NOT / Kupa e Shqipërisë për të Rinj dhe të Rritur mblodhi në pishinën e Akuadromit të Tiranës 132 notarë, Te Stela rikonfirmohet kampione e dyfishtë
Veprimtari e bukur, “mangësi” të vetme kishte rekordet!
Edhe pse nuk morri pjesë fizikisht në garat e Kupës së Shqipërisë, Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, i “cënoi” pushimet e tij për të ndjekur ritmikën e tyre. Për Njëshin e kësaj federate, që nuk u thyen më shumë rekorde kombëtare, nuk u ulën vlerat e Kupës, as edhe të notarëve që garuan. Sipas tij, rekordet do vijnë. “Natyrisht që rekordet do të vijnë garë pas gare, në çdo veprimtari. Mendoj se në garat e Kupës së Shqipërisë, rëndësi kishte pjesëmarrja dhe angazhimi i notarëve e trajnerëve të tyre. Sepse vinin nga pushime të gjata në veprimtarinë e parë verore të këtij viti. Para kemi kampionatin, por edhe veprimtari të tjera ndërkombëtare, dhe aty do jenë “fshehur” rekordet e tjera dhe rezultatet e larta”, ishte ky deklarimi i Agim Çirakut për garat e Kupës së Shqipërisë në Notin shqiptar.
Agron KAJA
Në garat e Notit të Kupës së Shqipërisë (M+F), edhe moti ishte me notarët, sepse temperaturat nuk ishin të larta dhe penguese në ritmin e garimit. Nga shtatë ekipet që morrën pjesë me 132 notarë, si zakonisht, AN “Te Stela” tregoi se mbetet gjithmonë Akademi kampione në këtë sport në Shqipëri. Sepse i fitoi të dyja kupat, për meshkuj e femra, por nga ky ekip dolën më shumë kampionë në garat respektive. Nga pas kishte Tiranën e drejtuar nga pasionanti Arjan Fetishi, por edhe Teutën e Durrësit të drejtuar nga dy trajnerët këmbëngulës, Gjergji Ngresi dhe Jurgen Fici. Në fakt, në dy ditët e garave, aty ishin edhe shkodranët e drejtuar nga Kol Shiroka, ishte Dash Bregu i Partizanit me 12 notarët që ai përgatit, si edhe Tomor Dano i Vlora Not. Por, në këtë Kupë kishte ardhur edhe një vlonjat i ri me 5 notarë, Olgert Muço i Flamurtarit. Këta ishin aktorët e kësaj kupe, sepse në gatishmëri për zhvillimin e garave ishin FSHN-ja dhe ekipi i gjyqtarëve, të drejtuar nga Mjeshtri i Madh, Emin Lishi. Duket se ishin shumë emra, por të gjithë e përfaqësuan vetvehten në këtë veprimtari, e para kjo në stinën e verës për vitin 2025. Garë pas gare, spikatën edhe notarët dhe notaret më të përgatitur, por mbi të gjithë spikati grupi që thyeu rekordin e vetëm kombëtar në garat e Kupës së Shqipërisë. Katërshja e Tiranës: Julia Xhako, Kaltra Meça, Ami Fetishaj dhe Liona Muka, do të mbahen mënd për këtë rekord, i cili sikur i “ndali” të tjerët. Sepse në këtë veprimtari, asnjëherë nuk kishte ndodhur që të thyhej vetëm një record kombëtar. Gjithsesi, duhet thënë se në këtë veprimtari, trajnerët e “Te Stela”: Eduart Cane dhe Mjeshtri i Madh Sadik Mema, zotëruan gjithçka tek notarët e tyre. Por në mbyllje të garave, të dy ishin të zhgënjyer për rezultatet që arritën, edhe pse “Te Stela”, si për Meshkuj ashtu edhe për Femra, ishte kampione dhe me skuadrat më të mira Meshkuj-Femra. Gara edhe me shikues, më së shumti prindër, por gjithsesi, edhe këta i zbukuruan këto gara të Kupës së Shqipërisë, të cilat e sfiduan vapën, për t’ia lënë radhën Kampionatit Kombëtar më 30-31 gusht në pishinën “Taq Dafa” të Durrësit.

