me Paraguain. Në takimin me B.Sovjetik belgët fituan 4-3 me dy gola në pozicione të dyshimta jashtë loje të Shifos dhe Kulemansit. Te papriturën më të madhe e shënoi Spanja në takimin me Danimarkën që nisi si një shëtitje e lehtë për danezët pas golit të E.Olsenit dhe u mbyll me katastrofën e tyre të plotë 5-1 ku katër gola i shënoi Butragenjo. Në çerekfinale tri nga katër takimet; Francë-Brazil, RFGJ- Meksikë, Belgjikë-Spanjë u zgjidhën pas shtesës së lojës në 11-metërsh. Argjentina fitoi 2-1 kundër Anglisë pas golit të parë të shënuar me dorë në portën e Shiltonit të cilin e shleu me një gol të rrallë që ishte dhe i fitores. Pas fitoreve të pastra në gjysmëfinale ndaj Francës e Belgjikës, RFGJ dhe Argjentina u ndodhën në finale. Pjesa e parë u mbyll 1 – 0 për argjentinasit pas golit të Braunit që shfrytëzon një gabim të rëndë të portierit kundërshtar Shumaker. 11 minuta pas fillimit të pjesës së dytë kur Valdanoja shënoi përsëri, u duk se fitorja e argjentinasve ishte tashmë një aksiomë. Befas gjithçka mund të ishte përmbysur në 14 minutat e fundit gjatë të cilave gjermano-perëndimoret shënuan dy herë me anë të Rumeniges dhe Fëlerit. Po në tri minutat e fundit shpresat e trajnerit Bekenbauer për fitore i rrëzoi Burruçaga. Kështu Argjentina e Maradonës pas tetë vjetësh u shpall përsëri Kampione e Botës. Të 13 Kampionatet Botërore deri tani ishin fituar nga Brazili (3), Italia (3), Uruguai (2), Gjermania (2), Argjentina (2) dhe Anglia (1).

REZULTATET

Grupi A

Itali-Bullgari 1-1

Argjentinë- K.Jugut 3-1

Itali-Argjentinë 1-1

Bullgari- K.Jugut 3-2

Argjentinë-Bullgari 2-0

Grupi B

Meksikë-Belgjikë 2-1

Paraguaj-Irak 1-0

Meksikë-Paraguaj 1-1

Belgjikë-Irak 2-1

Belgjikë-Paraguaj 2-2

Grupi C

Francë-Kanada 1-0

B.Sovjetik-Hungari 6 – 0

Francë-B.Sovjetik 1-1

Hungari-Kanada 2 – 0

Francë-Hungari 3-0

B.Sovjetik-Kanada 2 – 0

Grupi D

Brazil-Spanjë 1-0

Argjentinë- I.Veriut 1-1

Brazil-Algjeri 1-0

Spanjë- I.Veriut 2-1

Brazil- I.Veriut 3 – 0

Spanjë-Algjeri 3-0

Grupi E

RFGJ-Uruguai 1-1

Danimarkë-Skoci 1-0

RFGJ-Skoci 2-1

Danimarkë-Uruguai 6-1

Danimarkë-RFGJ 2-0

Skoci-Uruguai 0-0

Grupi F

Poloni-Marok 0 – 0

Portugali-Angli 1-0

Angli-Marok 0-0

Poloni-Portugali 1-0

Angli-Poloni 3-0

Marok-Portugali 3-1

1/8 Finale

Meksikë-Bullgari 2-0

Belgjikë-B.Sovjetik 4-3

Brazil-Poloni 4-0

Argjentinë-Uruguai 2-0

Francë-Itali 1-0

Angli-Paraguai 3-0

Spanjë-Danimarkë 5-1

RFGJ-Marok 1-0

1/4 Finale

Francë-Brazil 1-1 (4-3 me 11-m)

RFGJ-Meksika 0-0 (4-1 me 11-m)

Argjentinë-Angli 2-1

Belgjikë-Spanjë 1-1 (5-4 me 11-m)

1/2 Finale

RFGJ-Francë 2-0

Argjentinë-Belgjikë 2-0

 

Finale për vendin III

Francë-Belgjikë 4-2 (me shtesë loje)

 FINALE

Argjentinë-RFGJ 3-2

 Argjentina: Pumpidu, Kucufo, Olartikocea, Batista, Ruxheri, Braun, Burruçaga (89’ Trobiani), Xhusti, Enrikue, Maradona, Valdano

RFGJ: Shumaker, Berthold, Foster, Brehme, Brigel, Eder, Mateus, Magat (Henes 61’), Jakobs, Rumenige, Alofs (Feler)

Shënues: Brun (A) 22’, Valdano (A) 56’, Rumenige (RFGJ) 74’, Feler (RFGJ) 84’, Burruçaga (A) 87’

Gjyqtar: Filho (Brazil)

 Përbërja simbolike

 Shumaker (RFGJ), Zhozimar (Brazil), Cezar (Brazil), Bosis (Francë), Amoros (Francë), Fernandez (Francë), Mateus (RFGJ), Burruçaga (Argjentinë), Elkjer (Danimarkë), Bellanov (B.S), Lineker (Angli)

 Geri Lineker, “Këpuca e Artë”

 Anglia nuk shkoi më shumë se në çerekfinale, ku u eliminua nga Argjentina (2-1), por “tre luanët” nxorën golashënuesin më të mirë të Botëorit, pikërisht Geri Linekerin. Sulmuesi anglez shënoi gjashtë gola, i ndjekur nga argjentinasi Diego Maradona, brazliani Kareka dhe spanjolli Emilio Butragenjo, që të tre këta me nga pesë gola. Linekeri, i cili në karrierën e tij sportive ka luajtur edhe për fanellat e Evertonit e Barcelonës, ka shënuar 40 gola në 84 ndeshje me Anglinë.

