Klodian Duro: Me Portugalinë, ndeshja kyçe për Evropianin

565
Në vëzhgimin e një ish-futbollisti, Kombëtarja aktuale e futbollit paraqitet në nivelet e saj më të mira. Këtë mendim e shpreh Klodian Duro, ish-mesfushor i Kombëtares sonë për më shumë se 13 vjet, i cili për gazetën “Telegraf” midis të tjerave shprehu bindjen e besimin për një rezultat pozitiv në ndeshjen me Portugalinë. Tri pikët janë në lojë, si për ne ashtu edhe për Portugalinë. “Ne vijmë pas një barazimi të merituar në Danimarkë, ndërkohë që Portugalia ka humbur miqësoren me Francën. Në këto kushte, po të rikuperojmë mirë forcat them se jemi brenda një rezultati pozitiv. Për këtë kam shumë besim”, theksoi në intervistën e tij Klodian Duro.
Duro, si e keni përcjellë barazimin e së premtes me Danimarkën?
Normalisht, si një ish-pjesëtar i kësaj Kombëtareje, me shumë emocion e besim te ky grup që trajneri De Biazi ka formuar në vitet e fundit. Barazimi në Danimarkë për Kombëtaren tonë ishte një rezultat i mirë, sepse e mban të hapur garën për vendin e dytë në grup që të kualifikon direkt në Evropian.
Mund të kishim dalë me tri pikë nga ajo përballje?
Në rastin më të mirë që na u dha në fundin e ndeshjes me Roshin, ne e kishim mundësinë që të merrnim fitoren dhe ta mbyllnim që në Kopenhagen llogarinë për vendin e dytë në Grupin tonë eliminator. Roshi duhej të ishte treguar më i qetë me atë rast, sot skuadra do të ishte më e çliruar për vazhdimësinë deri në mbyllje të këtyre eliminatoreve.
Por edhe mund të ishim ndëshkuar nga danezët në dy-tre raste?
Në fakt, mosndëshkimi ynë me gol nga Danimarka erdhi nga dy arsye: Së pari mendoj se ne kishim në portë një portier të madh si Berisha që rastet e golit i eliminoi me pritje shumë të vështira. Së dyti, mendoj se danezët e kishin humbur qetësinë para portës sonë, sepse duke humbur rast pas rasti, ata psikologjikisht ranë në kurthin e skuadrës sonë. Kësisoj, e merituam nuk na e fali kundërshtari këtë barazim.
Duke qenë se Danimarka është rivali i vetëm, me këtë barazim mendoni se jemi më pranë kualifikimit direkt në Europian?
Nëse vazhdohet me këtë ritëm si nga ndeshja e parë e deri në ndeshjen e fundit në grup, unë kam shpresë e besim se rezultatet do të jenë pozitive. Lufta sa vjen e vështirësohet dhe ndeshjet e mbetura kanë koefiçientë të lartë, që nga Portugalia të hënën në “Elbasan Arena”.
Atëhere, sa shanse kemi për tri pikët me Portugalinë?
Tri pikët janë në lojë, si për ne ashtu edhe për Portugalinë. Ne vijmë pas një barazimi të merituar në Danimarkë, ndërkohë që Portugalia ka humbur miqësoren me Francën. Në këto kushte, po të rikuperojmë mirë forcat them se jemi brenda një rezultati pozitiv. Për këtë kam shumë besim.
Për të kapur këtë objektiv final, çfarë mendoni se duhet përmirësuar në skuadrën tonë Kombëtare?
Më mirë për këtë e di stafi teknik, natyrisht që më mirë e di trajneri De Biazi. Ndërsa unë mendoj se duhet përmirësuar nnë zotërimin e topit, të jemi më të qetë në qarrkullimin e lojës dhe të mos luajmë gjithnjë në mbrojtje.
Dhe si e parashikoni ju ndeshjen e së hënës në “Elbasan Arena”, Shqipëri-Portugali?
E mendoj një ndeshje të fortë, të hapur për lojë dhe të vështirë, si për ne ashtu dhe për Portugalinë. Do të jetë si një ndeshje finale për të dyja skuadrat, por mendoj se ne kemi avantazhin e fushës sonë.
Por kemi edhe avantazhin e tifozerisë, sa do të ndikojnë ata në rezultatin e ndeshjes?
Tifozët e Kombëtares kanë vite që janë bërë një faktor mobilizuas dhe inspirues në rezultatet që janë arritur. Unë them se deri tani tifozeria ka notën 10, e po kështu e mendoj edhe në përballjen me Portugalinë.
Në çfarëdo rezultati me Portugalinë, mendoni se do të konfigurohet vendi i dytë mes nesh dhe Danimarkës?
Mendoj se ky vend mund të konfigurohet në favorin tonë vetëm nëse marrim rezultat pozitiv, si do që të dalë Danimarka me Armeninë. Uroj e shpresoj që më e mira këtë herë të jetë në anën e Kombëtares sonë, dhe ky është momenti ynë më i mirë për të shkuar në Evropianin e Francës.
Nëse e fitojmë ndeshjen me Portugalinë dhe kualifikohemi në Evropian, sa larg e mendoni Shqipërinë?
