Intervista/ Taulant Stërmasi: Atletika shqiptare, “markë” e fortë me yje të mëdhenj

154

Presidenti i FSHA-së, Taulant Stërmasi tregon  për “Telegraf” post Europianin Ekipor

Sigal

Taulant Stërmasi ka rreth dy muaj që ka ndërruar kostum, edhe pse tutat e trajnerit për të duken të stampuara në trupin e tij. Tashmë President i FSHA-së, ai për herë të parë flet për gazetën “Telegraf”, teksa shprehet se në Kampionatin Europian Ekipor, me rezultatet, që arritën atletët tanë treguan paraqitje të mirë, të cilën ai e quan mahnitëse. Ndërkohë që, si President i Atletikës Shqiptare tregon se janë mbyllur marrëveshjet për të nisur maratonat e para në qytete, ku do të fillohet me Shkodrën. Ai thekson se federata nuk është promovuar sa duhet, edhe pse është një “markë” e fortë me yje të mëdhenj brënda saj.

Agron KAJA

“Kemi yje të atletikës, si: Luiza Gegën, Izmir Smajlajn, Franko Burrajn, sportistë të nivelit botëror. Kur flasim për Kampionatin Botëror, Luiza është kualifikuar me normë, ndërsa për Franko Burrajn kemi një ftesë nga Federata Botërore Atletikës”

Hera e parë si President i FSHA-së në Kampionatin Europian Ekipor, çfarë niveli treguan atletët tanë?

Përfaqësimi ishte i shkëlqyer për Kombëtaren tonë. Nga 15 shtete pjesëmarrëse, Shqipëria për herë të parë u rendit në vendin e 9-të, dhe ky është përfaqësimi më i mirë që kemi bërë ndonjëherë në Europianin Ekipor. Si President, jam i kënaqur.

Ju mendoni se Shqipëria i ka mundësitë që të ngjitet më lart në të tilla evente?

Natyrisht që po, sepse ne kemi pretendime të mëdha për këtë aktivitet. Pas dy viteve është aktiviteti i radhës dhe ne do synojmë të renditemi në pesë vendet e para. Kemi kontakte edhe me atletë, që stërviten jashtë dhe shumë shpejt do të kemi  trajnerë të huaj në ekipin tonë kombëtar.

Në këtë Europian, Shqipëria u përfaqësua me një numur të madh atletësh, si e përballuat nga ana financiare?

Sa i përket delegacionit tonë, ai ishte më i madhi dhe në eventin e radhës do të ketë më shumë sportistë. Kur u zgjodha president e dija situatën e buxhetit, por kam blerë me fondet e mia bazën materiale me uniforma “Joma 2023”. Kjo veshje i dha paraqitje dinjitoze skuadrës sonë.

Me këta atletë të niveleve botërore, sa mundësi ka patur FSHA-ja për sponsorë të këtyre niveleve?

Kemi kontakte dhe do finalizojmë disa kontrata sponsorizimi me kompani shqiptare. Ne jemi një markë shumë e mirë me yje të atletikës të të gjitha kohërave, si Luiza Gegën, Izmir Smajlajn, Franko Burrajn, janë sportistë të nivelit botëror. Atletika është mbretëresha e të gjithë sporteve, por nuk jemi promovuar sa duhet.

Po për maratonat, çfarë bashkëpunimi keni patur me bashkitë në vendin tonë?

Natyrisht që ne kemi filluar kontaktet. Së pari me Bashkinë e Shkodrës, më pas me Korçën, Durrësin, Fierin dhe qytetet e tjera kryesore. Në Shkodër kam gjetur mbështetje dhe shumë shpejt do të kemi maratonën e qytetit në pranverë.

Atletika në projektin e sportit në shkolla, kur e mendoni se do të futet në arsimin shqiptar?

Është një projekt i KOKSH-it që të përfshijmë atletikën në shkolla. Po bëhemi gati dhe po evidentojmë infrastrukturën sportive në çdo qytet dhe trajnerët e trajnuar, në mënyrë që në vitin 2024 projekti të fillojë masivisht në Shqipëri.

Kampionati Ballkanik do të zhvillohet në Bosnje – Herzegovinë, çfarë do të synojë Shqipëria në këtë event?

