Ky Partizan të bën me zemër, fitorja e kuqe vjen në shtesë

471
Sigal

 “Demat” mposhtën 2-1 Laçin, falë golave të Maliqit e Hyshmerit. “Djemtë’ e Likës në vendin e dytë

Falë një goli të realizuar nga Renato Hyshmeri në minutën e 91-të, Partizani mori jo vetëm tri pikë të arta në fitoren 2-1 ndaj Laçit në “Qemal Stafa”, por tashmë e sheh vetën në vendin e dytë me vetëm tri pikë më pak se lideri i kampionatit, Skenderbeu. Një ndeshje me shumë emocione dhe përmbysje në impiantin ndërkombëtar të kryeqyteti, ku 15 herë kampionët jo vetëm që regjistruan fitoren e tretë rresht, por edhe revanshin ndaj kurbinasve, të cilët kishin fituar 1-0 në fazën e parë. Deri në minutën e 89-të, ishte Laçi që dukej se po dilte me tri pikë të çmuara, falë golit të shënuar nga Emiljano Veliaj nga pika e bardhë e penalltisë, por kosovari Behar Maliqi (89’) dhe më pas, elbasanasi Renato Hyshmeri (91’) prishën festën e laçianëve, që ndoshta e menduan para kohe suksesin. Të kuqtë krijuan volum të madh loje dhe raste të shumta për shënim, edhe pse ishin laçianët ata që kaluan të parët në avantazh me 11-metërsh, pas pengimit të nigerianit Çarls brenda zonës nga Udoh. Të befasuar nga goli i Laçit, të kuqtë u hodhën në sulm frontal. Një veprim u bukur i Malos, brenda zonës sfumohet nga portieri Llani që tregohet i vëmendshëm në ndërhyrje, por portieri tiranas nuk mund të bënte asgjë në minutën e 89-të, teksa Maliqi devijoi topin për në rrjetë pas një goditje këndi nga e majta. Partizani nuk humbet kohe, por rikthehet në gjysmëfushën e tij duke shpresuar që katër minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari do të mjaftojnë për të realizuar golin që do të vlente tri pikë. Dhe në fakt mrekullia ndodhi në kohën shtesë, teksa Hyshmeri, përballë Llanit edhe pse prirët me portën, ngre në qiell tifozërinë vendase, që besoi deri në fund te përmbysja e rezultatit. Me këtë fitore Partizanit ngjitet I vetëm në vendin e dytë, në kuotën e 23 pikëve, ndërsa Laçi zbret në vendin e pestë me 4 pikë më pak. Kjo është panorama e plotë e javës së 13 si dhe renditja e përgjithshme e Kategorisë Superiore. Sipari i javës së 13-të nisi në Krujë dhe Lushnjë, që dhuruan dy fitore me të njëjtin rezultat, 2-1, respektivisht të Kastriotit me Bylisin (një ndeshje e dyshuar) dhe Lushnjës me Tiranën (solli shkarkimin e trajnerit Bulku).  Skuadra e Artan Banos s’i jep asnjë mundësi e shpresë Tiranës së vendit të fundit, duke e mundur me rezultatin 2-1, ku gjithcka u zgjidh në pjesën e parë. Kastrioti rrezikoi shumë të mos shkonte dot më larg se barazimi 1-1 me ballshiotët, por mbrojtësi Arian Sheta ka shpërblyer mundin dhe djersën e të tijve dy minuta para fundit të kohës së rregullt. Në “Niko Dovana”, Bernard Berisha i ka dhënë fitoren e çmuar Besës ndaj Teutës, me këtë të fundit që nuk fiton prej tri ndeshjesh.

Kukësi fut në krizë Vllazninë

 Një Kukës cinik dhe rezultativ hakmerret ndaj Vllaznisë, duke fituar 2-1 në “Loro Boriçi”. Fitorja e katërt rresht për Kukësin, ndërsa kjo ishte humbja e tretë rresht për Vllazninë, që nuk fiton prej katër ndeshjesh, qysh nga suksesi 1-0 me Partizanin në kryeqytet. Vllaznia shënoi e parë me anë të Klodian Seminës në minutën e 33 pas një goditjeje këndi të shkodranëve. Presioni i vazhdueshëm i Kukësit u konkretizua me gol në të 53’, me autor Ylli Shametin, i cili nuk e pati të vështirë për ta dërguar topin pas shpinës së Vujadinoviç. Goli i fitores për kuksianët do të vinte në minutën e 75-të, pas një rrëmujë të krijuar në portën e Vujadinoviçit. Gjithçka nisi nga këmbët e Gerhard Prognit, krosimi i të cilit përfundon në shtyllë, aty përfiton Cikalleshi që shtyp topin drejt rrjetës I ndihmuar edhe nga devijimi I Popoviç. Kukësi trani e sheh veten në vendin e tretë me 21 pikë, ndërsa Vllaznia e zbret në vendin e 7-të, vetëm 2 pikë larg zonës së ftohtë.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 13

Dje,

VLLAZNIA-KUKËSI 1-2

Golat: Semina 35’ / Shameti 53’, Popovic 75’

SKËNDERBEU-FLAMURTARI 2-0

Golat: Arapi 32’, Pejic 54’

PARTIZANI-LAÇI 2-1

Golat: Maliqi 89’, Hyshmeri 90+1’ / E.Veliaj 68’ (pen)

Të shtunën,

TEUTA-BESA 0-1

Golat: Berisha 57’

KASTRIOTI-BYLIS 2-1

Golat: Sefa 15’, Sheta 88’ / Bakiu 74’