Së pari unë mendoj se duhet të presim edhe ndeshjen me portugezët. Kalimi i tyre është një kulm në historinë tonë që na bën krenarë si shqiptarë dhe mundësitë janë. Sa larg mund të shkojë Shqipëria nëse shkon në “Francë 2016”? Kjo do të varet nga shumë faktorë, por duke qenë për herë të parë në një kualifikim të tillë, unë do të doja një paraqitje sa më dinjitoze dhe sa më larg ta çojë loja e saj dhe fati.
Përfundimisht, me Portugalinë cilin rezultat prisni?
Nëse do të flas me gjuhën e basteve, unë them 1 me shpirt e dëshirë, por nëse si një ish-futbollist i kësaj kombëtareje unë do të qëndroj brenda realitetit, mendoj se çdo rezultat pozitiv do të jetë në favorinë tonë. I uroj sukses sot! 
Data e ndeshjes
Sot më datë 7 shtator 2015, Shqipëria do të luajë ndaj Portugalisë ndeshjen eliminatore të Grupit I për “Euro 2016”. Por, duke u rikthyer po në datën 7 shtator, por të vitit të kaluar, këto dy skuadra u takuan për herë të parë në këtë kompeticion europian, takim të cilin Shqipëria e fitoi në transfertë me rezultatin 1-0 me golin e Balajt në minutën e 52-të
Klodian Duro
Datëlindja: 21.12.1977/ Vendlindja: Elbasan
Roli në fushë: Mesfushor
Skuadrat ku ka luajtur: 1996-1998 Elbasani; 1999-2000 Tirana; 2000 Elbasani; 2000-2002 Vllaznia; 2002 Samsunspor, Turqi; 2003 Malatiaspor, Turqi; 2003 Partizani; 2004 Rizespor, Turqi; 2004-2005 Arminia Bielefeld, Gjermani; 2005-2008 Tirana; 2008-2009 AC Omonia, Qipro; 2009-2010 Apollon Limansol, Qipro; 2009-2010 LASK Linz, Austri; 2011-2013 KF Tirana.
Tituj e trofe të fituara: Titullin Kampion me Tiranën në sezonin 1999-2000 dhe 2006-2007, Titullin Kampion me Vllazninë 2000-2001; Kupën e Shqipërisë me Tiranën 2005-2006 dhe 2011-2012; Superkupën e Shqipërisë me Tiranën 2011-2012 
Me Kombëtaren: Në periudhën 2000-2013, luajtur 77 ndeshje-shënuar 6 gola
MUNDËSITË E KUALIFIKIMIT, SIPAS KLODIAN DUROS
Shqipëria: 3 ndeshje=5-6 pikë
Duke qenë në kuotë të barabartë me pikë me Danimarkën, nga 11, Shqipërisë i duhet që të marrë minimalisht 5-6 pikë në 3 ndeshjet e mbetura kualifikuese për në “Euro 2016”. Të hënën kombëtarja shqiptare luan në “Elbasan Arena” me Portugalinë, ndërsa në datën 8 tetor, po në Elbasan pret Serbinë dhe më 11 tetor luan në Jerevan me Armeninë.
Danimarka: 2 ndeshje=3-4 pikë
Deri në mbylljen e ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2016”, Danimarka në Grupin I do të luajë edhe dy ndeshje në të cilat mendohet të marrë 3-4 pikë. Të hënën Danimarka do të luajë në Jerevan ndaj Armenisë, më 8 tetor luan ndaj Portugalisë dhe në 11 tetor e mbyll me Francën, ndeshje e cila luhet zyrtarisht, por nuk pikëzohet për Evropianin.
Ndeshjet me Portugalinë
09.10.1996/ Tr: Neptun Bajko (Shqipëri-Portugali 0-3; Botërori 1998)
07.06.1997/ Tr: Astrit Hafizi (Portugali-Shqipëri 2-0; Botërori 1998)
11.10.2003/ Tr: Hans P.Brigel (Portugali-Shqipëri 5-3; Miqësore)
11.10.2008/ Tr: Arie Han (Portugali-Shqipëri 0-0; Botërori 2010)
06.06. 2009/ Tr: Josip Kuzhe (Shqipëri-Portugali 1-2; Botërori 2010)
07.09.2014/ Tr: Xhani De Biazi (Portugali-Shqipëri 0-1; Kamp. Evropian)
07.09.2015/ Tr: Xhani De Biazi (Shqipëri-Portugali; Kamp. Evropian)?
Bilanci: Ndeshje 6, Fitore 1, Barazime 1, Humbje 4, Golat 5:12
SHQIPËRIA NË EURO
Pjesëmarrje: 11 herë
Fituese: 0 herë
Finaliste: 0 herë
Gjysmëfinaliste: 0 herë
Çerekfinaliste: 0 herë
Nuk kualifikohet: 11 herë
PORTUGALIA NË EURO
Pjesëmarrje: 14 herë
Fituese: 0 herë
Finaliste: 1 herë
Gjysmëfinaliste: 3 herë
Çerekfinaliste: 2 herë
Nuk kualifikohet: 8 herë
Sigal