Natyrisht që në Kampionatin Ballkanik kemi pritshmëri të mëdha, së pari me Luiza Gegën e Franko Burrajn. Konkretisht, Luiza pretendon dy medalje të arta, ndërsa Franko të artë në 400 metra, në zonën e medaljeve edhe në 200 metra. Ballkaniku do të na shërbejnë si test për në Botëror.

Cili do të jetë përfaqësimi në Kampionatin Botëror të Atletikës?

Luiza është e kualifikuar me normë në Kampionatin Botëror, ndërsa Franko Burraj mund të ketë ftesë nga Federata Botërore. Luiza Gega synon të jetë pjesë e finales dhe shpresojmë të futet në “top-5”. Ajo po punon fort dhe besoj se prej saj do të kemi rezultate më të larta se rekordi që ka arritur.

Ndërkohë që Luiza është pa trajner, cila është situata për vendosjen e tij?

Në këtë periudhë, Luiza është në limitet e garave dhe është më e rëndësishme që të mos ketë gabime në trajning. Nuk është e lehtë që të gjesh trajner për Luizën. Jemi në diskutime, por jo këtë vit. Ne kemi mbështetjen e fizioterapistit nga Kuba i cili po trajnon Luizën dhe atletët e tjerë të Kombëtares.

FSHA-ja ka objektivat e saj të afërta, të mesme apo të largëta?

Janë disa plane, ku masivizimi, cilësia dhe shtimi i sportistëve cilësorë janë primarë. Po luftojmë të përmirësojmë kushtet e stërvitjes për sportistët shqiptarë, të plotësojmë infrastrukturën sportive, duke nisur nga terrenet e tek baza materiale.

Rezultate në Europian 

Luiza Gega

5000 m/ 15:32.39

Franko Burraj

400 m / 46:30

Peshëngritje

Suksesi i Enkileda Carës nuk do heshtje!

Ka kaluar një javë nga suksesi që peshëngritësja 15 vjeçare shqiptare, Enkileida Carja, arriti në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që u mbajt në Kishinau të Moldavisë. Në garimin e saj, Carja fitoi tre Medalje Ari në peshën 59 kg duke u shpallur kampione në dy stilet: shtytje dhe tërheqje si dhe në dygarësh. Pas Kampionatit Botëror të moshave ku Carja mori tre medalje bronzi në këtë peshë, ato i ktheu në të arta. Por një javë pas këtij suksesi, emri i saj po mbahet në heshtje mediatikisht e zyrtarisht nga qeveritarët e sportit shqiptar!

Rexhepi largohet, i pakënaqur me klubin e kuq

“S’u ndjeva mirë, por…”, kjo ishte fjala e parë që Bekim Rexhepi ka thënë pasi ka zyrtarizuar largimin si portier i Partizanit. Në një vit me skuadrën e kuqe dhe titull kampion, por lëvizjet e drejtuesve të klubit për ta zëvendësuar e kanë mërzitur jo pak gardianin. “Është normale të ndodhë në futboll. Por Partizani që në fillim të verës ka bërë lëvizje për të më zëvendësuar, pa dijeninë time. Këtë e mësova nga shokët, por gjithsesi, ka qenë një vit i suksesshëm dhe i shkëlqyer për karrierën time”,- citohet dje gardiani në mediat maqedonase, sot është ende pa skuadër.

Kishte paralajmëruar, Matondo nuk rikthehet

Masanga Matondo po tregon se nuk e ka në plan të ribashkohet me skuadrën e Partizanit. Mesfushori kongolez vazhdon mosmarrëveshjet me drejtuesit e klubit, dhe situata mes palëve mbetet e nxehtë. Mesfushori ka thyer çdo afat rikthimi dhe çdo rregull në lidhje me kontratën. Pas disa përplasjeve, bëri që Matondo të merrte vendimin për të mos u kthyer te Partizani dhe drejtuesit e klubit nuk po e lejojnë që të transferohet te Hatajspor në Turqi për 300 mijë euro, plus 50% të kartonit. Por veç gjobës. Matondo ende nuk po rikthehet te Partizani!