PJESËMARRËSIT
FSHN-ja priste rreth 90 notarë garues në Kupën e Shqipërisë, por prezent në dy ditët e garave ishin 132 notarë, nga të cilët 99 meshkuj dhe 33 Femra
MË TË MIRËT
NOTARËT
Meshkuj Ediliano Huna (Teuta)
Me 1240 pikë FINA
Femra Arla Dermishi (Te Stela)
Me 1187 pikë FINA
EKIPET
Më i mirë për Meshkuj
Te Stela (Tiranë) me 312 pikë
Më i mirë për Femra
Te Stela (Tiranë) me 265 pikë
Arjan Fetishi: Me rekordin, Tirana tregoi stabilitet

Duke qënë i përgatitur me synimin e kampionit, trajneri i ekipit të notit te SK Tirana, Arian Fetishaj, pas garave të Kupës së Shqipërisë, u shpreh midis të tjerave, se rekordi i vetëm kombëtar që u thye nga katër vajzat që ai drejton, ka qënë i përgatitur për t’u thyer. “Për Kupën e Shqipërisë, përgatitjet tona kanë qënë të programuara për rezultate të larta. Këtu hyn edhe thyerja e rekordit kombëtar nga katër vajzat tona: Julia Xhako, Kaltra Meça, Ami Fetishaj e Liona Muka, të cilat e mbajtën ndezur “pishtarin” e tyre në ekipin tonë. Rekordi i vetëm në Kupë? Po, kjo tregon se edhe Tirana ka notarë që i shërbejnë cilësisë së elitës në notin shqiptar. U renditëm të dytët si ekip, por kishim edhe notarë të tjerë si Even Qarri, i cili ishte absolute në stilin Bretkocë. Në kampionat në muajin gusht, do përgatitemi për të tjera rezultate të larta”.
REKORDI KOMBËTAR
Tirana për Femra
Rekord kombëtar
4X100 m Miks
Gara e rekordit Kombëtar
Stafetë 4X100 m Miks
Koha që u arrit:
5’00”19-ishte 5’02”55
Notaret rekordmene:
Kaltra Meça, Ami Fetishaj,
Julia Xhako dhe Liona Muka

EKIPET-TRAJNERËT-NOTARËT
Ekipet Trajnerët M+F=T
AN Te Stela E.Cane-S.Mema 32+11=43
Tirana A. Fetishaj 20+8=28
Partizani D. Bregu 10+2=12
SK Teuta Gj.Ngresi-J.Fici 10+3=13
Vlora Not T. Dano 5
Shkodra Not K. Shiroka 8+8=16
Flamurtari O. Muço 4+1=5
Në 7 skuadra 99+33=132
Arla Dërmishi më e mira e Kupës: E prisja këtë rezultat

Arla Dërmishi e AN “Te Stela”, u shpall notarja më e mirë e Kupës së Shqipërisë 2025, në pishinën verore 50 m. Me 1187 pikë FINA që grumbulloi, notarja tregoi vlerat e vërteta të një kampioneje me një të ardhme të mirë. “Kisha bërë shumë përgatitje para garave që i mbyllëm sot (të premten). Unë kthehesha në këto gara pas një dëmtimi, dhe qëllimi kryesor për mua ishte që në çdo garë të dilja mirë në rezultat. Që unë u shpalla notarja më e mirë e Kupës, këtë nuk e quaj rezultatin më të mirë, por edhe e quaj si një motiv për të ardhmen time, që nga garat e kampionatit në muajin gusht”, kështu e përshkruan Arla fitoren e saj si Notarja më e Mirë Femër në Kupën e Shqipërisë, por që në garat e Kampionatit më 30 e 31 gusht premton më shumë. “Në kampionat? Janë rreth 40 ditë përgatitje dhe besoj se do arrij formën time më të mirë që edhe aty të jem më e mira e kativitetit, pse jo edhe me thyerjen e rekordit kombëtar”.
Durrsaku Ediliano Huna: Fitorja, test për Botërorin e kampionatin

Në të gjithë ambinentin e pishinave gjatë garave të Kupës së Shqipërisë në Not, jo vetëm te grupi i notarëve durrsakë, por edhe te ekipet e tjera pjesëmarrëse, emri i notarit Ediliano Huna përmëndej si një nga më të mirët e kësaj veprimtarie. Dhe këtë e firmosi gjyqtaria, teksa në përfundimin e garave e shpalli atë si Notari më i Mirë i Kupës, pasi kishte grumbulluar 1240 pikë FINA. Vetë Ediljano e priste këtë fitore. “Natyrisht që e prisja këtë fitore, sepse isha përgatitur për të dalë kampion në këto gara të Kupës së Shqipërisë. Përgatitja ka qënë sistematike para këtyre garave, madje dy trajnerët (Ngresi e Fici) kishin besimin e plotë se kjo do ishte gara ime në këtë Kupë të Shqipërisë (400 m Stil i Lirë). Fitorja është edhe një test për pjesëmarrjen time në Kampionatin Botëror në Rumani më 18 gusht, ku shpresoj të thyej rekordin kombëtar në 400 m Stil i Lirë. Më pas, edhe në kampionat në Durrës, do përgatitem që të shpallem kampion dhe rekordmen”.
Trajneri “Te Stela”, Eduart Cane: Duhej të fitonim më shumë

