Ledjo Pano: Panuçi ka nevojë ta njohë skuadrën, ndaj duhet të guxojë te të rinjtë

613
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Partizanit dhe i Kombëtares, djali i “Legjendës” Panajot Pano
Teknikisht, si e përshkruani barazimin e Kombëtares sonë me Maqedoninë?
Luajtën dy ekipe të të njëjtit nivel, por që ishte një ndeshje e luftuar, ku skuadrës sonë i mungoi shumë mentaliteti sulmues gjatë gjithë lojës. Kjo ndodh, sepse në skuadrën tonë kemi vetëm lojtarë punëtorë që vrapojnë, dhe nuk kemi nga ata që japin pasimin e fundit për golin. Edhe pse në dukje krijohej përshtypja ndryshe, në fushë dhe në shkallët e stadiumit, ka qenë një ndeshje e tensionuar.

Para ndeshjes, trajneri Panuçi deklaroi se edhe barazimin e kishte të siguruar, cilat mund të kenë qenë motivet e tij?
Motivet kryesore i di më mirë Panuçi, por si trajner i ri në Kombëtare, besoj se nuk e njeh mirë mentalitetin në skuadër. Unë mendoj se ai duhet të kishte aktivizuar mesfushorin Latifi, të paktën në njërën nga dy ndeshjet që u luajtën. Sepse ai është një nga liderët e Skënderbeut që po luan në grupet e Evropa Ligë, ndërkohë që aktivizoi lojtarë të tjerë që kanë pak minuta lojë në skuadrat e tyre.

Pas fitores me Litehshteinin dhe barazimit me Maqedoninë, mund të themi se ka dorë edhe Panuçi?
Unë them jo, sepse ishte i njëjti nivel e futboll si me De Biazin. Duke hequr shpirtin e garës në Kampionatin Evropian 2016, niveli i kësaj kombëtareje është i njëjtë. Dhe këtu më duhet të theksoj me forcë, se sjellja e tij (Panuçit) me Cikalleshin ishte një gabim, që u pasua me qëndrimin e FSHF-së.

Pas 8 ndeshjeve, kemi 13 pikë dhe renditemi në vendin e 3-të në Grupin G, sa pikë mund të marrim në dy ndeshjet e radhës me Spanjën dhe Italinë?
Duke ditur nivelin e Spanjës dhe të Italisë, teorikisht nuk mendohet asnjë pikë. Por, një barazim me Italinë do të ishte i pranueshëm, edhe për arsyen se skuadra italiane e “çimentoi” vendin e dytë në grup.

Pas këtyre dy ndeshjeve të para të tij, duhet që trajneri Panuçi t’u besojë elementëve të rinj dhe të tjerëve, për kualifikueset e Evropianit 2020?
Dy ndeshjet e fundit, me Spanjën dhe Italinë, do të jenë edhe një test për të gjithë skuadrën. Janë tre-katër titullarë të skualifikuar me kartonë, e besoj se këtu duhet që të zgjedhë Panuçi se cilët do të besojë, si një e ardhme, jo si e tashmja në këto dy ndeshje. Këto ndeshje duhet të jenë provat më reale për vazhdimësinë.

Sa baza ka kjo skuadër kombëtare për ndeshjet e Kampionatit Evropian 2020?
Formula e ndeshjeve kualifikuese në grupet e Kampionatit Evropian është më e thjeshtë se e Botërorit. Sepse hyjnë dy ekipet e para të çdo grupi, por edhe e treta më e mirë, njëherësh luhet edhe play-off me skuadrat e treta. Kështu që për Evropianin, ne favorizohemi shumë, dhe kemi mundësi për një paraqitje të mirë. Sepse lojtarët tanë janë rritur shumë në lojën e tyre në skuadrat ku luajnë në Evropë e në Botë, por ka edhe të tjerë që duhet të provohen.

Nëse do t’u kërkoja një vlerësim nga 5-a te 10-ta, cili do të ishte sipas jush për trajnerin dhe për skuadrën?
Për ndeshjen e parë me Litehshteinin, si skuadrës ashtu edhe trajnerit, unë i jap vlerësimin me notën 7. Ndërsa për ndeshjen me Maqedoninë, skuadrën e vlerësoj me notën 8, dhe trajnerin me notën 7.

Të shtunën starton sezoni 2017-2018 për Kategorinë Superiore, si është përgatitur skuadra e Partizanit?
Duke qenë se Partizani i ka zhvilluar përgatitjet jashtë Shqipërisë, na mbetet të presim kur ta shohim. Por, duke e ndjekur të ritmikë gjithë organizimin dhe plotësimin me elementë cilësorë gjatë merkatos së verës, them se do të jetë një skuadër e fortë dhe e denjë për titullin kampion. Do të jetë e vështirë, duke parë Skënderbeun e Kukësin, por besimi në këtë skuadër jep më shumë siguri në arritjen e këtij synimi madhor.

Mendoni se Skënderbeu do ta përballojë ngarkesën në Evropa Ligë dhe në synimin për titullin kampion?
Skënderbeu ka rritje në lojë, ka elementë që po luajnë shumë mirë në Evropë, ndërkohë që ka bërë një merkato shumë cilësore. Këto janë detaje që e bëjnë rrugëtimin e saj më të sigurt, por që do të ndiqet nga Partizani, Kukësi, Flamurtari dhe më pak nga skuadrat e tjera.
Dy ndeshjet e fundit, me Spanjën dhe Italinë, do të jenë edhe një test për të gjithë skuadrën. Janë tre-katër titullarë të skualifikuar me kartonë, e besoj se këtu duhet që të zgjedhë Panuçi se cilët do të besojë, si një e ardhme, jo si e tashmja në këto dy ndeshje. Këto ndeshje duhet të jenë provat më reale për vazhdimësinë
Kupa e Botës “Rusi 2018” 
Grupi G
Ndeshjet e Shqipërisë
Shqipëri-Maqedoni 2-1
Lihteshtein-Shqipëri 0-2
Shqipëri-Spanjë 0-2
Shqipëri-Izrael 0-3
Itali-Shqipëri 2-0
Izrael-Shqipëri 0-3
Shqipëri-Lihtenshtein 2-0
Maqedoni-Shqipëri 1-1 
RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanjë 8 22
2.Itali 8 19
3.Shqipëri 8 13
4.Izrael 8 9
5.Maqedoni 8 7
6.Lihtenshtein 8 0
Grupi G/ Do të luhen
Datë 6 tetor 2017
Spanjë-Shqipëri 20:45
Itali-Maqedoni 20:45
Litehshtein-Izrael 20:45 
Datë 9 tetor 2017
Shqipëri-Itali 20:45
Maqedoni-Litehshtein 20:45
Izrael-Spanjë 20:45
Sigal