Maradona dhe “dora” e Zotit

 Nëse Argjenina u shpall kampione, titulli i dytë i saj pas atij në vitin 1978, ai që do të mbahet mend përjetësisht janë dy golat  kapitenit Diego Armando Maradona, të shënuar pikërisht kundër Anglisë: i pari, me “Dorën e Zotit” dhe, i dyti, me një sllallom gjigant në atë që është votuar si “Goli i shekullit” (të kaluar).

Në Botërorin spanjoll më 1982, pritet si një yll i ndritshëm,. por në atë meksikan Maradona, tashme 26-vjeçar, Argjentina kalon çdo pengesë. Nisi karrierën në radhët e Boka Juniors. Për një shumë përrallore si të ishte thesar i pashembullt e blen Barcelona. Po në Spanjë mbrojtësit ia bëjnë jetën skëterrë. Kalon me Napolin, ku luan prej disa vitesh dhe arrin ta çojë në piedestalin e kampionit.

 Platini

Francezi Mishel Platini fitoi me Juventusin Kupën e Kampioneve më 1985. Tri herë shënuesi më i mirë i Serisë A. “Topi i Artë” më 1983, 1984, 1985. 649 ndeshje dhe 353 gola.

 Butragenjo

Në Meksikë ende nuk ka mbushur 23 vjeç, po legjenda e sulmuesit spanjoll është e njohur nga bëmat e rralla në ndeshjet e Kupave të Kampioneve me Real Madridin.

 Zavori

Në skuadrën Dinamo të Kievit ku nis të luajë në fillim të viteve 80-të, është nga më të mirët. E njëjta gjë ndodh kur luan edhe në radhët e ekipit kombëtar.

  Shqipëria, ëndrra e parealizuar drejt Meksikës

 Shqipëria bëri një fushatë të shkëlqyer në eliminatoret e Botërorit 1986. Barazimi 2-2 në Poloni dhe fitorja 2-0 ndaj Belgjikës në “Qemal Stafa” (golat nga Arben Minga dhe Mirel Josa) krijuan shumë iluzione për të mbërritur në brigjet meksikane. “Djemtë” e Shyqyri Rrelit të udhëhequr nga kapiteni Muhedin Targaj bënë paraqitje të mira. Gjithsesi, humbja 1-0 me Poloninë në Tiranë me atë gol të realizuar nga Zbiginiev Bonjek, vetëm 48 orë pasi ai kishte fituar Kupën e Kampioneve i shoi të gjitha shpresat, pasi ajo u shoqërua edhe nga dështimi me Greqinë.

 Shefi i Sigurisë së FIFA-s jep alarmin: “Nuk mund të garantojmë pastërti të plotë”

 Trukimet “kërcënojnë” Botërorin

 Kur kanë mbetur edhe 13 ditë nga nisja e Botërorit të Brazilit, shqetësimi më i madh mbeten trukimet e mundshme. Shefi i Sigurisë së FIFA-s, Ralf Mutshke, gjatë një interviste të dhënë për rrjetin britanik BBC, pranoi se po bëhen përpjekje nga ana e bastvënësve për të trukuar ndeshjet e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik në planet. Shefi i sigurisë në FIFA-s, theksoi se shanset për t’u trukuar ndeshjet e Botërorit janë të pakta por jo të pamundura. Sipas tij, ka pasur disa përpjekje për të trukuar pikësëpari ndeshjet miqësore, që paraprinë kompeticionin, ku është nën hetim ndeshja mes Nigerisë dhe Skocisë, e përfunduar me rezultatin 2-2 dhe gjatë së cilës madje, futbollistët nigerian realizuan dhe një autogol në portën e tyre. Sipas drejtuesve të Interpolit, kjo e fundit nuk mund të garantojë pastërti të plotë gjatë zhvillimit të kompeticionit dhe pse po punohet shumë që futbollistët të mos kenë influencë nga jashtë për të mundësuar manipulimin e ndeshjeve. Mutshke bëri të ditur se ka pasur përpjekje për t’i ofruar lojtarëve të caktuar shuma rreth 20 mijë dollarë për të trukuar ndeshjet e kombëtareve të tyre. Mutshke theksoi se, duhet pasur kujdes mbi të gjitha nga mënyra e lojës së handikapit aziatik, pasi duke luajtur në këtë lloj forme bastvënësit nuk kanë nevojë të korruptojnë një skuadër të tërë, por një ose dy futbollistë apo qoftë dhe gjyqtarin. Për këtë arsye është punuar shumë me arbitrat e përzgjedhur që të mos bien pre e provokimeve. Sipas Mutshkes bastet ku mund të synohet më shumë manipulimet janë ato të numrit të golave, sipër ose poshtë 3 golave ose duke synuar kahun e rezultatit me ato skuadra që kanë pak pritshmëri për rezultate, ose me ekipet që në takimet e fundit në grup nuk kanë më objektiva për të realizuar.