Kur bardheblutë frenonin Ajaksin e Amsterdamit

714
Nga Bedri ALIMEHMETI
Dossier / 47 vite më parë, në “Qemal Stafa” zbriste një nga skuadrat më të forta të Evropës
Me futbollin holandez në rang të ekipeve përfaqësuese Shqipëria ishte përballur në eliminatoret e botërorit të Anglisë-1966, ku bënim pjesë në të njëjtin grup me Irlandën e Veriut dhe Zvicrën. Nga ajo Holandë e dhjetorit të 1964 që na mundi 2-0 në “Qemal Stafa” do t’u dëgjonim zërin vite më vonë futbollistëve të tillë si Izrael dhe Krol. Holanda e kishte futbollin ende në baza amatore dhe duhet thënë se, pikërisht në atë kohë ky sport i magjishëm u fut në rrugën e profesionizmit, çka do bënte që në kohë rekord të frynte një erë e re nëpër fushat e futbollit evropian e botëror, e cila nuk është ndalur ende. Kështu nga gjiri i skuadrave të njohura si “Fejenord” i Roterdamit, “Ajaks” i Amsterdamit dhe “PSV Eithoven” do të lindnin yje të magjishëm, që do të bënin epokë nëpër fushat e blerta. Por, deri në atë 16 shtator të 47 viteve më parë e kishim shumë të pakët informacionin për futbollin holandez. Madje, nuk dinim asgjë për emra të tillë si Krujfi, Neskens, Han, Rep, Surbie, Hulshov etj, që do të zbrisnin atë ditë mbi qilimin e “Qemal Stafës” për t’u përballur me kampionët e Shqipërisë bardheblutë e “17 nëntorit” në kuadër të takimeve për turin e parë të Kupës së Kupës së Kampioneve. 

Ky takim historik me “Ajaksin” e Amsterdamit u prit me një interesim të jashtëzakonshëm. Ishte tejet e vështirë të gjeje biletë, çmimi i saj në tregun e zi ishte tejet i lartë. Tek “Sahati” në atë kohë vendqëndrimi i tifozëve para ndeshjeve, u tha që një biletë u këmbye me një gjel deti. Gjithsesi interesimin për ndeshjen e rriste fakti që “Ajaksi” kishte zbarkuar në Rinas me Carter, shoqëruar edhe nga 30 gazetarë. Njëri prej tyre flokëgjatë i shkurtër, veshur me një këmishë ngjyrë portokalli si të “Ajaksit” u mbiquajt “Narces” (nga tifozët e Tribunës A) emri i një personazhi të urryer në filmin “Beteja për Romën”, që po shfaqej ato ditë në Tiranë. Sa herë shkrepte aparatin në drejtim të tifozëve, ata shpërthenin “Narses-Narses”. Por, veçmas kësaj këtë takim më së shumë se rezultati surprizë e bën të tillë një histori e patreguar, që ka të bëjë me Kazanxhiun. Në nxemjen e zakonshme “17 Nëntori” del në fushë me këtë përbërje: M. Konomi, F. Frashëri, P. Dhales, G. Kasmi, A. Çela, A. Mema, J. Kazanxhi, G. Xhafa, S. Hyka, N. Xhaçka, M. Zhega. Por, kur nis takimi në radhët e bardhebluve në vend të Kazanxhiut zbret në fushë Iliaz Çeço, i cili bashkë me Xhafën edhe Zhegën ishin marrë përforcim nga Dinamo. Ç’kishte ndodhur? Përse ishte kryer ky zëvendësim? E vërteta qëndron kështu. Kur ekipet dalin në korridor për të zbritur në fushë, gjyqtarët tek kryejnë kontrollin e zakonshëm konstatojnë se, këpucët e Kazanxhiut kishin taka prej alumini, gjë që përbënte rrezik dhe nuk e lejuan të aktivizohet. Kjo e detyroi trajnerin Myslym Alla, ta zëvendësojë me Çeçon. Ndërkohë që në fushë nis takimi, këpucari i bardhebluve Met Hyka nis punën për t’i veshur takat e këpucëve të Xuxit (kështu njihet nga tifozët) me meshinë, duke ua mbuluar kështu krejt pjesën metalike. Ndërkohë Kazanxhi e ndiqte ndeshjen gjithë emocion nga dritarja e dhomës së zhveshjes. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për holandezët e Rinius Mishels, që kishin shënuar me anë të mbrojtësit Surbie. Me fillimin e pjesës së dytë dyfishojnë rezultatin sërish po me anë të tij. Por, tashmë në vend të Xhafës, tekniku Alla ka aktivizuar Xuxin, që ka kaluar me sukses kontrollin e gjyqtarëve dhe në ato momente tejet të vështirë bëhet promotor e nxitës i të gjithë shokëve të ekipit për të mos u dorëzuar. Dhe vetëm pak minuta më vonë saktësisht në të 58′ Kazanxhi ndjek me guxim një top të harkuar nga Çela në brendësi të zonës së “Ajaksit”, shmang ndërhyrjen e kapitenit holandez, jugosllavit Vasoviç, fiton duelin ndaj Berri Hulshofit dhe me kokë e përcjell topin në rrjetën, 1-2. Loja rihapet. 
Johan Krujf, që për shkak të një operacioni (apendicit) kryer disa javë më parë, e ndoqi ndeshjen nga pankina, shtanget nga habia. Madje, ai siç shihet në foto, nuk është zhveshur. Pra i madhi e i paharruari Johan Krujf, një nga futbollistët më të mëdhenj të botës, kishte udhëtuar enkas vetëm për të parë ndeshjen.
Një ndeshje homazh, për futbollistë të mëdhenj që nuk janë mes nesh
Por, nuk mbaron këtu. Bardheblutë tashmë janë dominues në të gjithë drejtimet. Sulmet e tyre nuk reshtin dhe nga çasti në çasti pritet goli i barazimit. Dhe kështu ndodh. Në 88′ falë një kombinacioni perfekt midis Çeços e Zhegës ky i fundit me një goditje të saktë, tund për të dytën herë rrjetën e amsterdamësve, 2-2. “Qemal Stafa” shpërthen nga thirrjet: “Tirona-Tirona”. Fotoreporteri “Narses” se nga u zhduk e nuk u pa më. Madje, dhe për të nuk u kujtua më njeri. Superskuadra holandeze që për tre vite me radhë do dominonte Kupën e Kampioneve nuk arrin të dalë fituese nga “Qemal Stafa”. Vasoviç, Hulshof, Rep. Neskens, Han e Surbie me shokë u futën kokulur në dhomat e zhveshjes. Madje, atë mbrëmje të largët shtatori të vitit 1970, klani amsterdamas u largua pa dhënë asnjë intervistë (!). Në atë kompeticion evropian “Ajaksit”, që u shpall fitues i Kupës së Kampioneve, veç “17 Nëntorit” të Tiranës, dy gola nuk arriti t’i shënonte asnjë ekip tjetër. Dhe padyshim, meritë të veçantë ka ekipi, por edhe ata që e goditën, i pari Josif Kazanxhi (Xuxi) dhe Medin Zhega, që vulosi barazimin. Le të jenë këto pak radhë një homazh për këta futbollistë të mëdhenj, që nuk i kemi mes nesh.
Një gazetar holandez, i cili e kishte parë skenën e këpucëve, më 1 tetor në takimin e kthimit në “Amsterdam Arena”, kur 17 Nëntori po kryente nxemjen para ndeshjes, i dhuron “Xuxit” një palë këpucë të reja “Adiddas”. E kush nuk do t’i pranonte ato, por për kushtet e vendit tonë, “Xuxi” i refuzoi.
Sigal