Luan me skuadrat e fundit në kampionat, Tirana ndan sezonin në 270 minuta “zjarri”

14
Sigal

Tirana me shumë mundësi ndan këto 270 minuta sezonin e saj në 2023- 2024.

Do të luajë të shtunën në mesditë me Kukësin, ku nuk duhet të lërë asnjë pikë. Më pas do të luajë kundër Erzenit dhe në fund sërish në mesjavë ndaj Kukësit, këtë herë në Kupën e Shqipërisë. Duhet të fitojë dy ndeshjet e Superiores dhe në Kupë 3-0, që të kualifikohet në finale. Nëse nuk ia dalin, hedhin në “erë” sezonin.

KAMPIONATI – Të shtunën në orën 15:00, Tirana përballet me Kukësin. Në një ndeshje për kampionat, Ku Tirana vjen pas tri javësh pa fitore, dy prej të cilave në Superiore. Kukësi vetëm pak javë më parë e ka dërrmuar Tiranën në Kupë. Këtë sezon, Tirana vetëm me Kukësin deri tani ka pikët e plota. E kundërta është në përballjet e përgjithshme me 49 ndeshje, 22 të fituara nga Kukësi, 17 nga Tirana dhe 10 në barazim. Bardheblutë, duan edhe tri pikë të tjera. Kjo do të nxirrte Kukësin jashtë loje nga kampionati. Më pas është Erzeni, skuadra që ka mundur dy herë bardheblutë dhe ka marrë një barazim. Së bashku me Laçin e Partizanin, shijakasit janë një nga tri skuadrat që bardheblutë nuk kanë mundur dot këtë sezon.

KUPA- Tirana do të luajë më 24 mars gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë me Kukësi, ndërsa takimin e fundit në 4 mars 2024, verilindorët kanë fituar 2-0. Bardheblutë kanë humbur në Kupë edhe në 2 qershor 2019-ës ku ka qenë finalja e Kupës së atij edicioni. Verilindorët ia dolën të ngrinin trofeun falë fitores 2-1, me bardheblutë e sapokthyer që Superiore. Gjithsesi, për Tiranën Kukësi ka qenë në shumë raste ters në kupë. Në tri përballje të tjera përveç finales së fituar, në dy herë është kualifikuar Kukësi dhe një herë Tirana. Bardheblutë në sezonin 2016-2017 në dy ndeshjet fituan 2-1 dhe barazuan 0-0, shkuan në finale dhe fituan trofeun. Një vit më pas kur bardheblutë ishin në Kategorinë e Parë, Kukësi fitoi në shtëpi 1-0 duke llogaritur edhe barazimin e ndeshjes së parë u kualifikua më tej në Kupë. Kualifikimi tjetër i Kukësit është në 2012-ën e largët me verilindorët që fituan takimin e parë 4-0 dhe u mundën në të dytin 3-2. Shkurt, Kukësi është tersi i Tiranës në Kupë.

KUALIFIKIMI – Tirana shkoi në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, në një kualifikim dramatik kundër Teutës në “Elbasan Arena”. U deshën goditjet nga pika e bardhë e penalltisë që të përcaktonin fituesit, aty ku djemtë e Fagut u treguan më të qetë dhe të saktë. Të shohim nëse këtë herë nëse do të fitojë ekipi bardheblutë dhe do të kualifikohet. Thënë ndryshe në 270 minuta, Tirana luan një pjesë të mirë të sezonit.