Intervista/ Prof. Dr. Artan Shyti: Një kampionat relativisht cilësor, por i mungon spektatori

Flet për “Telegraf” Prof.Dr. Artan Shyti, skanon vlerat reale të Superiores

Agron Kaja

“Ndeshjet e ngjeshura sikur e kanë zbehur shikueshmërinë e ndeshjeve, sepse me këto kalendare në zhvillimin e tyre, kushtëzohet cilësia dhe stadiumet boshatisen. Ky është elementi më i munguar në këto 12 javë.”

Si i përshkruani në tërësi 59 ndeshjet e luajtura në Abissnet Superiore në 12 javë?

Sigal

Ndeshjet e këtyre javëve kanë qenë të ndryshme. Ka pasur ndeshje të bukura e cilësore, por nuk është në nivelin e vendeve ballkanike që kemi afër. Mungon shumë spektatori dhe rregullsia e zhvillimit që luhen në ditë të pazakonta

Nga ndeshjet e javës së 12-të, cila prej tyre mendoni se doli në pritshmëri, dhe cila jo?

Në tërësi mendoj se ishin ndeshje jo shumë të mira, të varfra si nivel teknik dhe  pak të luftuara. Mua nuk më ngjiti kjo javë, duke përjashtuar vetëm Skënderbeu-Tirana, ndërsa të gjitha të tjerat nuk ishin ndeshje cilësore.

Partizani mundi Vllaznisë 4-1, ishte kjo një fitore që i thotë Egnatias kujdes me vendin e parë?

Partizani për mua është ekipi më i kompletuar deri tani, është më i plotë se Egnatia. Edhe stolin e ka të fortë, skuadër me dy ekipe dhe për çdo pozicion ka alternativa. Fitorja e djeshme ndaj Vllaznisë nisi si e barabartë, dhe u kthye si një argëtim.

Edhe kreu i renditjes nuk lëvizi, mendoni se në javët në vazhdim do vijë ndryshimi?

Kreu i renditjes do ishte i rëndësishëm nëse nuk do të kishim “Final 4”, sepse  kështu që edhe dy tre skuadrat e tjera nuk e kanë problem kryesimin. Do ishte problematik pa atë formulë, dhe në këto kushte, rëndësi ka të jesh në katër skuadrat e para.

Barazime dhe gola ne ekstrem, çfarë shprehin këto dukuri nga java në javë?

Tregojnë që edhe klasifikimi ka ndikuar në këto barazime. Ka një balancë e cila natyrshëm do shprehet edhe në rezultate. Sepse ka ekuilibër forcash, dhe kështu që në ritmikën e lojës orientim mbetet rezultati i barabartë.

Mund të themi se largimet e trajnerëve në disa skuadra po e zbehin ecurinë e garës?

Ka largime të mirëkuptuara, por ka edhe largime të tjera që duken si të çuditshme,  si Memelli e Shehi. Me ikjen e tyre, kostot i paguajnë skuadrat, mbetet një dukuri që duhet ta kenë parasysh presidentët, sepse ata duhet ti mbajnë në kurriz pasojat.

Sa kanë ndikuar në rezultate ditët e ngjeshura të kalendarit në këto javë?

Mendoj se këto e kanë zbehur shikueshmërinë e ndeshjeve, janë jashtë traditës së futbollit tonë. Me këtë ngjeshje në zhvillimin e tyre, kushtëzohet cilësia dhe stadiumet boshatisen. Ky është elementi më i munguar në këto 12 javë.

Në gjithçka të zhvilluar në këto 12 javë, çfarë veçoni si elementët më pozitivë të garës?

Veçoj disa lojtarë të rinj që luajnë mirë, luhet një futboll më cilësor nga sezonet e kaluara. Ndërkohë që ekipet mundohen të bëjnë më të mirën dhe po shikojmë se klasifikimi është i drejtë, sipas investimeve që kanë bërë në fiananca e kontigjente.

ABISSNET SUPERIORE

REZULTATET, JAVA 12

Të shtunën 4 nëntor 2023

Erzeni-Egnatia               0-1

Të dielën 5 nëntor 2023

Kukësi-Dinamo City       1-1

Teuta-Laçi                      1-1

Skënderbeu-Tirana          1-1

Dje, 6 nëntor 2023

Partizani-Vllaznia           4-1

RENDITJA 

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              12      26

2.Partizani            11      26

3.Tirana                12      18

4.Laçi                   12      15

5.Kukësi               12      14

8.Skënderbeu        12      14

7.Vllaznia             12      13

8.Erzeni                12      13

9.Dinamo City      12      12

10.Teuta               11      12

Për barazimin në Korçë, “fajësohet” autobuzi bardheblu!

Pas barazimit 1-1 në sfidën Skënderbeu-Tirana, ka ndodhur një fenomen që dukej se kishte humbur në këtë sezon të Superiores. Pas ndeshjes, tifozë korçarë e kanë gjetur “fajtorin” e barazimit te autobuzi i Tiranës. Thyerja e një xhami nuk vlerësohet vetëm për anën ekonomike, por mbi të gjitha, si veprim, si fenomen që i bashkangjitet atyre të ndodhura sezonet e kaluara. Tirana nuk është e varfër për të rregulluar një xham makine, por futbolli shqiptar varfërohet me të tilla raste. Këto  fjalë të përshkruara në pak rreshta, kush i lexon le t’i marrë si një apel që iu bëhet aktorëve të garës