Intervista/ Elvis Sina: Tirana bëri “vetëvrasje”, Partizani preku titullin

142

Flet për “Telegraf” Elvis Sina, ish futbollisti bardheblu shpreh keqardhje për kreun

Sigal

 

Nga Agron Kaja

“Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fund të ndeshjes Tirana-Bylis. Pas përfundimit të ndeshje në barazim 2-2, dhe bardheblutë lanë kreun e renditjes, tifozët kanë hyrë në fushë për të sulmuar gjyqtarin Kridens Meta”

Superiores i kanë mbetur 90 minutat e fundit të kampionatit, cili është këndvështrimi juaj për 35 javët e luajtura?

Kanë qenë 35 javë të mbushura thuajse me të gjithë elementët që futbolli i ka në “gjirin” e tij. Ky kampionat do të mbahet mend për ulje e ngritje të Partizanit me Tiranën në kreun e renditjes, për luhatjet e skuadrave të tjera nga ndeshja në ndeshje.

Një ndeshje para mbylljes së kampionatit në Abissnet Superiore, si e përshkruani situatën e renditjen?

Mendoj se renditja pas ndeshjeve të sotme (dje) thuajse u përcaktua në të dy kahjet e saj. Java e fundit ndoshta do të shërbejë për ndonjë befasi, njëherësh edhe për skuadrat, që kërkojnë një vend në zonën e Europës. Edhe Bylisi shpreson…

Dje u luajtën ndeshjet e javës së 35-të të Superiores, cilin nga rezultatet veçoni?

Natyrisht që barazimi 2-2 i Tiranës me Bylisin rezultoi fatal për kreun e renditjes, sepse është Partizani tashmë që kryeson tabelën. Por edhe largimi i Vllaznisë nga zona e Europës dhe ngjitja e Teutës mbetet e tillë. Kjo javë i dha goditjen përfundmitare Kastriotit në fundin e tabelës së renditjes.

Nisur nga rezultatet që u arritën këtë javë, u përcaktua ndonjë pozicion përfundimtar në të gjitha kahjet e renditjes?

Mendoj se gjithçka për kreun u mbyll me këtë barazim të Tiranës.

U shënuan 12 gola, është kjo një shifër që tregon diçka më shumë?

Po kjo tregon se skuadrat në këto javë të fundit shohin më shumë te rezultati minimal, dhe më pak orientohen drejt sasisë së golave. Por edhe 12 gola nuk janë pak, sepse i takon një mesatare me 2.5 gola për ndeshje.

Si i parashikoni rezultatet në javën e fundit?

Të rëndësishme do të jenë, sepse të gjitha skuadrat do të presin gabimet e kundërshtarëve në 90 minutat e fundit, që të arrijnë synimet e tyre. Vëmendje do të marrin Partizani dhe Tirana, por mendoj se shpresat për ndonjë përmbysje janë të pakta.

Po verdiktet e këtij sezoni, cilët do ishin sipas jush?

Edhe verdiktet mendoj se u përcaktuan sot (dje) me rezultatet që u arritën. Nëse do të thoja Partizanin kampion, Tirana në vendin e dytë dhe Egnatia në të tretin. Edhe Teuta ka marrë tri pikë Europe, ndërsa tre skuadrat e fundit kanë punë edhe 90 minutat e mbetura.

Florent Hasani i Tiranës ka shënuar 17 gola në 35 javë, mendoni se bardheblutë do të bëjnë “Bis” me trofe në këtë kampionat?

Ky do të jetë “suksesi” i vetëm i Tiranës në këtë kampionat, që në raport me titullin kampion është shumë më pak i padëshiruar. Gjithsesi, duke qenë një trofe individual, i uroj Hasanit për këtë sukses dhe për vazhdimësi në karrierë.

Si një ish bardheblu, personalisht si ndjeheni sot që Tirana e bëri këtë “vetvrasje” për titullin kampion?

Si një ish futbollist bardheblu nuk ndjehem mirë. Por edhe për faktin se Tirana e kishte titullin në “xhep” pas barazimit në derbi dhe kjo duket një vetëvrasje e vërtetë. Keqardhja ime, por edhe i gjithë komunitetit bardheblu, sot nuk ndryshon gjë.