LUSHNJA-TIRANA 2-1

Golat: Canka 23’, Mihani 40’ / Pashaj 42’

RENDITJA

1    Skënderbeu      13   +10  26

2    Partizani       13   +3   23

3    Kukësi          13   +1   21

4    Teuta           13   +1   20

5    Laçi            13   -1   19

6    Lushnja         13   -1   18

7    Vllaznia        13   +2   17

8    Flamurtari      13   +1   17

9    Besa            13   -3   15

10   Bylis           13   +1   15

11   Kastrioti       13   -4   15

12   Tirana          13   -10  1

Peqinasi është tekniku i katërt që drejton 24 herë kampionët gjatë këtij edicioni, pas Dedes, Gallos e Bulkut

 Magani “martohet” me Tiranën: “E mbaj unë në Superligë!”

 Gugash Magani është trajneri i ri i Tiranës. Peqinasi ulet në bankinën e “minuar” të një skuadre totalisht në krizë, pas shkarkimit të Sokol Bulkut, i cili mbijetoi vetëm një ndeshje në krye të stolit bardheblu, atë në humbjen 2-1 me Lushnjën, e që prodhoi dështimin e pestë rresht të 24 herë kampionëve. Presidenca e Tiranës nuk humbi kohë dhe e gjeti shumë trajnerin e ri, duke gjetur marrëveshjen me ish-teknikun e Shkumbinit, Flamurtarit, Besës e Teutës. Gugash Magani, i cili nisi menjëherë punën në “Skënder Halili” në futbollisët që sipas tij kanë cilësi, por thjesht duhet të vrasin frikën për t’u kthyer te rezultatet pozitive. Trajneri peqinas është tashmë një tenkik me eksperiencë dhe e ka përvojën për të mënaxhuar situata të vështira, boll të kujtojmë se arriti ta mbajë në Superligë Flamurtarin e tre sezoneve më parë, teksa arriti ta nxjerrë nënkampion të vendit. Sipas burimeve nga klubi u bardheblu, një nga kushtet Maganit për të pranuar ofertën e Tiranës, është edhe afrimi I disa lojtarëve cilësorë në merkaton e janarit. Sa u përket objektivave, ish-trajneri i Teutës qëndron si gjithmonë me këmbë në tokë deklaron se ekipi do te mbijetoje ne Superiore. Gjatë 13 javëve të para, Tirana është drejtuar nga tre trajnerë: Nevil Dede (1-8) dhe Alpin Gallo (9-12), Sokol Bulku (java 13),por asnjë prej të dyve nuk ka mundur ta nxjerrë skuadrën me më shumë trofe nga kriza e rëndë. Klubi me më shumë trofe në vend ndodhet në vendin e fundit, duke përjetuar në krizë të vërtetë rezultatesh, boll të kujtojmë faktin se nuk ka marrë asnjë pikë në katër ndeshjet e fundit, duke qenë njëherësh edhe skuadra me sulmin më të dobët në kampionat: vetëm katër gola në 12 ndeshje

TRAJNERËT E TIRANËS

NË KËTË SEZON

Nevil Dede (javët 1-8)

Alpin Gallo (javët 9-12)

Sokol Bulku (java 13)

Gugash Magani (nga java 14)

Skënderbeu hakmerret ndaj Flamurtarit

Skënderbeu i dha fund serisë prej katër fitoresh të Flamurtarit, me korçarët që fituan 2-0 me vlonjatët të reduktuar në dhjetë vetë, në një stadium të boshatisur, për shkak të dënimit të marrë nga ana e Komisionit të Disiplinës. Kampionët në fuqi të vendit dhe lideri i vetëm i Superligës tashmë e sheh veten tri pikë para ndjekësit më të afërt, Partizanit, me të cilin do të përballet në javën e parafundit në kryeqytet. Në fakt, pavarësisht rezultatit ishte një ndeshje e dyluftuar në Korçë, me një ritëm të kënaqshëm nga të dyja skuadrat. Fillimisht Pejiç në minutën e shtatë goditi me kokë në portën e vlonjatëve, ndërsa në minutën e 16-të Flamurtari rrezikoi seriozisht të kalonte në avantazh me anë të Bruno Telushit.  Në minutën e 31-të, ish futbollit i Flamurtarit, Andi Ribaj, tashmë në radhët e Skënderbeut, me një aksion personal nga e djathta u bllokua nga Dushku që e çoi topin në goditje këndi nga ku erdhi edhe goli pasi Renato Arapi kërceu fuqishëm në shtyllën e parë duke kaluar në avantazh kampionët e Shqipërisë. Kur duheshin edhe më pak se 10 minuta nga fundi i pjesës së parë, portieri Moçka kreu një ndërhyrje të gabuar ndaj mesfushorit Orelesi dhe kryesori Koçi i tregoi kartonin e kuq duke e lënë skuadrën e Flamurtarit me 10 lojtarë për më shumë se 55 minuta. Pjesa e dytë startoi nën diktatin e Skënderbeut. Mbrojtja e Flamurtarit gaboi në minutën e 55-të kur Liçaj nuk mundi të pastronte zonën nga një top i ardhur nga e majta dhe kroati Pero Pejiç firmosi golin e dytë të Skënderbeut dhe të gjashtin sezonal. Me këtë fitore, djemtë e Mirel Josës forcojnë pozitat në krye të klasifikimit me 26 pikë, ndërsa vlonjatët mbeten në vendin e 7 me 17 pikë.