Tashmë nuk është më sekret, sepse ekipet e Notit të Akademisë “Te Stela” edhe kur janë në masën 50% të përgatitur, përsëri shpallen kampionë dhe më të mirët. Kështu ndodhi edhe në Kupën e Shqipërisë, ku trajneri Edurat Cane tregon për gazetën “Telegraf” se, në katër fituesit e kësaj Kupe të Shqipërisë, u mungoi vetëm Notarja më e Mirë femër. “Ne ishim të përgatitur për garat e Kupës së Shqipërisë, por në 50% të mundësive tona. Sepse një pjesë e notarëve që garuan kanë qënë të shkëputur nga përgatitjet për arsye pushimesh, ndërkohë që pjesa, e cila mori pjesë në Europian, i dhanë më shumë emocion garave. Fakti që fituam si ekipe: Femra e Meshkuj më të mirët, si dhe Arla Dermishi notarja më e mirë e Kupës, këto janë tregues që justifikojnë gjithçka ne fituam në Kupë. Por këto nuk tregojnë mundësitë e vërteta që kanë notarët e Akademisë sonë, edhe pse duhet thënë fakti tjetër që përgatitjet tona më shumë janë të fokusuara në pishinën 25 m”, kështu mendon trajneri i “Te Stela” Eduart Cane, i cili më pas theksoi se do ketë “hakmarrje” në garat e kampionatit Kombëtar në fundin e muajit gusht. “Synimi ynë ishte tradicional në garat e Kupës së Shqipërisë, fitorja e gjithçkaje. Kjo nuk na bën të ndjehemi fajtorë pse nuk fituam edhe notaren më të mirë, por as edhe të qëndrojmë pa një reagim. Sepse kështu e testojmë më realisht veten garë pas gare. Unë them se ne si ekip, por edhe si individë, do të “hakmerremi” në garat e Kampionatit Kombëtar që do të zhvillohet në pishinën “Taq Dafa” të Durrësit në fundin e muajit gusht. Koha nuk është e gjatë, dhe pas një pause të vogël, do të nisim përgatitjet tona që t’i fitojmë të gjitha garat dhe kupat e tij në të gjitha kategoritë. Bashkë me Profesorin tonë Sadik Mema, programi stërvitor deri në ditën e kampionatit, do të jetë i detajuar dhe konkret për çdo notar”, ishte ky prononcimi i trajnerit të Akademisë së Notit “Te Stela”, për garat e Kupës së Shqipërisë që u zhvilluan javën e kaluar në pishinën 50 m te Akuadromi i Tiranës.
Dy trajnerët e Teutës të pakënaqur: Prisnim më shumë!

Nuk mund të themi se dëgjuam kalimin e caqeve të modestisë, por ishte fakt. Dy trajnerët e Notit të Teutës, Gjergj Ngresi dhe Jurgen Fici, ishin në të njëjtin mendim sa i përket rezultateve që 13 notarët e tyre arritën në garat e Kupës së Shqipërisë në pishinën 50 m në Tiranë. “Ekipi i Teutës erdhi në garat e Kupës së Shqipërisë me besim te rezultatet e larta. Dhe si objektiv kryesor ka qënë notari ynë i talentuar Ediljano Huna, i cili në të gjitha garat tregoi se është realisht notari më i mirë për Meshkujt në Shqipëri. Të gjithë u përgatitëm dhe ja arritëm qëllimit, ky është pjesë e suksesit”, kështu e nisi dje bisedën trajneri durrsak Gjergj Ngresi, ndërkohë që kolegu i tij Jurgen Fici shkon më tej, në atë çka ata mendojnë të arrijnë në garat e kampionatit, të cilat do të zhvillohen në pishinën e qytetit të tyre në fundin e muajit gusht 2025. “Garat e Kupës së Shqipërisë, për notarët tanë ishte edhe një testim për stinën e verës. Mos harrojmë faktin që vijmë në garat e kupës pas atyre dimërore në pishinën 25 m. E quajmë këtë edhe si test për Kampionatin”.
E VEÇANTË
Çdo vit, vetëm një rekord kombëtar në Kupë!
Edhe në garat e Kupës së Shqipërisë në vitin e kaluar (2024), u thye vetëm një rekord kombëtar. Ishte notari Drini Karanxha i ekipit “Te Stela”, i cili në garën 50m Stil Shpinë në Kategorinë për Fëmijë, shënoi kohën rekord 35”09. Kupa e Shqipërisë në Not po mbetet “besnike” e vetëm një rekordi kombëtar, sepse në tri vite resht, vetëm nga një rekord kombëtar po thyhet.






















