Katër barazime në pesë ndeshjet e fundit, Atletiko Madrid harron si fitohet në La Liga

416
Sigal

Fillimi i këtij sezoni pa për disa javë Atletiko Madrid si një skuadër të pagabueshme, por me kalimin e kohës, skuadra e SImeones po shfaq limitet e saj, sidomos pas mungesës së Zhoao Feliks i cili bënte shpesh diferencën për këtë ekip. Kjo u pa shumë qartë edhe sot kur skuadra pati vështirësi dhe nuk mori më shumë se barazimin ndaj Deportivo Alavesh, një ekip i përfshirë në luftën për mbijetesë.

Atletiko dominoi pjesën e parë të ndeshjes dhe falë Alvaro Moratës gjeti golin e avantazhit kur regjistrohej minuta e 70 e ndeshjes, me sulmuesin që ishte futur në fushë vetëm 10 minuta më parë. Sulmuesi shfrytëzoi pasimin e radhës të Korreas për të dërguar topin në rrjetë dhe mendohej se skuadrës së Simeones, ndër më të fortat në mbrojtje, do të ishte e vështirë që t’i shënohej gol.

Por edhe Oblak u desh të dorëzohej para kryeveprës së Perez në minutën e 83-të, pasi goditja e tij nga jashtë zonës përfundoi aty ku portieri nuk mund të arrinte, duke barazuar shifrat në 1-1 e vulosur fatin e takimit. Ky është barazimi i katërt në 5 ndeshjet e fundit për Atletiko Madrid dhe bën që skuadra të ngjitet në kuotën e 20 pikëve në vend të parë në renditje përkrah Granadës, por mund të kalohet lehtësisht nga shumë skuadra të cilat janë në grupin e kreut dhe këtë sezon po u krijojnë telashe superfuqive të zakonshme në La Liga.