AF Elbasani gati për garë, Superiorja synimi final
Agron Kaja
Nevil Dede është rikthyer në futbollin elbasanas përsëri. Si lojtar i kësaj skuadre, ai arriti sukses duke fituar kampionatin në sezonin 2005-2006, e tashmë pretendon që këtë ta bëjë në bankinën verdheblu. Ka rreth dy muaj që përgatiten për nisjen e sezonit të ri, pasi kjo skuadër këtë vit është debutuese në Kategorinë e Parë. Edhe pse kështu, Dede është shumë i kënaqur me gjithçka që skuadra ka arriur në këtë periudhë përgatitore. “Jam i kënaqur të them se, për mua është fat që drejtoj AF Elbasanin, njëherësh edhe kënaqësi që po punoj me këta lojtarë profesionistë. Kur nisëm organizimin dhe përgatitjet tona, natyrisht që fillimi ishte i vështirë, por gradualisht skuadra ka pasur rritje. Ndoshta edhe ngarkesat që kanë marrë futbollistët pas çdo cikli dhe etape stërvitore”, -kështu e nisi Nevil Dede bisedën me gazetën “Telegraf”, dhe optimizmi i tij duket kur deklaron se gjithçka që është vërejtur gjatë programit stërvitor do t’i shërbejnë ritmit dhe harmonizimit të skuadrës. “Çka kemi kaluar gjatë këtyre dy muajve përgatitje, mendoj se janë gjëra që pranohen në të tilla kushte. Sapo skuadra të kolaudohet dhe të luajmë më shumë miqësore, do të rritet më shumë ritmi i skuadrës, harmonizimi i saj dhe gjendje e të gjithëve në lidhje me njohjen në lojë të lojtarëve me njëri-tjetrin. Sa më shumë minuta përgatitore kalojnë, shohim që ka përmirësim, por ende kemi shumë punë për të bërë”. Ndërkohë që në lidhje me afrimet që janë bërë gjatë kësaj merkato të verës, tekniku verdheblu tregohet i kënaqur. “Objektivat e synimet tona kanë kushtëzuar edhe një merkato cilësore. Me emrat që janë afruar deri tani unë si trajner e vlerësoj merkaton si cilësore, edhe pse na duhet ndonjë afrim tjetër, por që repartet në tërësi janë të konsoliduara. Për AF Elbasanin, synimi i këtij sezoni është maksimal, ngjitja në Abissnet Superiore. Dhe Superiorja për AF Elbasanin do të jetë larg vetëm një sezon, kur ne të bëjmë kapërcimin drejt saj nga Kategoria e Parë. Por do të jemi me këmbë në tokë që të mendojmë së pari të fitojmë në Kategorinë e Parë. Deri në datën 2 shtator që nis kampionati dhe ne do të luajmë me Kastriotin e zbritur nga Abissnet Superiore, do të punojmë më shumë për harmonizimin e skuadrës. Të gjithë kemi besim se ky Elbasan do ta arrijë suksesin gjatë sezonit që do të nisë së shpejti”, kështu e mbyll bisedën Nevil Dede si tekniku i skuadrës së Elbasanit, duke këmbëngulur në besimin që ka te skuadra që po përgatit.
Merkato te Af Elbasani

Afrime: Kledis Hida, Eraldo Deda, Rei Zaimi, Spartak Ajazi, Albi Xhebrahimi, Miklovan Pere, Armando Rami, Abaz Karakaçi, Erjon Dragoj, Klajdi Kuka, Bedri Greca, Jeton Krasniqi, Edon Hasani, Joni Balla, Leo Melo, Zhoao Kuinonez, Bruno Telushi, Ardit Hoxhaj, Ersil Ymeri.
Largime: Ledio Koçi, Artur Sejdini, Xhoel Plaku, Xherrison, Xhino Ngjela, Gëzim Hyska, Xhulio Jaupi, Renato Hyshmeri, Elvis Xhelili, Kliton Kodhelaj, Albi Gjolena, Endri Duka, Jurgen Peqini, Mikel Ferhati.
Kategoria e parë
Ndeshjet-Java 1
Datë 2 shtator 2023
Tomori-Korabi
Luzi 2008-Flamurtari
Bylis-Burreli
Kastrioti-AF Elbasani
Vora-Besa
Lushnja-Apolonia
Tomori
Merkato me tre të njohur, Arbri pret të tjerë

Dje në stërvitjen e Tomorit janë bashkuar tre futbollistë, të cilët kanë qenë njohje të vjetra për beratasit. Portieri Mikel Kaloshi ka qenë pjesë e skuadrës beratase edhe në sezone të tjerë, ndërkohë që sulmuesi Brunild Pepa luajti për dy sezone resht në Berat. Ndërkohë që mesfushori Erald Hyseni, ka zgjedhur të rikthehet te skuadra e vendlindjes, pas disa eksperiencave në Korçë, Kavajë e Rrogozhinë. Trajneri Klodian Arbri tregohet optimist për këto lëvizje, por deklaron se do ketë të tjera. “Ky është fillimi i afrimeve në skuadrën tonë, shpejt do kemi edhe emra të tjerë”. Ndërsa portieri nigerian Klement Boye, duket se i ka thënë “lamtumirë” Tomorit.





















