Kukësi sfidë delikate përballë Laçit, Bylisi drejt Korçës. Fitorja detyrim për Partizanin

604
Sigal

Kategoria Superiore do të luajë ditën e sotme katër ndeshjet e javës së 21.

Kështu, Kukësi do të kërkojë të rikthehet sërish në krye të klasifikimit pas fitores se Tiranës ditën e djeshme. Përballë tyre në orën 14:00 është Laçi.

Kurbinasit janë një kundërshtar delikat, megjithatë të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro kanë vetëm një rrugë, triumfin.

Verilindorët nuk humbasin prej tetë takimeve në Superiore, por vlen për t’u theksuar se humbja e fundit është pikërisht përballë ekipit të Laçit, ku këta të fundit fituan minimalisht me rezultatin 1-0 me golin e Nuabueze. Ky i fundit ka edhe një sfidë personale me sulmuesin Shkurtaj, i cili tashmë i ka marrë statusin e golashënuesit më të mirë.

Po në orën 14:00, Bylisi do të udhëtojë drejt Korçës për t’u përballur me Skënderbeun. Ballshiotët nuk njohin fitore për këtë vit, ndërsa tashmë do të vuajnë edhe mungesën e mbrojtësit Jurgen Goxha pas pezullimit tetë javor nga Komisioni i Disiplinës.

Nga ana tjetër, korçarët u mposhtën nga Laçi në javën e kaluar, mirëpo në shtëpi të besuarit e Dajës kanë mundësinë më të mirë për t’u rikthyer te suksesi e për t’u ngjitur në renditje.

Ndërkohë, në orën 17:00, Partizani pret Flamurtarin e halleve. Të kuqtë pas fitores ndaj Luftëtarin në javën e kaluar kërkojnë vazhdimësinë. Përballë vlonjateve hapat fals nuk falen, duke qenë se kundërshtari vazhdon të mos ketë marrë asnjë pikë jashtë fushës së saj.

Sakaq, në orën 17:00, do luhet edhe sfida mes Teutës e Luftëtarit. Edhe “Djemtë e Detit” kanë detyrën e qartë, teksa llogariten vetëm tre pikët përballë gjirokastriteve. Në këtë formë, durrsakët mund të harrojnë disfatën e javës së kaluar përballë Tiranës.

Ndeshjet:

14:00 Kukësi-Laçi

14:00 Skënderbeu-Bylis

17:00 Partizani-Flamurtari

17:00 Teuta-Luftëtari.