 

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java e 36-të

Të martën, datë 29 maj 2023

Egnatia-Kukësi                       16:00

Erzeni-Tirana               16:00

Bylis-Vllaznia             16:00

Laçi-Kastrioti              16:00

Partizani-Teuta                        16:00

Renditja

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Tirana                       35        64

2.Partizani                   35        64

3.Egnatia                     35        52

4.Teuta                        35        48

5.Vllaznia                    35        47

6.Laçi                          35        45

7.Kukësi                      35        42

8.Erzeni                       35        40

9.Bylis             35        38

10.Kastrioti                 35        35

 

PARASHIKI I BASTEVE

Java e 36-të e Superiores

Egnatia-Kukësi           X  2

Erzeni-Tirana   2

Bylis-Vllaznia 1  X

Laçi-Kastrioti  1

Partizani-Teuta            1

 

Kupa e Shqipërisë

Caktohen data dhe stadiumi, finalja luhet “Elbasan Arena”

Muaji qershor 2023 për futbollin shqiptar mbetet një datë e veçantë. Sepse në këtë datë do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, ku Tirana dhe Egnatia do të ndeshen në finale që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, nisur nga ora 19:00. Duhet thënë se Egnatia ka shkruajtur historinë e saj më të mirë me këtë finale, ndërkohë që Tirana është 16 herë fituese e këtij trofeu, ka qenë edhe 11 herë të tjera si finaliste. Për herë të fundit Tirana e ka fituar Kupën e Shqipërisë në vitin 2017, por në sezonin pasardhës (2017-2018) skuadra bardheblu zbriti në Kategorinë e Parë. Kujtojmë se trofeun e Kupës së Shqipërisë e kanë fituar edhe Partizani 15 herë, Dinamo 13 herë, Vllaznia 6 herë, Flamurtari 4 herë, Teuta 3 herë, Besa, Elbasani, Laçi dhe Kukësi nga 2 herë, Skënderbeu dhe Apolonia janë nga 1 herë fitues.

KUPA E BOTËS SË LEGJENDAVE

Emra të mëdhenj në futboll, në botëror nga tetë kombëtare

Ndërsa bota e futbollit ka organizuar disa evente të mëdha, numrit të tyre do i shtohet edhe një tjetër i tillë. Ky është një turne jo i zakonshëm, pasi bëhet fjalë për Kupën e Botës së Legjendave, i organizuar nga vetë emrat e mëdhenj. Në këtë turne do të marrin pjesë tetë ekipe kombëtare të përbëra nga lojtarë që e kanë lënë futbollin, por që më parë kanë luajtur të paktën një ndeshje me ekipet e tyre përfaqësuese. Në Botërorin e legjendave do të marrin pjesë Spanja, Brazili, Argjentina, Uruguai, Franca, Anglia, Italia dhe Gjermania. Ky kompeticion do të zhvillohet në një vend të vetëm ende të pacaktuar (kandidatë janë: Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme). Ndeshjet do të luhen në dy pjesë me nga 35 minuta dhe në rast barazimi ndeshja shkon direkt në penallti.

Kapitenët e 8 skuadrave

Michel Salgado           (Spanjë)

Emerson                      (Brazil)

Esteban Kambiaso      (Argjentinë)

Diego Lugano             (Uruguaj)

Kristian Karembeu      (Francë)

Stiv McManaman        (Angli)

Marko Materaci          (Itali)

Kevin Kuranji (Gjermani)

GOLI I PADHËNË/ Trajneri i Tomorit, Klodian Arbri, ende në pritje të moviolës së FSHF-së

Zhgënjimi ka një arsye, heshtja miraton golin!

 

Nga Agron Kaja

“Ne i kemi të gjitha rastet e ndeshjes me Korabin në video, ndërkohë që po ta shohim me qetësi rastin, ai moment në portën kundërshtare në minutën e 74-t  është një gol i pastër”

