Sigal

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit i mëshon faktit, se skuadrat janë përgatitur dhe motivimi është më i madh, ndërsa janë në prag të aktiviteteve ndërkombëtare që në këtë sezon veror janë të shumta

Gjergj Vyshka

Kampionati Kombëtar i notit për fëmijë është aktiviteti i radhës i Federatës Shqiptare të Notit, i cili më 26 dhe 27 qershor do të zhvillohet në Pishinën e Akuadromit në Tiranë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, shprehet entuziast në prag të këtij kampionati, që është veprimtaria e dytë kombëtare e notit shqiptar. Ai pret rezultate dhe rekorde, ndërsa është i bindur se të gjithë janë përgatitur. Aq më tepër që garat ndërkombëtare, të cilat janë në prag dhe që vijnë menjëherë pas Kampionatit Kombëtar të Fëmijëve, i kanë bërë notarët të motivohen më shumë. Çiraku, në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, kërkon jo vetëm garë, por dhe argëtim dhe më shumë miqësi mes fëmijëve, pa parë rezultatin sportiv. Ja dhe intervista e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, për gazetën Telegraf në prag të Kampionatit Kombëtar të Fëmijëve.

Starton kampionati kombëtar i fëmijëve. Cilat janë pritshmëritë e Federatës Shqiptare të Notit në lidhje me këtë garë?

Nuk ka dyshim që ne jemi të kënaqur si Federatë Shqiptare e Notit që kemi një brez të së ardhmes në sportet e ujit. Skuadrat janë stërvitur dhe duke qenë se jemi në prag të aktiviteteve ndërkombëtare, motivimi i tyre është më i madh për të dhënë më të mirën. Sepse janë gara përzgjedhëse për ato që ne mendojmë se mund të na përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare. Ajo që ne presim janë rezultatet dhe rekordet, ashtu sikurse ndodhi në Kupën Mbarëkombëtare, e cila për tre ditë, në fillim të qershorit, u zhvillua në Durrës.

Çfarë do të ketë risi ky kampionat?

Ndonjë risi jo. Janë po të njëjtat skuadrat, të cilat kanë punuar fort dhe që janë dalluar dhe në garat dimërore. E rëndësishme është që fëmijët të kënaqen, që do të thotë të shkojnë paralel garë dhe argëtim. Në fund të fundit sporti këtë qëllim ka, aq më tepër që të rrisin miqësinë mes tyre, pa pasur konflikte për hir të rezultatit. Fair-Play mbi të gjitha.

Së fundi, ndonjë notar që mund të spikasë

Janë të shumtë. Ndonëse do të jetë pishina ajo që do të bëjë dallimin. Unë po e nënvizoj dhe një herë tjetër, ky kampionat do të ketë shumë emocione, rezultate dhe rekorde. Për këtë të jeni të bindur.

Sekretarja e FSHN, Suela Haxhija: Kampionati i fëmijëve, evidentim i talenteve

Angazhimi i Federatës Shqiptare të Notit është i plotë për Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve, i cili nis nesër në pishinën e Akuadromit. Për sekretaren e përgjithshme të Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, kampionati i fëmijëve ka për qëllimin evidentimin e elementëve të së ardhmes. “Në garën e radhës – thotë Haxhija – kemi për qëllim evidentimin e talenteve të reja, sepse vetëm kështu mund të hartojmë më qartë planet afatmesme dhe afatgjata të Federatës Shqiptare të Notit. Pritshmëritë tona nga këto gara është që numri i pjesëmarrësve të jetë në rritje, ndërsa edhe cilësia sportive të jetë konkurruese. Normalisht që jemi optimist për këto gara, sepse shohim punën këmbëngulëse stërvitore si nga trajnerët, ashtu edhe nga një grup sportistësh, të cilët kanë objektiva të qarta për të arritur”. Ndërkohë Haxhija është ndalur dhe në objektivat që janë për aktivitetet ndërkombëtare. “Ne shpresojmë – thotë duke përfunduar sekretarja Haxhija – që sportistët tanë të zënë vende nderi. Kemi synime që në Kampionatin Botëror të të rinjve, i cili do të zhvillohet në Budapest, më 20-25 gusht, Kledi Kadiu të zërë vend nderi. Por qëllimi ynë më i madh është që në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” Shqipëria të përfaqësohet me të kualifikuar me normë, kjo për sportistë meshkuj, dhe jo me ftesë”.

Rregullorja e Kampionatit të Fëmijëve

Federata Shqiptare e Notit ka zyrtarizuar dhe rregulloren e Kampionatit Kombëtar të fëmijëve, i cili më 26 dhe 27 qershor do të zhvillohet në pishinën e Akuadromit në Tiranë. Kampionati Kombëtar për Fëmije – 2019 u rezervohet notarëve të regjistruar në ekipet e federuar të Federatës Shqiptare të Notit (FSHN). Në këtë veprimtari mund të marrin pjesë edhe sportistë të federatave pjesëtare të Federatës së Notit të Kosovës, Federatës Evropiane të Notit dhe Federatës Botërore të Notit, por pa të drejtë kualifikimi.

Garat do të zhvillohen sipas kategorive të mëposhtme

MESHKUJ                                                FEMRA

KATEGORIA “C” – 2009 e më të vegjël      KATEGORIA “C” – 2009 e më të vogla

KATEGORIA “B” – 2007 – 2008                 KATEGORIA “B” – 2007-2008

KATEGORIA “A” – 2005- 2006                  KATEGORIA “A” – 2005-2006

 

Orari i garave

Garat do të zhvillohen ditën e mërkurë dhe të enjte, datë 26-27 qershor 2019 si vijon më poshtë:

  1. PARADITE:                                       2. PASDITE

– Nxemje………..0900 – 1000.              – Nxemje…………16,00 – 17,00.

– Gara……………10,00 – 12,30.            – Gara…………….17,00 – 19,00.