Disa ditë pas humbjes së Play-off-it me Korabin, trajneri i Tomorit Klodian Arbri ende tregon se është në pritje të një përgjigje sa i përket momentit të mosdhënies së golit në portën e dibranëve. Në ndeshjen Play-off për ngjitje në Abissnet Superiore, skuadra e Tomorit ushtroi presion ndaj kundërshtarit, kryesisht në pjesën e dytë, ku edhe në një rast topi kaloi dukshëm vijën fatale. Por abritri dhe asistenti i tij nuk e panë topin që kishte kaluar shumë centimetra brenda portës, dhe edhe sot trajneri Arbri pret një përgjigje. “Unë e kam thënë këto ditë, se nga skuadra ime nuk isha i zhgënjyer në atë ndeshje, sepse kur luhen ndeshje teke situatat janë të paparashikueshme. Nga mënyra e lojës jam krenar sepse triumfuam në çdo lloj aspekti. Deri këtu ku erdhëm në Play-off, besoj se si Tomor kemi ardhur me meritë. Dhe skuadra e mbylli me dinjitet për mënyrën se si luajtëm, ndërsa për mënyrat e tjera nuk mbaj përgjegjësi. Po i fal të gjitha mangësitë e tjera që u panë gjatë drejtimit të lojës, por nuk mund të anashkaloj mosdhënien e golit tonë. Duket si një detaj që nuk duhet folur sot, por me këto raste ndahet futbolli në gjëra të vogla”, kështu e nisi Arbri bisedën me gazetën “Telegraf”, ku më pas tregoi se nga ana e klubit të futbollit Tomori, momenti i shënimit të golit nga ana e tyre, i cili nuk u akordua nga arbitri, është në një video që ai kërkon nga FSHF-ja ta shohë me qetësi. “Ne i kemi të gjitha rastet e ndeshjes me Korabin në video, ndërkohë që po ta shohim me qetësi (Arbitrat dhe FSHF-ja), ai moment në portën kundërshtare në minutën e 74-t  është një gol i pastër. Sepse topi e ka kaluar vijën fatale dhe Rregullorja e futbollit e përcakton se në të tilla raste është gol. Dhe sot unë bëj apel për t’u parë ky rast. Madje shkoj edhe më tej duke deklaruar se nëse e kam gabim, nuk merrem më me futboll. Por, zhgënjimi ka një arsye, ndërsa heshtja miraton golin!”. E ndërsa tekniku beratas bën apel që ky rast i mosdhënies së një goli të pastër në një ndeshje teke për kualifikim në Superiore, mbetet me shpresë se një përgjigje teknike do të jepet, ndërkohë që gjen edhe një herë rastin që të falenderojë skuadrën e tij për çka dha në këtë kampionat. “Ne e mbyllëm me dinjitet kampionatin, edhe pse mundet që me pak kujdes të ishim më sipër në renditje. Duke qenë se erdhëm deri këtu (ndeshja Play-off), e dëshiroja shumë kalimin në fazën tjetër. Por me golin e mohuar nuk deshën të na linin. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se shpesh në futboll fat është edhe kur nuk të akordohet një gol i rregull. Si trajner mbetem i kënaqur nga nga skuadra dhe ndjehem krenar që punova me këtë grup. Do dëshiroja që të kemi vazhdimësi me ta edhe vitin tjetër, sepse me këtë grup do të shkojmë drejt Superiores”, kështu e mbylli bisedën e tij Klodian Arbri, një ish-kryegolashënues kombëtar në futbollin shqiptar dhe sot në bankinën e Tomorit.

KATEGORIA E PARË

 

Ndeshjet Play-off

Të martën, datë 23 maj 2023

Flamurtari-Apolonia   1-1

Kualifikohet Flamurtari

Tomori-Korabi                        0-1

Kualifikohet Korabi

Të dielën, datë 28 maj 2023

Flamurtari-Korabi                   17:00

Në stadiumin “Partizani”

 

Renditja përfundimtare

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Skënderbeu  26        48

2.Dinamo                    26        47

3.Flamurtari                 26        46

4.Tomori                      26        43

5.Korabi                      26        39

6.Apolonia                  26        38

7.Luzi 2008                 26        38

8.Besa             26        37

9.Lushnja                    26        32

10.Burreli                    26        31

11.Oriku                      26        30

12.Turbina                   26        26

13.Tërbuni                   26        24

14.Besëlidhja  26        17

 

Ndeshjet Play-out

Të martën, datë 23 maj 2023

Lushnja-Valbona                     1-0

Lushnja qëndron në Kat. Parë

Të premten, datë 26 maj 2023

Burreli-Pogradeci                    16:00

Stadiumi “Egnatia Arena”

 

Keko i Korabit bën gol të “dyfishtë”

 

Pas shënimit të golit në ndeshjen me Tomorrin, sulmuesi i Korabit Albers Keko ka bërë një tjetër gol të rëndësishëm. Këtë herë bëhet fjalë për një gol karriere, pasi ai ka deklaruar se pas këtij suksesi e ardhmja e karrierës së tij do të zhvendoset me skuadrën e Partizanit. “Aktualisht jam pjesë e Korabit dhe jam i fokusuar te ndeshja me Flamurtarin. Por më pas e ardhmja ime e afërt do të zhvendoset në Tiranë me Partizanin. Ishte një dëshirë e imja dhe pas akordit midis klubeve u mbyll gjithçka. E falenderoj Partizanin për besimin, shpresoj të jap më të mirën te kjo skuadër e madhe në futbollin shqiptar”.